Viti që Trashi Luksin e Zyrtarëve me Paratë e Buxhetit

Qindra miliona euro në Kosovë shpenzohen përmes procedurave të prokurimit publik. Prokurimi publik, vazhdon të jetë një hallkë e ndjeshme në forcimi e shtetit, dhe si i tillë i zhytur në korrupsion paraqet pengesa të vazhdueshme në rrugëtimin e vendit drejt së ardhmes. Viti 2016 në mes tjerash u shoqërua me dorëheqje, raporte zyrtare me gabime, zvarritja e prokurimit elektronik dyshime për shkelje të Ligjit për Prokurim Publik e deri te tenderët e vegjël që përdoren për shpenzimet të mëdha. Se sa e rëndësishme është fusha e prokurimit vërehet edhe në raportet vendore e ndërkombëtare. Në mesin e kushteve për liberalizim të vizave, ishte edhe kushti për depolitizimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) siç njihet ndryshe “Gjykatë e Tenderëve”.

Viti 2016 filloi me dorëheqje në sektorin e prokurimit. Kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Hysni Hoxha, dha dorëheqje nga posti i të parit të këtij institucioni me arsyetimin se ishte  lodhur nga puna që bënte. Por, në fakt BE-ja e kishte vendosur një prej kushteve për liberalizim të vizave edhe dorëheqje e Hoxhës, pasi Hoxha kishte tri aktakuza të ngritura. Dorëheqja e Hoxhës e bërë jofunksional bordin e OSHP-së, gjë që ndikoi në grumbullimin e ankesave. Në mungesë të kuorumit, janë mbajtur vetëm panele shqyrtues për ankesa deri në 50 mijë euro.
Pas shumë debateve të brendshme, koalicioni arriti të gjejë gjuhën e përbashkët për emrat që do të bëheshin gjyqtar të prokurimit. Në fund të muajit mars Blerim Dina zgjedhet në krye të OShP-së dhe anëtarë të tjerë.

Në kuadër të debateve të shumta për prokurimit, kryeparlamentari Kadri Veseli, kishte dhënë idenë për angazhimin e një kompanie të huaj për tëkryer funksionin e OSHP-së.

Në anën tjetër 15 janari ishte afati i fundit për autoritetet kontraktuese si në nivelin lokal dhe atë qendror, që t’i dorëzojnë raportet vjetore rreth kontratave të nënshkruar publike për vitin 2015, përkundër se gati të gjitha autoritete kontraktuese kishin respektuar afatin,  afati prapë duhej të shtyhej edhe për dy javë, pasi autoritetet kontraktuese kishin dorëzuar raportet me gabime e disa të pa plotësuar krejtësisht.

Për prokurimin elektronik, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se mungesa e kapaciteteve menaxheriale, njerëzore dhe kapaciteteve në agjencitë qeveritare po paraqet pengesa në implementimin e këtij sistemi. Ndërkohë premtimi i kryeministrit, Isa Mustafa, se prokurimit elektronik do të startojë në gjysmën e vitit 2016 nuk është realizuar. Si datë e dytë ishte dhënë muaji shtator, por sërish aplikimi i prokurimit elektronik është prolonguar. Pastaj, është thënë se prokurimi elektronik do të nis në vitin 2017.

Prej tenderëve të vegjël kah luksi

Të gjitha autoritetet publike obligohen që t’i publikojnë në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit edhe blerjet e imta, pra kontratat nën 1 mijë euro. Kjo është bërë e obligueshme me ndryshimet e bëra në Ligjin e Prokurimit Publik.

Fillimi i publikimit të njoftimeve për kontratë ka shpërfaq luksin që Autoritetet Kontraktuese kanë bërë me parat publike. KALLXO.com ka ndërmarrë një fushatë të monitorimit të këtyre blerjeve që janë bërë vetëm muajt e fundit.

Ministrinë e Integrimeveka nënshkruar kontratë në vlerë prej 875 euro për blerjen e 50 çadrave dhuratë, çmimi i një ”çadre të integrimit“ ishte rreth 17.5 euro. Këto çadra ishin blerë për t’iu bërë dhurata për personalitete që e vizitojnë Kosovën.

