Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në Budapest, Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Ministri Maqedonci nga Budapesti: Aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE nuk ka tjetër alternativë

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci me vizitë zyrtare në Hungari ka marrë pjesë në ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor dhe në Forumin e Sigurisë së Budapestit.

Forumi i Sigurisë, ministri Maqedonci ka thënë se po zhvillohet për herë të parë në kryeqytetin hungarez.

Në kuadër të këtij Forumi në Budapest, ministri Maqedonci ka ndarë deklaratën e tij që ka bërë në një panel ku ka folur për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq, isha pjesë e panelit në të cilin u diskutua për “Europën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor në arkitekturën e re evropiane të sigurisë”. Në fjalën time shpreha qëndrimin se orientimi strategjik dhe aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE nuk ka tjetër alternativë” – ka njoftuar ministri Maqedonci, në Facebook.

Ai po ashtu njofton se i ka informuar të pranishmit në Forumin e Sigurisë të Budapestit për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Shfrytëzova rastin që të pranishmit t’i informoj për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rrugën përpara bazuar në Planin e Përgjithshëm të Tranzicionit si dhe nevojave konform zhvillimeve të fundit në ambientin e përgjithshëm të sigurisë” – ka shtuar Maqedonci.

Përmes kësaj vizite në Hungari, ministri Maqedonci ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim me homologun e tij të Hungarisë, Kristóf Szalay- Bobrovniczky. 

Me ministrin Szalay- Bobrovniczky ai thotë se kanë biseduar përveç për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe impaktin e Hungarisë në rajonin e Kosovës, gjithashtu kanë diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.