Shitja e “barnave” online përmes mashtrimit, sfidë për shëndetin publik

Shitja e produkteve që promovohen si ilaçe përmes internetit, që nuk janë të certifikuara si të tilla e shpesh herrë nuk dihet as përmbajtja e tyre, po rrezikon shëndetin e qytetarëve të Kosovës të cilët bien pre e këtyre mashtrimeve.

Veprimet e institucioneve mbesin të pakta dhe të pamjaftueshme për të luftuar këto mashtrime, të cilat sipas legjislacionit në Kosovë janë vepra penale.

Gjatë vitit 2023, KALLXO.com ka identifikuar mbi 30 informacione të rreme që u shpërndanë online me qëllim promovimin dhe shitjen e “barnave”, të cilat nuk lejohet të shiten në Kosovë. Këtu përfshihen rrenat për shpëtimin e dëgjimit e shërimin e këpurdhave në këmbë përmes dezinformatave për të shitur “ilaçe” të tilla.

Këto dezinformata janë bërë duke cituar mjekë fiktivë, me emra të falsifikuar, duke përdorur fotografi të personave të tjerë. KALLXO.com ka arritur të identifikojë këto rrena përmes kërkimeve në internet, kontrollimit të listës së barnave që lejohet të shiten në Kosovë, verifikimin e emrave të përmendur e kontaktimit të institucioneve e profesionistëve shëndetësorë për të marrë më shumë informacione.

Përveç se nuk janë të certifikuara për të shëruar sëmundje, këto produkte mund edhe të shkaktojnë pasoja të mëdha te pacientët që u besojnë atyre.

Ligjet e Kosovës parashohin që barnat e vetme që kanë leje për t’u shitur në Kosovë janë ato që certifikohen nga Agjencia Kosovare e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale (AKPPM).

Skema e këtyre mashtrimeve është e thjeshtë: një doktor identiteti i të cilit është i falsifikuar që flet për “përfitimet” nga këto “ilaçe” që pretendohet se shërojnë sëmundje të ndryshme si kanceri, diabeti, sëmundje të zemrës, prostatës e të tjera.

Kjo problematikë është gjurmuar më thellë përmes një hulumtimi dhe është diskutuar nga zyrtarë të institucioneve e shoqëria civile në emisionin “Kallxo Përnime”, të cilët kanë folur për bazën ligjore, pasojat e mundshme, masat që janë marrë e që duhen ndërmarrë për të parandaluar e ndaluar këto mashtrime.

Për të parë se si blihen këto produkte, gazetarja e KALLXO.com, Luljeta Beselica ka porositur ato përmes internetit, të cilat kanë mbërritur disa ditë më vonë përmes një poste private.

Gazetarja më pas gjurmoi nëse posta private e di se kush është dërguesi i këtyre materialeve.

Në postë e kanë konfirmuar se i dërgojnë materialet por nuk e dinë se çka ka brenda tyre, pasi autoritetet doganore dhe kontrollues të tjerë janë përgjegjës për të kontrolluar brendësinë e produkteve.

Avokati i postës private “Postman”, Naim Spahiu, ka folur për procesin e dërgimit të porosive, duke thënë se sikurse në çdo vend të botës, posta nuk merr asnjë përgjegjësi për llojin e produktit që gjendet në dërgesa, pasi që ato janë të pacenueshme dhe posta s’ka fare qasje brenda tyre.

“Si procedurë, pasi ta merr statusin e klientit, ai biznes e dërgon dërgesën e mbyllur dhe e gjithë përgjegjësia për llojin e tij bie mbi atë që e dërgon dhe atë që merr” – tha ai.

Spahiu thotë se në baza mujore kanë bashkëpunim me organet e ndjekjes lidhur me dërgesa të caktuara.

“Në baza mujore mos të themi dhe ditore që organet e ndjekjes interesohen për produkte të caktuara të cilat janë të ndaluara. Ne si postë i japim informacione te sakta se kush është pranuesi i atij malli e dërguesi.”

Të dhënat tregojnë se materialet që në internet shpërndahen si ilaçe në fakt janë shtesa ushqimore të cilat nuk janë të certifikuara për të shëruar sëmundjet. Kompanitë dhe prodhuesit e lajmeve të rreme përdorin informacione të pasakta për t’i promovuar e shitur këto produkte.

Madje, disa nga produktet që janë shitur në internet me lajme të rreme, gjenden në farmaci me çmime shumë më të ulëta.

Specialisti i farmacisë klinike, Astrit Haxhijaha thotë se mënyra më e sigurt për të blerë e konsumuar barna është përmes farmacive dhe konsultimit me farmacistë, të cilët janë të thirrur për sqarimin e barnave, si përmbajtjen e dozimin e tyre.

Ai tregon për dallimin mes suplementeve apo shtesave ushqimore dhe barnave dhe përmend faktin se shpesh suplementet mund të kenë ndërveprim me barnat, që sipas tij është pikërisht arsyeja që ato duhet të konsumohen me rekomandim dhe mbikëqyrje të mjekëve dhe farmacistëve.

