Stano: Rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që t’i ndihmojnë palët të bëhen europianë, mirëpo, sipas tij, fakti që palët nuk arritën të bëjnë këtë nuk është për shkak të dështimit të BE-së, por të palëve.

Sipas Stanos, përderisa palët nuk janë të gatshme të lëvizin sigurisht askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato.

“Ka një mësim shumë të qartë, përderisa palët nuk janë të gatshme të lëvizin sigurisht askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato. Roli ynë si lehtësues në dialogun Prishtina – Beograd, është të lehtësojmë, të ndihmojmë të bëhen europianë, të ndihmojmë palët të sillen në mënyrë europiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti se nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë deri tash dhe të lëvizin në procesin e normalizimit, nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por për shkak të dështimit të palëve”- është shprehur Stano.

Teksa u është përgjigjur kritikave se emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka dështuar në dialog, Stano tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Lajçak ka bërë më të mirën dhe se ai e ka mbështetjen e plotë të 27 vendeve anëtare.

“Nuk është e vërtetë të paraqiten rezultatet e pakta deri tash si dështim i përfaqësuesit special Lajçak. Ai bëri më të mirën, në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së, në emër të BE-së me përkrahjen e plotë të 27 shteteve anëtare. Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, pasi dy palët nuk nënshkruan marrëveshjen e Ohrit. Shumë herë kemi shpjeguar nuk ishte çështje nënshkrimi për ne. Kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka shprehje më të mirë sesa përfshirja e saj në rrugën europiane për të dyja, që do të thotë se nëse nuk ecin para në zbatim e dëmtojnë veten, të ardhmen e tyre europiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund të marrin duke ecur para dhe për të avancuar me dialogun” – ka theksuar Stano.

Stano vijoi duke thënë se Lajçak po vazhdon përpjekjet e tij, e ai po i kushton kohën dhe energjinë e tij me takimet që po zhvillon për të zgjidhur çështjen e fundit siç është dinari.

“Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi, dhe do vazhdojë të jetë, pavarësisht nëse emri do të jetë Josep Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, katër deri më tani, për të zgjidhur çështjen e fundit (dinarin) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”- tha zëdhënësi i BE-së.

“Siç do t’u thotë çdo lehtësues e ndërmjetësues, niveli çfarë mund të arrihet varet nga aftësia dhe vullneti i palëve për kompromis”- shtoi ai.

Sa i përket caktimit të emisarit të ri special për dialogun, Stano nuk ka dhënë detaje mirëpo tha se do të shihet çështja si do të shkojë pak para përfundimit të mandatit të Lajçakut në gusht.

Rreth katër vjet pas emërimit, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak është në prag të përfundimit të mandatit në misionin e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Diplomatit sllovak, Mirosllav Lajçak iu besua ndërmjetësimi i dialogut Kosovë – Serbi në një vit të trazuar për Kosovën, mes sifdave të një pandemie globale dhe zhvillimeve politike që pasuan me rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Lajçak e nisi punën në krye të këtij procesi fillimisht duke u krijuar një terren për të bindur palët t’i ktheheshin dialogut i cili në atë kohë ishte bllokuar si pasojë e  vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Pas dy vjetësh bllokadë palët u kthyen në tavolinën e bisedimeve në një takim të zhvilluar në korrik të vitit 2020 mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak, mes besimit dhe kritikave në misionin e papërfunduar në dialogun Kosovë – Serbi