Arsim Halili emërohet drejtor i Radio Kosovës

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës me gjashtë vota pro dhe dy vota kundër ka miratuar propozimi për emërimin e Arsim Haliliit, drejtor i Radio Kosovës.

Halili kishte rezultuar kandidati më i suksesshëm në konkursin për këtë pozitë në mesin e gjashtë pretendeteve të tjerë.

Në mbledhjen e sotme të bordit, drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka paraqitur rekomandimin e tij.

“Konkursi për drejtor të radios është përmbyll me sukses. Kandidati më i suksesshëm ka rezultuar Arsim Halili. Andaj rekomandoj që në këtë mbledhje të votohet ai. Konkursi është shpallur më 14 shkurt dhe është mbyllur me 1 mars. Pas formimit të komisionit, dy nga anëtarët kanë kërkuar të dorehiqen, Arta Avdiu dhe Ariana Pallata dhe janë zëvendësuar më pas…”- tha Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj u pyet që pse nuk janë përfshirë menaxhmenti i lartë në komisionin për zgjedhjen e drejtorit të radios.

“Pse nuk është përfshirë menaxhementi i lartë në komisionin vlerësues” – pyeti anëtarja e bordit, Shukrije Rama.

“Adi Krasta dhe Alban Fetahu kanë kërkuar mirëkuptim për shkak të angazhimeve dhe njëri nga ta për shkak të udhëtimit jashtë vendit. Ndërsa Rilindi ka qenë që një javë në pozitën e drejtorit”- tha Ahmetxhekaj.

“Ata janë menaxherë që vetëm sa e kanë marrë detyrën dhe është njerëzore të flas me ta që më i mirëkuptu” – deklaroi drejtori gjeneral.

Anëtari tjetër i bordit, Driton Hetemi tha se nuk mendon që është arsye “Pse tash e ka marrë detyrën të mos pranoj të jetë pjesë e komisionit”.

“Argumenti që është i ri nuk qëndron për mua” – tha Hetemi.

Për këtë çështje pyetje shtroi edhe kryetari i bordit, Besnik Boletini.

“A është në vullnetin e njerëzve që mos me qenë pjesë e komisionit?”- tha ai.

Pas këtyre diskutimeve, emri i Arsim Halilit është hedhur në votim. Me gjashtë vota pro propozimi u miratua. Shukrije Rama dhe Albulena Mehmeti ishin kundër këtij propozimi.

Mbledhja e bordit të RTK-së është duke vazhduar.

Arsim Halili me një vendim të veçantë të drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj në RTK është caktuar që të kryejë detyrën e “ndihmësit të drejtorit të përgjithshëm të RTK 2” me një pagë 1,404 euro.

Në këtë pozitë u caktua pasi dështoi të zgjidhet si zëvendësdrejtor vitin e kaluar.

Sipas autorizimit të siguruar nga KALLXO.com, Arsim Halili ndihmon drejtorin e përgjithshëm të RTK 2 në “në zgjedhjen dhe shkarkimin e personelit të RTK 2, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, Ligjin e RTK-së dhe Statutin e RTK-së; në marrjen e vendimit lidhur me çështjet e organizimit të brendshëm, në bashkërendimin e punës së njësive administrative të RTK 2”.

Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së në vitin 2016 kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook.

Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.

Arsim Halili “drejt” pozitës të drejtorit të Radio Kosovës