Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni i ankesave i hap rrugë zgjedhjes së Adi Krastës në pozitën e zv.drejtorit të RTK-së

Komisioni i ankesave i Radiotelevizionit të Kosovës – RTK ka refuzuar ankesën e kandidates Ilire Zajmi, e cila ka pretenduar se në kundërshtim me rregullat e RTK-së është anuluar procesi i parë i intervistimit që e kishte nxjerr atë të parën në garën për zëvendësdrejtor të RTK-së.

Zajmi që ishte kandidatja më e poentuar në procesin e parë, nuk kishte marrë fare pjesë në riintervistimin e organizuar nga komisioni i njëjtë vlerësues.

Në riintervistim, komisioni vlerësues e kishte poentuar kandidatin, Ardian (Adi) Krastën me më së shumti pikë, duke e rekomanduar për pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së.

Zajmi me datë 11 janar 2023 ka ushtruar ankesë tek komisioni i ankesave për procesin e përzgjedhjes së zv.drejtorit të RTK-së.

Për të shqyrtuar ankesën e Zajmit, më 13 janar 2023 ishte mbledhur komisioni i ankesave në përbërje të: Shqiprim Haliti kryetar, me dy anëtarët tjera të komisionit Xhevahira Kolenoviq dhe Rita Begolli.

Të pranishëm në monitorim të shqyrtimit të ankesave kanë qenë monitoruesit e Sindikatave të RTK-së si dhe monitoruesja e BIRN-it.

Para fillimit të shqyrtimit të ankesës së kandidates Ilire Zajmi, komisioni i ankesave i lejoji monitoruesve qasje në shikim të ankesës së ushtruar nga kandidatja.

Në ankesën e parashtruar para komisionit të ankesave, Zajmi e kishte atakuar vendimin e komisionit të ankesave për kthimit të procesit në riintervistim dhe rivlerësim duke e konsideruar si diskriminim dhe diskreditim të figurës së saj. Ajo madje kishte pretenduar për ndryshim dhe kurdisje të rezultateve të procesit.

Zajmi, në ankesë kishte konstatuar se të njëjtës i është mohuar qasja në vendimin e komisionit të ankesave që e kishte kthyer procesin në rishqyrtim/fazën e riintervisitmit dhe rivlerësimit.

Gjatë shqyrtimit të ankesës së kandidates Zajmi, lidhur me elaborimin e ankesës para komisionit dhe konstatimeve në procesverbal, vërejte patën monitoruesit e sindikatave të RTK-së, të cilët në formë pakënaqësie e lëshuan takimin.

Në prani të monitorueseve, komisioni i ankesave nuk ka diskutuar lidhur me arsyeshmerinë apo jo të pretendimeve të Zajmit. Por, ishte kryetari i komisionit të ankesave Shqiprim Haliti që dha argumente për të kundërshtuar secilin pretendim të Zajmit, ndërsa dy anëtarët e tjera të komisionit Xhevahira Kolenoviq dhe Rita Begolli nuk patën komente apo diskutim.

Gjatë diktimit për procesverbal, kryetari i komisionit Shqiprim Haliti deklaroi se sipas komisionit, Zajmi e ka atakuar një proces në të cilin vet nuk ka marrë pjesë.

“Njoftimi për riintervistim është dërguar në mënyrë të rregullt. Kandidatët janë paraqitur në kohën e caktuar për riintervisitm. Ndërsa ka munguar kandidatja Ilire Zajmi. Një veprim të tillë komisioni i ankesave e vlerëson si heqje dorë vullnetarisht nga procedurat e mëtejshme që janë zhvilluar nga komisioni vlerësues” – tha Haliti.

E sa i përket kërkesës së Zajmit për të pasur qasje fizike/në posedim, të vendimit të komisionit të ankesave, i cili vendim e kthej procesin në fazën e ri-intervisitimit dhe ri-vlerësimit, Haliti deklaroi se një kërkesë e tillë është refuzuar që mos të ketë ndikim në proces.