“Suplementet apo shtesat ushqimore janë produkte që kanë efekt të ndihmës dhe jo efekt trajtues, që nënkupton se nëse një pacient ka një problem apo diagnozë mjekësore kronike, atëherë për ta lehtësuar problemin rekomandohen suplementet, kurse për ta trajtuar si problem përdoren barnat me substancë apo me molekulë aktive” – thotë Haxhijaha.

Sipas tij, duhet të bëhen fushata vetëdijësuese që qytetarët të kenë sa më shumë kontakt me farmacistin e të mos përdorin formën online të blerjes së barnave.

Pas dëmeve që pacientëve shpesh u shkaktohen nga konsumi i këtyre produkteve, ata drejtohen te doktorët. Me raste të tilla tregon se është përballur edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani.

“Secilin pacient që e vizitoj e tregon për këtë punë, unë i jap pikë së pari një udhëzim që mos me përdor diçka tjetër, mirëpo zakonisht pacientët vijnë kur bëhet tepër vonë apo kur ma nuk kanë gjasa me ardhë me e pa mjekun, sepse përfundimi masnej është ndryshe” – thotë ai.

Ai këshillon që kur të përdoren medikamentet duhet edhe lexuar recetën e shkruar që vjen në paketim. Doktori Sylejmani po ashtu kujton se barnat kanë dobitë dhe efektet anësore, por gjithmonë duhet barazpeshuar që dobitë të dominojnë.

“I kisha udhëzu që pacientët t’i lexojnë ato sepse aty shkruan krejt, çka është, çfarë lloj i barnës, qysh ndikon, sa është doza, cilat janë efektet anësore, kur duhet me u lajmëru te mjeku e të tjera” – shtoi Sylejmani.

“Qytetarët duhet me ju besu profesionistëve shëndetësorë të cilët ju japin informata të bazuara në dëshmi dhe të cilat tregojnë për secilën anë pozitive apo negative.”

Çfarë thotë ligji?

Shitja e produkteve medicinale, suplementeve/vitaminave mund të bëhet edhe nëpërmjet internetit, sipas nenit 14 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Mirëpo, ky nen specifikon se kushtet dhe kriteret për shitje përmes internetit rregullohen me akt nënligjor, pas funksionalizimit të Sistemit Informativ Shëndetësor.

Ky sistem, në Kosovë nuk është ende plotësisht funksional, pavarësisht premtimeve të disa qeverive, e as nuk ekziston një akt i tillë nënligjore.

Ligji po ashtu sqaron se për produktet medicinale me recetë duhet të ekzistojë receta online.

Përderisa këto kushte nuk janë krijuar, Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Sejdë Tolaj, thotë se shitja e barnave online është vepër penale.

“Përgjegjësia është e organeve duke fillu, nga Inspektorati Farmaceutik. Ky Inspektorat duhet në bashkëpunim me Policinë e Kosovë të merret me këtë dukuri, sepse e rrezikon shëndetin e qytetarit. Dezinformatat, mashtrimet janë të ndaluara” – tha ai.

Tolaj përmendi faktin që së fundmi Inspektorati Farmaceutik ka rritur numrin e inspektorëve.

Edhe reklamimi i produkteve medicinale ka një procedurë ligjore. Për t’u lejuar kjo, siç shpjegon Tolaj duhet të merret një leje e veçantë në AKPPM, që lëshohet nga Komisioni për vlerësimin e produkteve dhe pajisjeve medicinale, i përbërë nga 7 anëtarë me thirrje post diplomike, e i emëruar nga ministri i Shëndetësisë.

“Nuk mundesh ti me reklamu produkte medicinale kujt t’i teket. Duhet me marrë leje të veçantë në AKPPM për të reklamu barna” – thotë ai.

Kjo leje lëshohet për 6 muaj, e cila mund të ripërtërihet, e për këtë duhet paguar edhe tarifa, siç thotë Tolaj.

Çfarë po bëjnë institucionet?

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar ankesa, shqetësime, informata e pyetje lidhur me produkte të ndryshme farmacetuike.

Kështu tha në “Kallxo Përnime”, Gjylferije Zabeli, nga divizioni i komunikimit me publikun në këtë Ministri. Ajo shtoi se ka pas raste që janë bërë inspektime dhe janë marrë masa.

“Sipas informatave dhe raporteve që kemi pranuar nga Inspektorati Farmaceutik ka raste që janë adresuar te organet kompetente për procedurat e mëtutjeshme, pas identifikimit të adresës së burimit të këtyre dezinformatave, Inspektorati bashkë me policinë kanë kryer inspektime të veçanta dhe janë marrë masa” – tha Zabeli.

Për të informuar saktë qytetarët, Zabeli tha se MSh ka publikuar komunikata, reagime e njoftime.

“Fatkeqësisht shumë qytetarë u besojnë këtyre dezinformatave që shpërndahen shumë në rrjete sociale, mirëpo për me vu në pah të vërtetën dhe për të ofruar informata sa më të sakta për qytetarët, Ministria ka dalë edhe me komunikata e reagime e njoftime për t’i parandaluar dhe për t’i vetëdijesuar qytetarët” – shtoi tutje ajo.

