Foto: REL/AFP

Çka nënkupton ‘njohja de facto’ në raportet mes Kosovës e Serbisë

Zërat që kërkojnë njohjen de – facto të Kosovës nga Serbia janë shtuar ditëve të fundit, prej takimeve të 26 tetorit që kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq veçmas zhvilluan me liderët europian në Bruksel.

Jetësimi i njohjes de-facto dhe themelimi i asociacionit janë dy kërkesat që krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë presin të zbatohen nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Treshja europiane këtë e shprehen në një deklaratë të përbashkët një ditë pas takimeve në Bruksel.

Të njëjtën kërkesë e pati edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë më 30 tetor, ku tha se Kosova duhet ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë de – facto Kosovën.

Një ditë më vonë, në Beograd, ajo shpjegoi se njohja de – facto e Kosovës nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike nuk janë optimist se njohja de – facto nga Serbia do të zgjidhte problemet mes dy vendeve.

Profesori i studimeve të Paqes dhe Konflikteve në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka thotë se njohja de – facto nga Serbia nuk i zgjidh plotësisht të gjitha mosmarrëveshjet por stabilizon marrëdhëniet.

Në një përgjigje për KALLXO.com ai shpjegon se kjo njohje rrezikon të vonojë aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Në një anë, njohja de-facto nga Serbia nuk i zgjidh plotësisht të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe, por stabilizon marrëdhëniet dhe i ofron Kosovës një mundësi për t’u zhvilluar brenda vendit dhe gjithashtu për të zgjeruar sovranitetin e saj jashtë. Por në anën tjetër, rrezikon të zgjasë konfliktin dhe të vonojë aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, NATO, OKB dhe organizata të tjera, pasi shumë vende mund të supozojnë se mosmarrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ende nuk është zgjidhur”- thotë ai.

Se njohja de-facto nuk e zgjidh problemin mes palëve, pajtohet edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Dritëro Arifi.

Ai thotë se “vetëm njohja ligjore e qetëson rajonin dhe mund ta ndryshoj mentalitetin në Serbi. Njohja ‘de facto’ është vetëm zgjatje e problemit”.

Arifi në një përgjigje për KALLXO.com thotë se me vendet si Serbia është problematike edhe njohja ligjore, lerë më njohja ‘de facto’.

“Në njëfarë forme njohjen ‘de facto’ nga Serbia e kemi që nga vitit 2008 apo që nga vitit 2013 kur janë nënshkruar marrëveshjet e para. Serbia krejt çka mund të thotë verbalisht që e njeh ekzistencën e një realiteti por asnjëherë pa e përmend fjalën pavarësi. Me vendet si Serbia është problematike edhe njohja ligjore, e mos të flasim për njohjen ‘de facto’”- shprehet ai.

Thirrjeve të diplomacisë perëndimore për përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për normalizimin, që nënkuptojnë njohje de-facto të, presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu është përgjigjur ditë më parë.

“Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje”- tha ai.

Çka nënkupton njohja de-facto dhe ku dallon nga njohja ‘de-jure’?

Dritëro Arifi, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se “Njohja ‘de-facto’ nuk është ligjërisht e obligueshme sepse palët nuk marrin obligime ligjore”.

Ndërsa, sipas profesorit Visoka, në parim, njohja de-facto është një njohje e përkohshme derisa shtetet njohëse të përcaktojnë se shteti pretendues i plotëson kriteret e shtetësisë së pavarur.

“Në rastin e Kosovës, njohja de-facto nga Serbia nënkupton njohjen se Kosova është një subjekt politik i veçantë me autoritet të veçantë politik dhe ligje të zbatuara vetëm në Kosovë”- ka thënë ai.

Visoka në një përgjigje për KALLXO.com ka shpjeguar dallimin mes njohjes de-facto dhe njohjes de-jure.

Ai ka thënë se njohja de-jure nënkupton pranimin e një shteti tjetër si shtet të pavarur dhe sovran dhe pajtimin për të vazhduar marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë të zyrtarizuar dhe të legalizuar përmes vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe pranimit të personalitetit juridik dhe barazisë në ligj ndërkombëtar.

“Në rastin e Kosovës, njohja de jure nga Serbia do të nënkuptonte njohjen e Kosovës siç bënë me të gjitha republikat e tjera ish-jugosllave, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, mosndërhyrjen në punët e brendshme, mos bllokimin apo kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizata të tjera rajonale”- ka thënë ai.

Njohja de-facto në Marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më 3 nëntor ka thënë se marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit sjellin njohjen de-facto.

“Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjell njohje de-facto të Kosovës nga Serbia, dhe ky është rezultati i dy viteve dialog. Marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër, në gjashtë rreshtat e Preambulës dhe pesë nenet e para e ka njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia”- u shpreh ai në Kuvend.

Profesori Gëzim Visoka, thotë se marrëveshja e udhërrëfyesit e vitit 2023, ka formulime të shumta që mund të ngjajnë me një formë njohjeje de-facto, por gjithashtu lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Ai thotë se nenet 1 deri në 5 dhe neni 8 mund të interpretohen si favorizues për Kosovën sepse nënkuptojnë pranimin e statusit të Kosovës si shtet në vete.

“Neni 1 përmend shfaqjen e marrëdhënieve normale fqinjësore, barazinë e të drejtave dhe njohjen reciproke të dokumenteve ligjore dhe simboleve kombëtare. Karta e OKB-së referohet në nenin 2 së bashku me objektivat dhe parimet e saj, duke përfshirë “barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe jo diskriminim”. Neni 3 i referohet mossulmimit (përmbajtjes nga përdorimi i forcës ose kërcënimi për përdorimin e saj) dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, gjë që është thelbësore për parandalimin e konflikteve. Në veçanti, neni 4 thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe se “asnjëra nga të dyja nuk mund të veprojë në emër të tjetrit në sferën ndërkombëtare”. Sipas nenit 5, “asnjë palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre””- ka shpjeguar ai për KALLXO.com.

Por, sipas Visokës, neni 6 bie ndesh me vetveten duke deklaruar se ajo nuk është ende “një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre”.

“Kjo u jep palëve mundësinë për të kundërshtuar vlefshmërinë dhe detyrueshmerinë e marrëveshjes”- thotë ai.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.