Borut Pahor 

Ish-presidenti slloven Pahor është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka reaguar në lidhje me disa pyetje, të cilat thotë se është duke i pranuar në pritje të rolit të tij si kandidat për Emisar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithëse ai ka thënë se nuk do të përgjigjet ndaj pyetjeve sa i përket rolit të Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka deklaruar se është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

“Lidhur me pyetjet që ish-presidenti Pahor është duke pranuar në pritje të rolit të tij si kandidat për Emisar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, ai momentalisht nuk është duke iu përgjigjur asnjë pyetjeje apo kërkese për intervistë deri në njoftimin e ardhshëm” – ka shkruar ish-presidenti Pahor, në platformën X.

“Ish-presidenti Pahor është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që në fillim ta koordinojë atë me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe me shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht me shtetet e QUINT-it” – ka shtuar në reagimin e tij, ish-presidenti Pahor.

Momentalisht, Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi është Mirosllav Lajçak. Ai ishte emëruar në këtë pozitë nga Këshilli i BE-së, më 03.04.2020.

Në anën tjetër, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se shteti i saj e mbështet Kosovën deri në anëtarësimin në të gjitha organizatat euroatlantike.

Pirc Musar shtoi se shpreson se lidershipi në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm se duhet t’i plotësojnë kushtet.

“Çdo vend që po hynte në Bashkimin Evropian, NATO ose Këshillin e Evropës, të gjithë ne duhej të përmbushnim kushtet. Nuk është gjithmonë e lehtë, por në lidhje me Këshillin e Evropës, zemra ime është vërtetë shumë afër kësaj organizate”- tha presidentja sllovene.

Në pyetjen se a po e kushtëzon Sllovenia hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo tha se nuk do t`i diskutoj kushtet pasi sipas saj, “Kosova e di se çfarë duhet të bëjë’’.

“Dhe ju po pyesni një avokate nëse duhet të përmbushen marrëveshjet e nënshkruara. Pra, kjo është ajo që unë duhet të them, “pacta sunt servanda”. Kjo është diçka që të gjithë avokatët nuk mund të ikin prej saj dhe ky është një fakt. Dhe do të doja të them vetëm se shpresoj se lidershipi në vendin tuaj dhe në Serbi do të fitojë mençuri, fuqi dhe energji të mjaftueshme për të zgjidhur enigmat. Situata në të cilën ndodhemi aktualisht po më tregon se ka mungesë besimi. Kur ke mungesë besimi, është e vështirë të përparosh”- tha presidentja Pirc Musar.

Deri më sot, Lajçak ka zhvilluar disa vizita në Kosovë e Serbi, takime të krerëve të të dy shteteve në Bruksel dhe me krerë të partive tjera politike nga të dy vendet.

Në njoftimin e emërimit të tij nga Këshilli i BE-së, ishin përmendur detyrat e Lajçak dhe se ato do t’i merrte menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh .

Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). 

Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së negocioi, organizoi dhe mbikëqyrë referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

Për emërimin e Lajçak si Emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, kishte reaguar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ia kishte parashikuar dështimin Lajçakut, pa ia përmendur emrin. Kjo për faktin se Lajçak vinte nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të rekordit të tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO” – kishte shkruar Thaçi, në Twitter (tashmë platformën X).

Sllovakia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.