Zubin Potok. Foto: Valon Fana/KALLXO.com

“Referendumi” në veri, dita e përcaktimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave. Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës do të votojnë sot, më 21.04.2024, nëse duan ose jo t’i shkarkojnë kryetarët e tanishëm të nacionalitetit shqiptar.

Caktimi i kësaj date është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) qysh më 08.03.2024.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

KQZ përmes një njoftimi më 11.04.2024 ka shpjeguar se në votues të rinj “përfshihen të gjithë personat që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo personat që më herët nuk kanë qenë në listën e kaluar votuese”.

Në fillim të këtij viti, qytetarët e këtyre katër komunave kanë nënshkruar peticione për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, peticionin për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit e kanë nënshkruar 2 mijë e 905 qytetarë; 1 mijë e 380 qytetarë e kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit në Zubin Potok; 1 mijë e 1714 e kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit në Zveçan dhe 3 mijë e 653 qytetarë kanë hedhur nënshkrimet në peticionin për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut.

Këto nënshkrime, sipas KQZ-së, përbëjnë nga 20 për qind të popullsisë me të drejtë vote në secilën komunë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.

Ndërkohë, përfaqësuesit lokal të partive politike të udhëhequra nga shqiptarët kanë thënë për Kalxo.com se e kanë lënë në vullnetin e qytetarëve që të vendosin nëse duan ose jo të dalin në votime, ndonëse kanë thënë se presin që ky proces do të dështojë.

Thirrje qytetarëve serbë për të votuar u ka bërë edhe Bashkimi Europian, duke e parë këtë proces si hapje të një mundësie që në komunat veriore të Kosovës të organizohen zgjedhjet e reja. Krahas kësaj, BE-ja ka përsëritur thirrjen që Lista Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në këtë proces.

Edhe shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Listës Serbe që ta shfrytëzojnë mundësinë e votimit, duke thënë se bojkotimi nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Ku do të votohet?

33 drejtorë të shkollave në këto katër komuna kanë refuzuar ofrimin e objekteve për mbajtjen e këtij votimi, ndonëse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë i obligon ato që t’i ofrojnë mbështetjen e nevojshme për sigurimin e hapësirave ku mbahet votimi.

Neni 68, paragrafi 5 i këtij ligji thotë se “komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetjen e nevojshme KKZ-ve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve, si dhe hapësira për adaptimin e qendrave komunale të numërimit.”

Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur më 17.04.2024, u bë e ditur se vetëm 10 shkolla janë të qasshme si qendra të votimeve.

Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas Kryesuesit të Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj kanë qenë se më 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.

Në këtë mbledhje është kërkuar që zyrtarët që kanë shkelur ligjin duke bërë këtë refuzim, të ndiqen penalisht.

I kontaktuar nga KALLXO.com, më 18.04.2024, Ahmetaj ka pohuar se kanë gjetur zgjidhjet alternative dhe po punojnë në përgatitjen e raportit që do të miratohet nga KQZ.

Së fundmi KQZ ka publikuar listën e qendrave të votimit, në bazë të së cilës në Leposaviq do të jenë 8 qendra të votimit, ndërsa në Zubin Potok, Zveçan dhe Miyrovicë të Veriut do të jenë nga 5 qendra të votimit.

Edhe në zgjedhjet e prillit të kaluar, hapja e qendrave të votimit në disa shkolla u bë e pamundur, për shkak të kontrollimit nga strukturat që punonin sipas sistemit të Serbisë e që i kundërshtonin zgjedhjet.

Votimet u mbajtën përveçse në disa shkolla edhe në kontejnerë, si vendvotime alternative. Gjithsej ishin 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 kanë qenë kontejnerë.

Në të kaluarën, në këtë zonë janë hapur 44 qendra votimi, sipas KQZ-së.

Procesi do të jetë nën vëzhgimin e kamerave

Procesi i votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri do të monitorohet edhe nga kamerat, me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit.

Vendosja e kamerave është paraparë të bëhet në atë mënyrë që të sigurojë plotësisht fshehtësinë e votës. Kështu thotë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke shpjeguar se kamerat do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojnë shënjimin e preferencës së votuesit.

Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme. Shkatërrimi i materialit zgjedhor planifikohet të bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, gjithnjë sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

KQZ ka sqaruar se nuk do t’i monitorojë këto kamera në ditën e votimit, por regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasiv. Në videoregjistrime mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera.

KQZ ka thënë se vendosja e kamerave është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit.

“Këto dhe rregulloret tjera zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Kjo pasi që në proceset zgjedhore nga 2009 deri në 2021 janë evidentuar parregullsi, të cilat sipas KQZ-së kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje.

“Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor”, ka bërë të ditur KQZ.

Ndërkombëtarët mirëpritën caktimin e datës për votim

Caktimi i datës për votimin në veri është mirëpritur nga faktorë ndërkombëtarë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vlerësuar vendimin dhe ka shprehur gatishmërinë e BE-së për të ofruar mbështetje përgjatë këtij procesi.

“E vlerësoj vendimin e KQZ-së, që përmes procesit të verifikimit të nënshkrimeve u caktua votimi për shkarkimin e kryetarëve. Tashmë është thelbësore që KQZ të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm. BE-ja është e gatshme që të ofrojë mbështetjen përgjatë këtij procesi”- kishte shkruar ambasadori në platformën X.

Duke shpërndarë deklaratën e Szunyog, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon kishte thënë se ky vendim i KQZ-së do të hapte rrugë për shtensionimin e mëtejshëm të situatës në veri.

“Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike në mënyrë që të kenë zgjedhje të lira dhe të drejta në veri” – kishte shkruar ajo.

Deri më tani KQZ ka akredituar 159 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë media, organizata joqeveritare vendore dhe përfaqësi diplomatike në Kosovë.

Ata do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Grupi i parë prej 18vëzhguesve, u akreditua në mbledhjen e datës 09.04.2024. Grupi i dytë prej 112 vëzhguesve, u akreditua në mbledhjen e datës 13.04.2024 dhe grupi i fundit me 29 vëzhgues u akreditua në mbledhjen e mbajtur më 17.04.2024.

Në njërën nga mbledhjet e fundit, KQZ ka shtyrë afatin për aplikim për akreditim deri më 17.04.2024 në orën 18. Ky afat ishte mbyllur më 15.04.2024, por ky vendim u mor pasi katër media dhe institucione diplomatike kanë aplikuar për vëzhgimin e votimit pas përfundimit të afatit.

Lista Serbe refuzon pjesëmarrjen

Lista Serbe – si partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë votim.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë” – ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, më 07.04.2024 në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Elek tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për këtë votim; se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Edhe pse tha se për dy muaj në të gjitha komunat numri i votuesve është rritur në mënyrë disproporcionale, për 433 për qind, ai nuk dha asnjë dëshmi për këto pretendime.

Por këto pretendime i ka hedhur poshtë KQZ-ja. Në njoftimin e 11 prillit, KQZ ka thënë se krijimi i Listës Votuese është bërë duke ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore dhe se rritja e numrit të votuesve është rritje e natyrshme, siç ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin.

“Gjithashtu, edhe për çështjen e ngritur në opinion se numri i votuesve në këto komuna është më i madh se numri i banorëve rezidentë, KQZ sqaron se Lista Votuese nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit” – ka thënë KQZ.

Anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore prej Listës Serbe janë dorëhequr në katër komunat veriore, ndërsa anëtari i Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është dorëhequr në Mitrovicë të Veriut.

Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor ka kërkuar më 09.04.2024 prej këtyre dy subjekteve politike, që t’i zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr.

Afati për nominimin e emrave të rinj për këto zëvendësime ka qenë deri më 11 prill, në orën 16:00.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre dy subjekteve politike nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së KQZ-së.

Pse kërkohet shkarkimi i kryetarëve?

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi kanë shkuar në zgjedhje më 23.04.2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e vogël si pasojë e bojkotit nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.

Këto zgjedhje rezultuan me fitoren e katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat të banuara me shumicë serbe.

Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje u bë kryetar i Leposaviqit me 73.5 për qind të votave të fituara, përkatësisht me 100 vota. Erden Atiq po ashtu nga e njëjta parti mori udhëheqjen e Mitrovicës së Veriut, me 66.9 për qind të votave, me gjithsej 553 vota .

Ndërkaq, në Zveçan dhe në Zubin Potok fituan Ilir Peci me 59 për qind të votave, përkatësisht me 114 vota, dhe Izmir Zeqiri me 52.2 për qind të votave apo me 197 vota gjithsej. Të dy këta kryetarë janë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale më 26.05.2023, përkundër rezistencës së banorëve lokalë, pati shkaktuar tensione në këtë zonë.

Ditët në vazhdim u përshkuan me protesta të dhunshme, hedhje gurësh, shok-bomba e gaz lotsjellës. Më 29 maj, nga përplasja me protestuesit mbetën të lënduar dhe të plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it. Po ashtu, u raportua edhe për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.

Bashkimi Europian më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në Veri, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Qytetarët serbë të cilët nuk i pranuan rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pavarësisht hapave të ndërmarrë për normalizim të gjendjes në veri, BE vazhdon t’i mbajë në fuqi masat kufizuese ndaj Kosovës.