Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Nënshkrimi i ujdisë – Çfarë pritet nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel?

Të hënën në kryeqytetin evropian palët pritet ta kenë për herë të parë para vetës një dokument, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”. Dy liderët e dy shteteve, Albin Kurti dhe Alkesandër Vuçiq, pritet të nënshkruajnë një ujdi për pranimin e këtij dokumenti ndërkohë presioni nga ndërkombëtarët për arritjen e një marrëveshje sa vjen e shtohet.

Liderët e dy shteteve, para takimit trepalësh, do të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke filluar nga ora 15:00, të hënën.

Kështu thuhet në agjendën e BE-së, ndërsa theksohet se në fund të takimit Borrell do të ketë një deklaratë për mediat.

Nga dita e hënë, kryeministri Kurti ka thënë se pret diskutime të mëtutjeshme mbi bazën e propozimit evropian por pa përjashtuar çështje tjera, për të cilat siç ka thënë ai “jo pak varet nga ndërmjetësit”.

Ndërsa, në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel “sigurisht që do të flitet për formimin e Asociacionit” dhe, siç tha ai, “për këtë do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë”.

Sa i përket temës kryesore të këtij takimi dhe mundësisë së diskutimit të Asociacionit, analisti i çështjeve politike Artan Muhaxhiri thotë se plani franko-gjerman mund të pranohet vetëm në tërësinë e tij – përfshirë edhe ndonjë format të Asociacionit, sepse, sipas tij, nuk është e lejueshme të përzgjidhen vetëm pjesët e këndshme dhe të përjashtohet të pakëndshmet.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Muhaxhiri ka thënë se nga takimi i së hënës mund të pritet arritja e ndonjë marrëveshjeje parimore, e cila do ta shprehte vullnetin e mirë të palëve për të vazhduar në rrugën e dialogut.

“Nuk është realiste arritja e akëcilës marrëveshje madhore, sepse për diçka të tillë duhet kohë që të -krijohen kontekstet dhe disponimet e përshtatshme në dy shtetet respektive. Për arsye që hendeku mes Kurtit dhe Vuçiqit është shumë i madh, hapat e përafrimit të tyre deri te nënshkrimi i marrëveshjeve duhet të jenë të vegjël dhe gradual”- ka thënë ai.

Saktësisht një javë para takimit, kryeministri Kurti për mundësinë e përfshirjes së Asociacionit në takim, u shpreh se duhet t`i përmbahen propozimit dhe jo interesave të njërës palë.

“Janë 5 fjali të preambulës, 10 nene dhe duhet t`i përmbahemi propozimit që kemi marr e jo interesat e njërës palë”- theksoi Kurti.

Sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, ka kohë që gjithandej ofrohen garanci të fuqishme se ky formacion do të jetë krejtësisht përbrenda kufijve kushtetues, dhe se nuk do ta cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Analisti thotë se kryeministri Kurti duhet të balancojë me inteligjencë e kreativitet mes pritshmërive të qytetarëve kosovarë dhe aleatëve ndërkombëtarë.

“Natyrisht që askush nuk do t’i imponojë ndryshime të plota identitare ideologjike, mirëpo prej tij gjithsesi do të kërkohen lëvizje pragmatike dhe mirëkuptime ndaj agjendave gjeostrategjike e gjeopolitike. Prej Kurtit doemos synohen alternativa, plane dhe ide konkrete përbrenda kompleksitetit të situatës, me të cilat do të kontribuonte në përshpejtimin e rrugës drejt marrëveshjes përfundimtare”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Pritjet e ndërkombëtarëve

Shtetet e Bashkuara presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell gjatë sesionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten, ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në një moment vendimtar.

“Unë do të pres të dyja palët në Bruksel javën e ardhshme dhe shpresoj që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi unike. BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë solide dhe largpamëse”, ka deklaruar Borrell.

Ndërsa, emisari i BE-së Mirosllav Lajçak, ka thënë se plani evropian nuk do të negociohet, sepse vetë plani është i hartuar nga Bashkimi Evropian dhe palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me to.

Kërkesat e opozitës në Kosovë

Partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës, ndajnë mendime të ndryshme për takimin e radhës mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, dhe pritjeve për arritje të dakordimit për planin evropian si bazë për marrëveshjen e normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pala kosovare duhet të kërkoj më çdo kusht që marrëveshje të ketë njohjen reciproke.

“Pala kosovare duhet të kërkoj me çdo kusht që marrëveshja të ketë njohjen reciproke mes dy vendeve. Çdo gjë më pak se kjo do të ishte humbje për Kosovën. Idea e njohjes ‘de facto’ nuk është asgjë. Serbia e ka njohur ‘de facto’ Kosovën prej vitit 1999. Njohja ‘de jure’ është ajo që i duhet Kosovës. Në anën tjetër duhet shmangur autonominë për veriun, duhet të ruhet rendi aktual kushtetues, dhe integriteti territorial”- ka thënë ajo.

Musliu – Shoshi tutje ka thënë se plani franko-gjerman është punë e kryeministrit Albin Kurti dhe, sipas saj, ky i fundit nuk mund të ik nga përgjegjësia.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova më 27 shkurt, në takimin në Bruksel, mund ta mbyll marrëveshjen me Serbinë, jo vetëm të japë sinjale pozitive.

Sipas Haradinajt, Qeveria duhet t’i kërkojë ndërkombëtarëve edhe ndihmë financiare për veriun.

“Qeveria duhet t’i kërkojë Amerikës dhe Evropës edhe ndihmë financiare edhe investime për të zbatuar më tutje rendin ligjin dhe zhvillimin ekonomik në veri të Kosovës. Mendoj që është momenti i duhur që qeveria për koston e mëtutjeshme për veri t’i kërkojë BE-së ta ndihmojë me buxhet e financa”- ka thënë ai, të enjten në seancën e Kuvendit.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, të enjten kanë thënë se qytetarët dhe Kuvendi nuk e kanë të qartë pozicionin e Qeverisë në takimin e së hënës që do mbahet në Bruksel.

“Të hënën është takimi në Bruksel, edhe për Kuvendin edhe për qytetarët nuk është e qartë se çfarë pozicioni do të mbajë Qeveria e Kosovës në këtë takim. A insiston kryeministri vetëm për njohje reciproke, apo është i gatshëm t’i përbijë sharjet dhe kritikat ndaj oponentëve në politikë që sot janë në opozitë dhe ta pranojë marrëveshjen pa njohje duke lënë problemin të hapur për qeverinë e ardhshme” – ka thënë deputeti i LDK-së Avdullah Hoti.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbinë nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut që nga nëntori 2022, i cili pas disa orëve diskutim përfundojë pa marrëveshje.

Në anën tjetër, Kosova po përjeton “presionin” më të madh politik për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS). Zyrtarë amerikanë themelimin e AKS-së po e quajnë si veprim të domosdoshëm, ndërsa marrëveshja fillestare për të po kundërshtohet pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.