Fadil Nura, nënkryetar i komunës së Skënderajt

Vjehrri i Nënkryetarit dhe Asamblisti Fitojnë Tenderë në Skënderaj

Në debatin për Skënderajn në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, nënkryetari i kësaj Komune Fadil Nura ka folur për dy vitet e para të mandatit aktual në krye të komunës.

Kryetar i komunës, në zgjedhjet e vitit 2013 është zgjedhur Sami Lushtaku, por atij i është pamundësuar kryerja e punëve në komunë për shkak se gjendet në vuajtje të një dënimi për vrasje në kohën e luftën, që nga maji i vitit të kaluar.

Kësisoj, komuna është duke u drejtuar nga Fadil Nura.

Kuvendi i komunës së Skënderajt ka 31 asamblistë, nga të cilët 26 janë të PDK-së, kështu që Nura nuk e ka problem që t’i shtyjë përpara iniciativat e veta në asamble.

Edhe ata pak asamblistë që i përkasin opozitës në Skënderaj, nuk duken të zëshëm.

Njëjtë ndodhi edhe gjatë debatit “Jeta në Komunë”.

Asamblisti i LDK-së Cenë Behrami mungoi në debat, Ramiz Polaci nga AKR-ja dhe Berat Dajaku nga PD-ja që tash është i pavarur nuk folën fare. Qeveria komunale u sfidua vetëm nga Ajnishahe Halimi e cila ka fituar votat si asamblistë në listën e Vetëvendosjes ndërsa tani është e pavarur, dhe nga Qazim Xani i AAK-së.

Tema e parë që nisi debatin ishte asfaltimin i segmentit 2 i rrugës 800 metërshe unazore “17 Shkurti” në Skënderaj. Tenderi është fituar nga ndërmarrja “Kalaja” e cila është në pronësi të Fejzullah Lushtaku, vjehrrit të nënkryetarit Nura.

“Ka konkurru në vazhdimësi dhe atë e ka fitu. Edhe përzgjedhja është bërë nga komisionin përgjegjës”, tha Nura .

Debati nuk u largua nga tenderët, po kësaj radhe as nga salla e asamblesë pasi që fitues i tenderit për furnizimin e komunës me derivate ishte firma “Alfa Trade” e asamblistit të PDK-së, Musa Hajdari.

“Nëqoftëse se nuk je në pozitat menaxheriale nuk është konflikt interesi. Unë nuk jam menaxher, jam vetëm pronar”, tha Hajdari.

Asamblistja e pavarur Ajnishahe Halimi reagoi duke thënë së ky nuk është konflikti i vetëm i interesit pasi që ka edhe raste tjera të tilla të tjera në komunën e Skenderajt.

“Nuk është vetë Musa (Hajdari) që është në konflikt interesi, ne kemi edhe të tjerë këtu, kemi firmën Security Code e cila merr gati po thuajse të gjitha ndërtesave publike të komunës së Skenderajt”, theksoi Halimi.

Çështje tjetër që nuk kishte lëvizur as me një tullë nga viti 2013, është ndërtesa që u dedikohet familjarëve të dëshmorëve dhe veteraneve të UÇK-së, që kishte qenë një premtim i dhënë në fushatën zgjedhore.

Por në debat ai i ndryshoi fjalët.

“Unë kam premtuar duke pas parasysh edhe premtimet që i kemi pas nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, sepse vetëm për komunë është projekt shumë i madh”, tha Nura.

Premtimi tjetër që nënkryetari Nura e pati dhënë në zgjedhje ishte zgjidhja e problemit me ndarjen e lokacionit për varreza, premtim ky që nuk është përmbushur deri më tani. Nura e arsyetoi se ka disa probleme me banorët që nuk po pranojnë.

Ndërsa Komuna e Skenderaj nuk e ka vepruar njëjtë më rrënimin e një ndërtese në qendër të Skenderajt. Policisë i qe dashur të reagojë për largimin e banorëve të cilët refuzonin të dalin nga ndërtesa.

Në lëminë e arsimit u diskutuan dy çështje, përfshirë edhe atë të drejtoreshës së shkollës në fshatin Runikë, Merita Dervishi e cila disa muaj pas rizgjedhjes për një mandat tjetër, është suspenduar nga Komuna; si dhe rasti i mos ndarjes së bursave për studentët nga ana e komunës.

Pikërisht rasti i bursave dhe publikimi i emrave të përfituesve nga Ajnishahe Halimi ishte edhe arsyeja që komuna e Skenderajt ia kishte ndaluar asaj qasjen në dokumente publike me arsyetimin se “po i keqperdor dhe po i publikon në media”.

Diskutim tjetër ishte edhe çështja e ujësjellësit në fshatin Polac.

Këshilltari i AAK-së, Qazim Xani e akuzoi komunën se nuk e ka kryer punën dhe se ky ujësjellës ka nisur të dëmtohet ende pa u përuruar.

Debati për t’i qartësuar fotografitë disa fotografi të ardhura në KALLXO.com për gjendjen e këtij projekti të papërfunduar mori shumë kohë dhe shkaktoi polemika në emision.

“Në kohën e dimërit nuk ka manaferra me ngjyrë të gjelbër”, tha Shahin Tahiri, asamblist i PDK-së, në përpjekje për t’i sfiduar fotografitë që tregonin gjendjen e ujësjellësit.

Por ai nuk ishte në gjendje të vërtetonte nëse ujësjellësi, i cili sipas planit, ka qenë dashur të përfundojë tashmë, është i kryer

“Nuk e di se a ka ujë pasi që nuk jetoj në atë fshat, unë nuk po flas as për fotografitë tjera po vetëm për fotografinë me manaferra”, shtoi Tahiri.

Pas debatit, Jeta në Kosovë ka shkuar edhe një herë në fshatin Polac dhe ka vërtetuar se në vendin kontestues ka pasur rrënjë të manaferrave edhe në muajt e dimrit dhe se gjendja e ujësjellësit është jo e mirë.

Edhe Asamblisti i AAK-së Qazim Xani e vërtetoi gjendjen e këtij projekti të lënë në gjysmë.

“Po e shihni se gjendja është edhe më e keqe se që është prezantuar në fotografi gjatë debatit”, tha Xani.

polac1 polac2