Ministria e Diasporës në anën tjetër bleu rreth 1 mijë euro buqeta lulesh për t’i dërguar tek varrezat e dëshmorëve, pavarësisht se gjendja e varrezave të dëshmorëve është e mjerueshme, për të cilat ka shkruar disa herë Kallxo.com.

Komuna e Mitrovicës së Veriut shpenzoi mbi 3 mijë euro për dhurata por edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) kishte ndarë 7 mijë euro për dhurata. Komuna e Hanit të Elezit kishte blerë kalendarë dhe lapsa në vlerë prej 989 euro për vitin 2016 me 2 muaj vonesë pasi kishte filluar viti.

Komuna e Klinës dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personalë kanë blerë ora dore, duke shpenzuar nga 50 euro  deri në90 euro për një orë dore.

Zëvendës-ministri i “përhershëm” në qeverinë e Kosovës, Gjergj Dedaj ishte furnizuar me një telefon të fjalës së fundit të markës Samsung. Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal (MAPL) zëvendës ministrit të saj Gjergj Dedajt, ia ka blerë një Samsung S6, në vlerë prej 650 eurove. Ndërsa, Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka blerë ‘Ipad’ në vlerë 950 euro. Edhe Gjykata e Mitrovicës gjatë dhjetorit ka blerë një telefon në vlerën 995 euro. ‘Iphone’ në vlerë 830 euro bleu edhe Zyra e Avokatit të Popullit. Mitrovica e Veriut përveç dhuratave blen edhe ‘Iphone’ në vlerë prej 633 euro apo në vlerën total prej 9 mijë e 500 në sasinë prej 15 copë.

Komuna e Vushtrrisë në anën tjetër e shfrytëzon tenderin për furnizim me dekorata për nevojat e zyrës së kryetarit për të blerë lapsa kimikë e flamuj kombëtarë.

Komuna e Kllokotit, shpenzoi 28 mijë euro për të blerë veturë luksoze për punëtorët e saj, me arsyetimin se këtë veturë do ta shfrytëzojnë të gjithë punëtorët e saj në udhëtimet të “largëta” me qellim të bashkëpunimit dhe koordinimit me komunat tjera.

Për dallim nga Komuna e Kllokotit, Mamusha bleu “traktor luksoz” në vlerë prej 13 mijë e 500 euro, këtë traktor komuna e bleu me mjetet donacion nga komuna Bolu e Turqisë.

Dyshimet për Shkelje të Ligjit të Prokurimit

Tenderin për ushqimet për një çerdhe fëmijësh, Komuna Vushtrrisë kishte vendosur t’ia japë asamblistit të saj, por këtë tender Komuna e anuloi pasi Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) e kishte konsideruar konflikt të interesit, komuna dhe vetë asamblisti kishin kërkuar interpretim nga AKK. Një tjetër asamblist por në komunën e Skenderajt së bashku me vjehrrin e nënkryetarit morën tender në këtë Komunë, e deri te tenderët e vegjël për gruan e zyrtarit të IT-së në Komunën e Dragashit. Përveç kësaj, kjo komunë në një tjetër aktivitet të prokurimit, e uli vlerën e tenderit nga 10 mijë euro në 9 mijë e 999 euro, përkundër kësaj “manovre” nuk arriti të përfitonte lehtësime procedurale, sepse Ligji për Prokurim Publik (LPP) kishte ndryshuar.

Ndërsa, në Komunën e Malishevës nuk e shohin si konflikt të interesit nëse e shpërblejnë me kontratë kompaninë e nën-kryetarit të saj.

Komuna e Kllokotit anuloi thirrjen për kontratë pas reagimit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), pasi që në dokumentacion evidentohen diskriminime në baza etnike. Në anën tjetër edhe Posta e Kosovës e akuzoi Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), për diskriminim në tenderin për shpërndarjen e pensioneve.

