Takimet e ndara në Bruksel të udhëheqësve europianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto: Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në platformën X

Liderët europianë: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

Krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin që u mbajt dje në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar nga Kosova që të nis procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft Statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”- thuhet një deklaratë në liderëve evropian, të publikuar në ueb-faqen e Qeverisë gjermane.

Duke iu referuar takimeve të 26 tetorit 2023 të zhvilluara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, liderët europianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin e dy palëve për zbatimin e marrëveshjeve.

“Mirëpresim angazhimin e dy palëve në diskutimet e djeshme në Bruksel. Kemi parasysh komentet e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar draftstatuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”- thuhet në deklaratë.

Faza e zbatimit, sipas liderëve europianë duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht hap pas hapi, bazuar në parimin që “palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”.

Fokusi, thuhet me tej në deklaratë tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.

Në fund liderët europianë presin që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në të kundërtën, në mungesë të dialogët, liderët paralajmërojnë se të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.