Von der Leyen: Kosova të nis procedurat për Asociacionin, kurse Serbia njohjen de facto

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë Kosova duhet ta lansojë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta pranojë njohjen de facto të Kosovës.

Sipas saj, kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara.

“Ne kemi një plan të ri të investimeve dhe ky plan është duke funksionuar shumë mirë. Nëse funksionon që shtetet anëtare të BE-së do të funksionojë edhe te vendet e Ballkanit Perëndimor. Plani i rritjes ka mundësinë që brenda një dekade të dyfishojë të ardhurat tuaja. Të gjitha këto suksese arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kosova duhet të nis procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse Serbia duhet të pranojë një njohje ‘de facto’ dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para”- ka thënë ajo.

Tutje Von der Leyen ka folur edhe për procesin e liberalizmit të vizave duke e konsideruar hap të avancuar.

“Në fillim dua të ju flas për liberalizimin e vizave, më kujtohet shumë mirë viti i kaluar kur ne të dyja në një konferencë për shtyp bëmë një thirrje të fuqishme për liberalizim të vizave. Tani këtë vit duhet të them se pothuajse ja dolëm sepse ky është një hap i avancuar përpara, që nga 1 janari Kosova do të mund ta shijojë e gëzojë lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian si pjesa tjetër e regjionit”- është shprehur ajo.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.