Foto: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi verifikon votat për Projektligjin për tekste shkollore që u kontestuan nga disa deputetë të LVV-së

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars 2024 nuk ka pasur kuorum për t’u  votuar në parim Projektligji për tekstet shkollore.

Deputetët Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

Korenica ka kërkuar shpjegime edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, por prej tij ka marrë vetëm udhëzimin që t’i drejtohej sekretarit të Kuvendit dhe Zyrës ligjore.

Por, pas afro një muaji nga ky zhvillim, KALLXO.com, ka arritur të marrë një përgjigje nga Kuvendi i Kosovës, në të cilën thuhet se votat e asaj dite janë verifikuar dhe projektligji ka kaluar.

“Në seancën plenare të datës 7 mars 2024, sipas numërimit të votave nga Shërbimi i deputetëve dhe konstatimit të Kryetarit të Kuvendit, në votimin për Projektligjin për tekstet shkollore kanë marrë pjesë 63 deputetë, prej tyre 62 deputetë kanë votuar për, ndërsa një ka abstenuar”- thuhet në përgjigjet e Kuvendit për KALLXO.com.

Për shkak të problemeve me sistemin elektronik të votimit në Kuvend, numërimet e votave qe një kohë të gjatë bëhen në formë manuale.

Deputeti Korenica tha për KALLXO.com se menjëherë pas seancës në të cilën u votua Projektligji për tekste shkollore, janë paraqitur te administrata e Kuvendit me kërkesën që t’i verifikojnë votat.

Për të qartësuar më tej, KALLXO.com provoi të marrë disa komente nga anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, nëse ky projektligj është kthyer në Komision për punime, por deklaratat e tyre ishin kundërthënëse me njëra-tjetrën.

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola tha që Projektligji për tekste shkollore nuk është kthyer në Komision sepse proceduralisht në këtë fazë nuk mund të kthehet.

Sipas tij, shqyrtimi i Projektligjit ka filluar sipas Rregullores, sepse Komisionit, respektivisht grupit punues i mjafton vendimi që nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit i cili e obligon procedimin “nen per nen” të ligjit.

Sidoqoftë, Gola thotë që nuk ka qenë në dijeni nëse është marrë një vendim përfundimtar për çështjen e votave.

“Jo- mendoj se do të duhej të më informonin”- tha Gola.

Edhe anëtarja tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi deklaron se janë duke punuar në këtë Projektligj ashtu siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit.

“Ne anëtarët e Komisionit të arsimit si dhe grupi punues për Projektligjin për tekste shkollore, kemi një vendim të Kuvendit të Kosovës për të punuar në këtë projektligj pas kalimit me sukses në lexim të parë nga Kuvendi”- tha Rexhepi për KALLXO.com.

Ajo theksoi se nuk e kanë ndërprerë punën në këtë projektligj, sepse sipas saj, kanë punuar mbi vendimin e Kuvendit të datës 07.03.2024.

Krejt ndryshe tha anëtarja tjetër e Komisionit, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi.

Sipas saj, Komisioni nuk ka pranuar të mblidhet ta trajtoj Projektligjin për tekstet shkollore për shkak të kontestimit të votimit të tij më 07.03.2024.

“Edhe pse neve na ka ardhur sot (03.04.2024) një email që të premten të mblidhet grupi punues në krye me Arjeta Rexhepin, mirëpo na nuk do të marrim pjesë derisa të sqarohen votat”- tha Dumoshi për KALLXO.com.

Siç thotë ajo, është mirë që së pari të shikohen votat dhe pastaj të vazhdohet tutje.

Si deputetët Korenica e Rrahmani, ashtu edhe Gramos Agusholli nuk kanë votuar për miratimin e këtij projektligji, ani pse thonë që nuk kanë problem me përmbajtjen e tij. Të tre e thonë haptas se nuk i votojnë projektligjet që sponsorohen nga Ministria e Arsimit, pa u plotësuar një kërkesë e tyre. Prej ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ata kërkojnë që ta shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që e ndalon mbajtjen e uniformës fetare në shkolla, e që në publik më tepër interpretohet si bartje e mbulesës apo e shamisë.

Të indinjuar që Nagavci nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndryshuar këtë udhëzim tash e tri vjet, ata kanë vendosur ta kushtëzojnë jo vetëm votimin e Projektligjit për tekste shkollore por edhe cilitdo projektligj tjetër që përgatitet nga MASHTI.

Thonë se të njëjtin qëndrim me ta e kanë edhe disa deputetë të tjerë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk parapëlqejnë të tregojnë se cilët janë ata. Për ta është e habitshme që një udhëzim i tillë nuk është ndryshuar deri më tani kur kundër nenit që e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla ka qenë edhe vet Albin Kurti gjatë kohës sa ka qenë në opozitë.

Kallxo.com ka insistuar të marrë sërish një qëndrim prej ministres Nagavci, pas kushtëzimit që po i bëjnë deputetët brenda Vetëvendosjes, por ajo nuk është përgjigjur.

Shënim: Në këtë tekst është bërë një ndërhyrje/plotësim në ora 18:28, datë 03.04.2024

“Rebelimi” brenda Vetëvendosjes: Qeveria kushtëzohet shkaku i moslejimit të shamisë në shkolla