E pyetur se a mjaftojnë komunikatat për të informuar qytetarët për këto mashtrime e rreziqe, zyrtarja e Ministrisë tha se ndoshta nuk mjaftojnë, por Ministria e Shëndetësisë në përputhje me kalendarin e ditëve e javëve botërore të shëndetësisë, bën fushata të ndryshme për t’i vetëdijesuar qytetarët se si t’i trajtojnë sëmundjet që ata vuajnë” – tha zyrtarja e MSH-së.

Kjo ministri, siç tha Zabeli është duke realizuar edhe trajnime të stafit shëndetëosr për promovim dhe edukim shëndetësor, por tha se nuk di nëse ata trajnohen specifikisht për të identifikuar dezinformatat.

Suplementet apo shtesat ushqimore në Kosovë janë nën kontrollin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi, thotë se nëse ato do të kishin efekte shëruese, siç në disa raste reklamohen, nuk do të kontrolloheshin nga AUV sepse nuk konsiderohen suplemente.

“Ne kemi një problem të brendshëm i cili në shumë fusha mund të rregullohet me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, që në shumë vende të botës çështja e shitjeve online është e rregulluar pasi nuk mund të reklamosh apo promovosh një produkt për disa efekte në shëndet të cilat nuk janë të provuara shkencërisht” – tha ai.

Ai shtoi se komplet tregu i këtyre produkteve kontrollohet nga Inspektorati Sanitar që është nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky kontroll, sipas tij bëhet shumë thjeshtë nëse ka vullnet, sepse siç tha Thaçi çdo ngarkesë ka dosjen e vet përjcellëse ku janë të përcaktuar të gjithë hisedarët në tregtim, prodhuesi, importuesi, distributori, shitësi e nëse nuk ka një dosje të tillë do të thotë që është ilegale.

“Këta mund ta ndalojnë e ta verifikojnë secilën prodhimtari apo ngarkesë që hyn në Kosovë” – shtoi Thaçi.

Për ndalimin e këtyre dezinformatave, Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së në Prishtinë tha se kujdesi parësor shëndetësor e jep një kontribut të mirë.

Po të kishte një sistem të mirëfilltë të informimit shëndetësor, Gashi beson se këto do të minimizoheshin.

“Nuk po them që do të zhdukej por do të ndihmonte shumë që recetat të shkonin në formë elektronike dhe pacienti të mos ketë fare qasje në recetë, në letër në dorë e as në raport mjekësor, por shkon në barnatore, në system elektronik e gjen recetën, e merr produktin, edhe gabimet në shkrim e gabimet e tjera që mund të ndodhin gjatë rrugës eleminohen dhe kjo do të ishte nje zgjidhje” – tha Gashi.

Ai tha se nuk di se në institucionin që ai drejton ka pasur raste konkrete kur pacientët janë ankuar për një fenomen të tillë.

Gashi shtoi se ndonëse ka suplemente të cilat janë të lejuara për t’u shitur dhe tregtuar në Kosovë, pacienti duhet t’i marrë këshillat nga mjeku apo farmacisti për to.

“Blerja e barnave online – mungesë besimi te institucionet”

Pavarësisht zotimeve të institucioneve, Besim Kodra nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve në Kosovë thotë ato nuk janë marrë konkretisht me shitjen e produkteve medicinale online, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Ai thotë se përderisa ka të bëjë me vepra penale, përgjegjësia kryesore është e prokurorisë dhe policisë e institucionet mund të ofronin mbështetje.

“Aty pamë një mashtrim, pamë dëmtim të shëndetit të qytetarëve sepse jepen nga njerëz jokompetentë, pamë përdorim të logove të organizatave ndërkombëtare që krejt këto janë vepra penale” – tha Kodra referuar hulumtimit të “Kallxo Përnime”.

Krejt kjo situatë sipas Kodrës tregon një mungesë besimi nga pacientët në institucionet shëndetësore publike.

Kodra tha se përdorimi i barnave si element i fundit shëndetësor, nuk mund të përdoret si i pari, sepse zinxhiri fillon nga vizita te mjeku, diagnostikimi, përshkrimi i barnave e pastaj blerja e tyre.

Një shqetësim tjetër që ai ngriti ishte mungesa e Sistemit të Informimit Shëndetësor në sistemin privat shëndetësor

“Ne kurrfarë informacioni nuk e kemi se çka ndodh në ordinancat private, çka përshkruhet, qysh trajtohen pacientët” – tha ai.

Mungesa e mjekut familjar të përzgjedhur, i cili do të e këshillonte për çdo gjë rreth shëndetit është po ashtu problematike sipas tij.

“Pacienti është një qytetar, një hallexhi, i vetëm në kujdesin shëndetësor i cili gllabërohet nga çdokush që kushtimisht ka interes prej tij, është i pambrojtur, sepse hallka kryesore, ky partneriteti me mjekun familjar është i shkëputur” – tha ai.

MSh ka nisur një pilotprojekt në katër komuna për zgjedhjen e mjekut familjar përmes platformës e-Kosova.