Sejdi Hoxha - Foto: KALLXO.com

Posta Akuzon MPMS-në për Diskriminim në Tender

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka akuzuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale se me vendosjen e kritereve të reja e ka përjashtuar Postën nga tenderi për shpërndarjen e skemave sociale.

Hoxha tha se Postës i është kërkuar  ta dokumentojë nga Banka Qendrore se ka licencë për ta kryer një shërbim të tillë, që nga Thesari i Shtetit të marrë një mendim se a mund të derdhen mjetet në llogari të Postës, dhe kushti i tretë sipas tij ka qenë që të konsultohet Komisioni Rregullativ për prokurim publik.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale shpall tender publik më 15 dhjetor të vitit 2015 për me i shpërnda skemat sociale dhe fatkeqësisht në kushtet tenderuese përjashtohet Posta e Kosovës, u jepet të drejtë të konkurrojnë vetëm bankat që janë në Kosovë e jo Posta. Në këtë rast kemi ftuar konferencë për shtyp dhe e kemi shpreh mllefin tonë që kjo punë është bërë duke e përjashtuar Postën. Kemi parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit për diskriminim, për kriterin diskriminues i cili u ka dhënë hapësirë vetëm bankave dhe pas shqyrtimit nga paneli shqyrtues i prokurimit ka nxjerrë vendim që e ka aprovu kërkesën e Postës dhe i ka anulu proceset tenderuese”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhajt, me marrëveshjen aktuale banka i ndalë një euro e gjysmë për transaksion, ndërsa Posta kishte ofruar një çmim prej një euro e 30 centë. Këto akuza drejtori i Postës i bëri në një takim të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Ndërsa, pak minuta më vonë në takim erdhi ministri Arban Abrashi.

Lidhur me çështjen e ngritur nga drejtori i Postës, i cili ndërkohë e lëshoi takimin, ministri tha se nuk ka qenë e mundur të hyhet në marrëveshja pa u sqaruar disa dilema.

Madje, ministri u ankua se ka pasur edhe shantazhe.

“Ajo që ka ndodhë nëpër media dhe sulmet qoftë edhe ndaj meje personalisht nuk përkojnë me zyrtarët që duhet me qenë në institucione publike, me më shantazhu mu, më dërgu njerëz se duhet të kryhet kjo punë se jemi institucione publike. Me të vërtetë që jemi institucione publike po kemi një ligj në bazë të cilit duhet të veprojmë”, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Abrashi tha se grupet punuese po punojnë në këtë drejtim dhe duhet të pritet për konkluzionin dhe rekomandimet e tyre nëse ata rekomandojnë që Ministria duhet ta marrë këtë vendim do e bëjë, por nuk do i shtyjë këto procese.

Javën e kaluar Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale u pajtua parimisht me propozimin e deputetit Fikrim Damka që skema sociale të shpërndahet nga Posta e jo nga bankat.

http://kallxo.com/posta-e-mire-se-bankat-per-shperndarjen-e-socialit/