Mbledhja e Qeverisë së Kosovës 24.01.2024, Foto: Egzon Dahsyla/ KALLXO.com

Qeveria i rekomandon Kuvendit dy emra për një pozitë në bordin e OSHP-së

Qeveria e Kosovës ka votuar emrat e dy kandidatëve për anëtarë të bordit të OSHP-së.

“Emrat e propozuar për një pozitë në bordin e OSHP-së janë: Bahtisha Ibrahimi dhe Meriton Zika” – tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë pas votimit.

Këto propozime do t’i shkojnë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është duke punuar me tre anëtarë të bordit. Kjo për shkak se gjatë vitit 2023 një anëtar i bordit dha dorëheqje dhe një tjetër u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës.

Në nëntor të vitit 2023, Agon Ramadani dha dorëheqje nga pozita e tij si anëtar i bordit.

Ramadani, dorëheqjen nga “Gjykata e Tenderëve” e ka arsyetuar me punën e tij profesionale dhe ambiciet e tij.

Kuvendi i Kosovës, më 13 korrik 2023, me 58 vota për kishte shkarkuar anëtaren e bordit të OSHP-së, Kimete Gashin.

Në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Qeveria nuk kishte dhënë një arsyetim konkret për kërkesën për shkarkimin vetëm të saj, edhe pse në panelin shqyrtues në të cilin ishte marrë vendimi për kthimin në rivlerësim të tenderit për insulina, kanë qenë edhe dy anëtarë të tjerë të bordit të OSHP-së.

OSHP-ja ishte pa bord për më shumë një vit, kur u funksionalizua tek më 23 qershor 2022. Në bordin e OSHP-së u patën zgjedhur Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.

Përveç tyre, në bordin e OSHP-së u patën emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi. Vjosa Mexhuani Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së. Mexhuani ishte kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.

Jep dorëheqje anëtari i bordit të OShP-së

Kuvendi shkarkon Kimete Gashin nga bordi i OSHP-së