Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj thotë se dështimit të marrëveshjes Kosovë - Serbi i gëzohet vetëm Rusia

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se Kosova më 27 shkurt, në takimin në Bruksel, mund ta mbyll marrëveshjen me Serbinë.

Në prag të një vjetorit të luftës Ukrainë – Rusi, Haradinaj ka thënë se Kosova me arritjen e marrëveshjes me Serbinë mund ta ndihmojë koalicionin global në luftën kundër Rusisë.

“Çka mund të bëjmë ne për ta zmbrapsë agjendën ruse në Ballkan. Ne mund të ndihmojmë koalicionin global kundër Rusisë edhe me veprimet tona. I vetmi vend në botë që nuk i gëzohet arritjes marrëveshjes Kosovë-Serbi është Rusia. Si mund të veprojë Kosova, mundet të hënën ta mbyllë marrëveshjen, jo vetëm të japë sinjale pozitive por ta mbyllë marrëveshjen”- ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se Qeveria duhet t’i kërkojë ndërkombëtarëve edhe ndihmë financiare për veriun.

“Qeveria duhet t’i kërkojë Amerikës dhe Evropës edhe ndihmë financiare edhe investime për të zbatuar më tutje rendin ligjin dhe zhvillimin ekonomik në veri të Kosovës. Mendoj që është momenti i duhur që qeveria për koston e mëtutjeshme për veri t’i kërkojë BE-së ta ndihmojë me buxhet e financa”- ka thënë tutje ai.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kurti dhe Vuçiq takohen në Bruksel më 27 shkurt