MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.

Kandidatët dështojnë në testin më shkrim, anulohet konkursi për drejtor të Bibliotekës Kombëtare

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka anuluar konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Arsyeja e anulimit të konkursit për drejtor të TKK-së, është se asnjë prej kandidatëve konkurrues për këtë pozitë nuk kanë arritur të marrin pikët e nevojshme në testin më shkrim për të kaluar pastaj në intervistë me gojë.

MKRS nuk ka dhënë arsyet e anulimit të konkursit në njoftimin e dhënë më 02.04.2024 në uebfaqen e saj.

“Bazuar, në Ligjin e Punës, Nr. 03/L-212, Nenin 80 dhe 81 dhe neni 89, të Ligjit për Zyrtaret Publik të Republikës së Kosovës, Nr. 08/L-197 , Ligji Nr. 08/L-196, për Pagat në Sektorin Publik, Ligji Nr. 04/L09 për Bibliotekat dhe Statutin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Neni 14, pika 6 e Udhëzimit Administrativ MFPT-NR. 01 /2024 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik dhe Raporti i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, më datë 29.03.2024, më Nr.Protokolli 1761/2024, të datës 02.04.2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bën njoftimin për anulimin e konkursit, me Reference RN00013269, Kadi RPC0006808, më datë të njoftimit 08.02.2024, ndërsa datat e aplikimit, nga 09.02.2024 , deri më 09.03.2024, për pozitën”- thuhet në njoftimin e MKRS-së.

KALLXO.com ka dërguar pyetje MKRS-së për të mësuar arsyet e anulimit të konkursit, por, ministria nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Ndërsa, Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së, “Pjetër Bogdani” tha për KALLXO.com, se asnjë prej kandidatëve konkurues nuk kanë arritur të marrin pikët e nevojshme në testin me shkrim, siç parashihet me Udhëzimit administrativ.

“Udhëzimi administrativ që na ka kanë ofru (MKRS-ja), në testin që përgatitet (kandidatët) duhet me i pasur minimumi 50 pikë prej 70-ve dhe asnjëri nuk kanë arritur minimumin e pikëve të kërkuara”- ka thënë Rugova.

Testimi me shkrimi i kandidatëve për këtë konkurs  është mbajtur të premten e kaluar, më 29.03.2024.

Në konkurs kishin konkurruar 13 kandidatë, por vetëm 10 prej tyre i kishin plotësuar kriteret për garim për këtë pozitë.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së, Pjetër Bogdani” ishte hapur më 08.02.2024, i cili ishe përcjellë edhe me kritika për shkak se, sipas kriterit të parë, e drejta për konkurrim u jepej vetëm të diplomuarit në Fakultetin e Arteve, Fakultetin Filologjik dhe Fakultetin Filozofik.

Sipas Ligjit për bibliotekat, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, zgjedhet dhe shkarkohet nga Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke. “(KD) zgjedh dhe shkarkon drejtorin e bibliotekës”- thuhet në pikën 1.7 të nenit 10 të ligjit për bibliotekat.

Drejtori i BKK-së zgjeidhet me mandat 4-vjeçar me mundësi të rizgjedhjes.