Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Paralajmërohet ankesë për konkursin për zv.drejtor të RTK-së

Adrian (Adi) Krasta është renditur i pari në garën për zëvendësdrejtor të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), pas intervistimit të tij për herë të dytë.

Herën e parë kur ishin mbajtur intevistat më 19 dhjetor 2022, kandidatja më e poentuar ishte Ilire Zajmi, kurse Adi Krasta ishte renditur i dyti.

Zajmi, e cila momentalisht është ushtruese detyre e udhëheqëses së mediave online në RTK, në intervistën e parë kishte grumbulluar 413 pikë apo 82.6% të pikëve të anëtarëve të komisionit, kurse Adi Krasta 407 pikë apo 81.4% të pikëve. I treti kishte dalë Rilind Gërvalla me 402 pikë apo 80.4%.

Kandidatët janë intervistuar dhe vlerësuar nga komisioni në përbërje të: Arta Avdiu, kryetare e komisionit, dhe Zana Spahiu, Xhevdet Sfarça, Serbolub Kuziq dhe Beriana Mustafa – anëtarë.

Rilind Gërvalla, i cili punon si redaktor në RTK 1, është ankuar me pretendimin se komisioni vlerësues nuk e kishte argumentuar mjaftueshëm poentimin e kandidatëve.

Pas shqyrtimit të ankesës së kandidatit Rilind Gërvalla, komisioni i ankesave në RTK kishte gjetur shkelje dhe kishte vendosur që procesi të kthehej në rivlerësim dhe riintervistim.

Procesi i vlerësimit që e kishte nxjerrë Zajmin kandidaten më të suksesshme është kthyer në rishqyrtim, ndërsa komisioni vlerësues i kishte ftuar kandidatët për një intervistë të dytë për të përzgjedhur zv.drejtorin e RTK-së.

Komisioni vlerësues i ka intervistuar tre nga kandidatët e ftuar në intervistë: Rilind Gërvalla, Naser Thaçi dhe Adi Krasta. 

Ilire Zajmi, kandidatja më e vlerësuar në intervistën e parë, nuk është paraqitur fare për intervistën e dytë. Ajo ka thënë se nuk mund të ketë riintervistim të kandidatëve.

“Unë jam njoftuar zyrtarisht që kam dalë e para në një njoftim që e kam marrë më 21 dhjetor, që kam marrë pikët maksimale nga të gjithë kandidatët me 82.6%, pastaj më 30 dhjetor më është dërguar një njoftim zyrtar nga administrata ku thuhet që pas ankesës së një kandidati procesi shkon në rivlerësim dhe riintervistim” – ka thënë Zajmi për KALLXO.com.

Zajmi ka thënë se është duke e përpiluar ankesën, të cilën do ta dorëzojë brenda afateve të parapara ligjërisht tek institucionet përkatëse, pasi konsideron që nuk ka bazë ligjore që të ketë intervistim të dytë.

“Askund në rregullore nuk e kam gjetur bazën ligjore në bazë të çkahit është vendosur që çështja të kthehet në rivlerësim apo në riintervistim të kandidatëve… Kjo ka qenë arsyeja që unë kam vendosur që të mos paraqitem në intervistë dhe kam vendosur që të ankohem brenda afateve të ankesës dhe do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që të ankohem” – ka thënë Zajmi.

Rregullorja për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së (që e përfshin këtu edhe procesin e zgjedhjes së zëvëndësdrejtorit) parasheh mundësinë që procesi i rekrutimit të kthehet në rishqyrtim te komisioni vlerësues.

“Komisioni i ankesave do të vendosë, por pa u kufizuar në to, sikur në vijim:… të kthejë çështjen në rishqyrtim duke përshkruar lëshimet të cilat duhet të evitohen nga komisioni përzgjedhës”- thuhet në nenin 26 për procedurën ankimore të kësaj Rregulloreje.

Procesi i rekrutimit 

Konkursi për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të RTK-së fillimisht ishte shpallur në korrik të vitit 2022, me ç’rast kishte dështuar për dy herë radhazi.

Sipas Rregullorës për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së, maksimumi i pikëve që një kandidat mund të vlerësohet për këtë pozitë është 100 pikë.

Pjesa e strategjisë/konceptit vlerësohet maksimumi deri në 40 pikë, si dhe pjesa e vlerësimit të pyetjeve gjatë intervistimit është maksimumi i vlerësimit deri me 60 pikë, për gjashtë pyetje, ku secila nga pyetjet mund të vlerësohet maksimum deri në 10 pikë.

Adi Krasta, i cili në total mori 437 pikë apo 87.4% të pikëve të anëtarëve të komisionit, u rendit i pari në listë. Kandidati i dytë është renditur Rilind Gërvalla me 399 pikë apo 79.8%, si dhe Naser Thaçi u rendit i treti me 391 pikë apo 78.2%.

Në ditën e intervistimit të kandidatëve, komisioni vlerësues në një takim i cili është monitoruar nga monitoruesit e Sindikatës së RTK dhe të BIRN-it, ka bërë përpilimin e pyetjeve.

Përpos strategjisë/konceptit të cilin kandidatët është dashur ta dorëzojnë paraprakisht dhe të njëjtën ditë të intervistimit ta elaborojnë para komisionit vlerësues, ata u janë përgjigjur edhe gjashtë pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Komisioni vlerësues i ka publikuar pikët e dhëna nga secili anëtar për secilin kandidat të intervistuar. 

Më 5 dhe 10 janar 2023, KALLXO ka kërkuar qasje në vendimin e komisionit të ankesave për kthimin e procesit në rishqyrtim për të kuptuar arsyen e qartë të kthimit të procesit në këtë fazë si dhe listat e vlerësimit të herës së parë të intervistimit të secilit anëtar të komisionit për secilin kandidat veç e veç. Deri në momentin e publikimit të artikullit, RTK ende nuk ka ofruar çasje në dokumentet e kërkuara.