Aleksandar Vuçiq

Vuçiq për takimin në Bruksel: E di çfarë më pret, me Kurtin nuk ka shumë biseda

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili pritet të mbahet të hënën në Bruksel.

Ai për këtë takim ka thënë se e di se çfarë e pret. Sipas Vuçiqit, me Kurtin nuk ka shumë biseda.

“Me Kurtin nuk ka shumë biseda. Ai njeri menjëherë fillon të flasë për Slobodan Millosheviqin, vuajtjet e tij… nuk e di, Adem Demaçin… Atëherë e kuptoni se ai ka mbetur prapa në atë kohë, dhe kaq…” – tha Vuçiq.

Vuçiq tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel “sigurisht që do të flitet për formimin e Asociacionit” dhe, siç tha ai, “për këtë do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë”, raporton Danas.

“E di, Kurti do të shkojë me tregimin – po, po, unë pranoj gjithçka, por Serbia do të duhet të pranojë gjithçka… Dhe kështu… I kam parë të gjitha ato marifete të panumërta, kështu që kjo do të jetë taktika ime. I kam ndjekur të gjitha ato biseda kaq herë, më shumë se të gjitha së bashku, Po të isha më budallai në botë do të isha më i përgatituri. Llogaris se nuk jam tamam njeriu më budalla në botë…”, tha Vuçiq.

Me këtë rast, ai e quajti Nenad Rashiqin, ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, “tregtar droge”, kurse Rada Trajkoviqin, këshilltare në Qeverinë e Kosovës që flet marrëzira.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kurti dhe Vuçiq takohen në Bruksel më 27 shkurt