Kurti deklarohet për takimin e ardhshëm në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot para mediave është deklaruar në lidhje me takimin e 27 shkurtit në nivel të lartë mes tij, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Kurti tha se pret që të ketë diskutime dhe të ecin përpara në bazën e propozimit franko-gjerman.

“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fasituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti.

Për çështjen e diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri u shpreh se duhet t`i përmbahen propozimit dhe jo interesave të njërës palë.

“Janë 5 fjali të preambulës 10 nene dhe duhet t`i përmbahemi propozimit që kemi marr e jo interesat e njërës palë”- theksoi Kurti.

Ndërkaq të pavërteta, Kurti i quajti deklaratat e deputetit, Haki Abazi i cili pretendoi se Prokuroria Speciale duhet të intervistoj ministren Albulena Haxhiu, kreun e ekzekutivit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

“Ato nuk janë të vërteta nuk janë të sakta është përgjigjjë ministrja jonë e drejtësisë. Të gjitha çështjet i diskutojmë hapur në forume tona dhe secili deputet i shpreh qëndrimet e tij”- deklaroi Kurti.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu kishte deklaruar se menjëherë pasi ka kuptuar deklaratat e deputetit Abazi, ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që të njoftohet Prokuroria Speciale dhe Abazi të jetë dëshmitar i rastit të mostrave të Astrit Deharit.

Një muaj pas përvjetorit të gjashtë të vdekjes së Astrit Deharit, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte dalë me një njoftim se mostrat e tij janë zhdukur nga IML.

“Që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin dhe tek dje në momentin qe e kanë bërë bartjen e tyre e kanë kuptuar që mungojnë” – tha Haxhiu në konferencë për media.

Ministrja po ashtu kishte thënë se nuk ka dyshime se kjo është bërë me forcë.