Haliti po ashtu, potencoi faktin se Zajmi është ftuar nga administrata e RTK-së që për këtë fazë të procesit t’i mundësohet qasja vetëm në shikim por jo edhe në posedim të vendimit të komisionit të ankesave, deri në momentin e përfundimit të procesit.

Mirëpo deklaratën e Halitit e ka kundërshtuar Zajmi e cila një gjë të tillë e ka quajtur të pavërtetë

“Me datën 5.02.2023 kam pranuar një njoftim nga administrata ku thuhet se” Po ju shënojmë për të njoftuar zyrtarisht se me datë 28.12.2022, Komisioni i Ankesave ka marrë vendim më nr.protokolli  4625/22 që procedurat e përzgjedhjes së zv. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së të kthehet në rishqyrtim (pas ankesës së një kandidati). Në emailin zyrtar përveç këtij njoftimi të thatë, nuk ka asnjë Vendim të Komisionit të Ankesave”, ka thënë Zajmi për KALLXO.

Pas vendimit të komisionit të ankesave, KALLXO.com ka kontaktuar me Zajmin e cila vendimin e komisionit e ka quajtur skandaloz, për çka ka thënë se në Inspektorat e Gjykatë do t’i dorëzojë provat që dëshmojnë për parregullsitë e këtij procesi.

“Në inspektorat dhe gjykatë do t’i deponoj të gjitha provat, për ta dëshmuar çfare ka ndodhur në të vërtetë me konkursin” – tha Zajmi për KALLXO.

Komisioni për shqyrtim të ankesës së Zajmit është mbajtur të premten, me datë 13 janar 2022.

Të nesërmen, të shtunën, me datë 14 nëntor 2023, Bordi i RTK-së ka thirr mbledhje në të cilën do të bëhet votimi për zëvendësdrejtor të RTK-së.

Ilire Zajmi, e cila momentalisht është ushtruese detyre e udhëheqëses së mediave online në RTK, në intervistën e parë kishte grumbulluar 413 pikë apo 82.6% të pikëve të anëtarëve të komisionit, kurse Adi Krasta 407 pikë apo 81.4% të pikëve. I treti kishte dalë Rilind Gërvalla me 402 pikë apo 80.4%.

Rilind Gërvalla, i cili punon si redaktor në RTK 1, është ankuar me pretendimin se komisioni vlerësues nuk e kishte argumentuar mjaftueshëm poentimin e kandidatëve.

Pas shqyrtimit të ankesës së kandidatit Rilind Gërvalla, komisioni i ankesave në RTK kishte gjetur shkelje dhe kishte vendosur që procesi të kthehej në rivlerësim dhe riintervistim.

Procesi i vlerësimit që e kishte nxjerrë Zajmin kandidaten më të suksesshme është kthyer në rishqyrtim, ndërsa komisioni vlerësues i kishte ftuar kandidatët për një intervistë të dytë për të përzgjedhur zv.drejtorin e RTK-së.

Komisioni vlerësues i ka intervistuar tre nga kandidatët e ftuar në intervistë: Rilind Gërvalla, Naser Thaçi dhe Adi Krasta.

Ilire Zajmi, kandidatja më e vlerësuar në intervistën e parë, nuk është paraqitur fare për intervistën e dytë. Ajo ka thënë se nuk mund të ketë riintervistim të kandidatëve.

Më 5 dhe 10 janar 2023, KALLXO ka kërkuar qasje në vendimin e komisionit të ankesave për kthimin e procesit në rishqyrtim për të kuptuar arsyen e qartë të kthimit të procesit në këtë fazë si dhe listat e vlerësimit të herës së parë të intervistimit të secilit anëtar të komisionit për secilin kandidat veç e veç. Deri në momentin e publikimit të artikullit, RTK ende nuk ka ofruar çasje në dokumentet e kërkuara.

Konkursi për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të RTK-së fillimisht ishte shpallur në korrik të vitit 2022, me ç’rast kishte dështuar për dy herë radhazi.

Shënim: Me datë 14 janar 2023, në ora 13:54, artikulli është ndryshuar duke iu shtuar reagimi i Zajmit në deklaratën e kryetarit të komisionit të Ankesave për qasjen në vendimin e këtij komisioni.