Ligji paraprak i LPP-së dyshohet se është shkelë nga Ministria për Zhvillim Ekonomik për tenderin për renovimin e 5 ndërtesave publike me ç’rast ishte tërhequr Banka Botërore (BB). Tash, Ministria e Zhvillimit Ekonomik synon që kontratën rreth 600 mijë euro më të shtrenjtë ta financojë nga arka e shtetit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri kishte inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e memorialit “Eksodi 99”, përderisa procedurat e prokurimit për këtë tender ende nuk kishin përfunduar.

OShP-ja i gjobiti me nga 25 mijë euro Telekomin e Kosovës dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitarë (SHKUK) pwr Mosrespektimi të Ligjit të LPP-së dhe moszbatim të vendimeve sa saj. Nga viti 2012 deri në vitin 2014 gjobat që OShP u ka shqiptuar autoriteteve kontraktuese arrijnë vlerën 140 mijë euro.

Për mos zbatim të vendimeve të OShP-së nga ana e Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) për tenderin 3.3 milionësh të pastrimit me arsyetimin se operatorë ekonomikë ofertuan me çmime më të larta se çmimi i tregut, arrestohet kreu i saj Mursel Rraci, me ç ‘rast zhbllokohet edhe tenderi në fjalë.

AQP i kryen procedurat e prokurimit në emër të Agjencive të Pavarura të cilët i përgjigjen Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kanë më pak se 50 të punësuar.

Komuna e Pejës i jep tender kompanisë pronari i së cilës del të jetë i dënuar nga gjykata për falsifikim të dokumenteve.

Tenderi mbi 1.4 milionësh i Ministrisë së Brendshme e bëri “horë” Kosovën dhe këtë institucion. Komunikacioni ishte mbushur me vetura që bartnin tabela “provuese”, në mungesë të tabelave të rregullta për shkak të bllokimit të tenderit. Mungesa e furnizimit me targa për automjete e nxiti edhe reagimin e zëvendës ministrit Nehat Mustafa i cili kërkoi që prokuroria të nis hetimet, edhe kreu i kësaj ministrie Skender Hyseni kishte thënë se ky proces në dorën e OShP-së,  dhe kjo kontratë nënshkruhet në tetor me operatorit ekonomik të rekomanduar, me çmim më të lartë për 500 mijë euro se oferta e cila ishte eliminuar.

Ndërkohë, gjatë vitit 2016 janë ngritur edhe dy aktakuza gjigante për keqpërdorime me tender. Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, me shokë i është ngritur aktakuzë për manipulime me 18 tenderë të kësaj komune. Në aktakuzë përveç zyrtarëve të tjerë të kësaj komune janë përfshirë edhe kompanitë më të mëdha që ishin kontraktuar nga Komuna e Gjilanit.

KALLXO.com ka raportuar për aktakuzën sipas së cilës, zyrtarë të lartë të KEK-ut, ish-kreu i OSHP-së dhe një ekspert i saj janë akuzuar se i dhanë tenderin dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut”.

Kushëriri i Hashim Thaçit në Aktakuzën për Tenderin e KEK-ut

Njazi Thaçi, drejtor operativ në KEK, akuzohet nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Thaçi akuzohet për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Ai është kushëriri i presidentit Hashim Thaçi. Së bashku me Thaçin, akuzohet edhe katër zyrtar të tjerë të KEK-ut për të njëjtin tender. Po ashtu, Prokuroria Speciale akuzon edhe ish-kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha dhe ekspertin Shqyrtues të këtij organi, Azem Durakun. Kjo është aktakuza e katër për ish-kryetarin e OSHP-së, Hoxha.

Viti është mbyllur me dënimin e ish-kreut të Gjykatës së Tenderëve, Hysni Hoxhës. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Hoxhënpër shpërdorim detyre, me 3 vjet burg dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të ndonjë funksioni publik, pasi ai nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut, duke i vlerësuar ato të shqyrtuara më parë.Ai e ka cilësuar dënimin absurd, ndërsa pret verdiktin e gjykatës edhe për disa aktakuza të tjera për punën që ka bërë në OSHP.

http://kallxo.com/denohet-hysni-hoxha/