Raporte Me Gabime për Kontratat

Edhe pse kishte caktuar 15 janarin e këtij viti si afat të fundit për autoritetet kontraktuese që të dorëzojnë raportet vjetore për kontratat, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) shtyu këtë afat edhe për dy javë të tjera.

Tash me afatin e ri autoritetet kontraktuese kanë kohë t’i dorëzojnë raportet për kontratat deri më 29 janar.

Zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thonë për KALLXO.com se kanë shtyrë afatin për arsye se raportet e dorëzuara përmbajnë gabime.

“Në disa prej tyre ka pasur gabime në plotësim të formularit standard të këtij raporti për shënimet e kërkuara. Disa prej tyre nga KRPP-ja u  janë kthy për t’i përmirësuar gabimet që kanë bërë gjatë plotësimit, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja që Bordi I KRPP-së ka marrë vendim që ky afat i dorëzimit të këtyre raporteve i cili ka qenë deri më 15 janar 2016 të vazhdohet deri më 29.01.2016,” thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Komisioni i Prokurimit thotë se “Raportet për kontratat e nënshkruara deri më 15 janar 2015 i kanë dorëzuar gati të gjitha autoritetet kontraktuese”.

Autoritete kontraktuese konsiderohen institucionet lokale e qendrore, por edhe organe tjera e asociacione nën ndikimin dominant publik.

KRPP-ja thotë se do të aplikojë ndëshkime nëse autoritetet kontraktuese nuk respektojnë 29 janarin si datë të fundit për dorëzimin e raporteve.

“AK-të të cilat nuk e dorëzojnë raportin deri në këtë afat, do të thotë deri më 29.01.2016 , KRPP-ja do të ndërmarrë masa ligjore ndaj tyre,” njofton KRPP-ja.

Bordi i KRPP-së më 23 tetor 2015 mori vendim për ndryshim-plotësimin e formularit për raportin e kontratave të nënshkruara, ndërsa hyrja në fuqi e këtij vendimi ishte më 16 nëntor.

KALLXO.com edhe më 15 janar ishte interesuar për dorëzimin e këtyre kontratave, por para tri ditësh Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nuk e dinte se sa autoritete kishin bërë këtë dorëzim, pasi ende po vazhdonte mbledhja e dokumenteve.

http://kallxo.com/nuk-dihet-sa-autoritete-kane-dorezuar-raportin-per-kontratat/