iPad - Foto: Wikimedia.org

KPMM Blen iPad 950 Eurosh

Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM) ka shpenzuar 950 euro për një iPad.

Ky iPad superluksoz do t’i jepet në shfrytëzim një anëtari të bordit të drejtorëve të KPMM-së.

Në faqen zyrtare të Komisionit për Prokurim Publik (KRPP), Komisioni i Minierave ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Furnizim me iPad”.

Aty thuhet se iPad është blerë sipas procedurës së vlerës minimale, pra pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në këtë tender, KPMM-ja e ka konsultuar vetëm kompaninë “Molla KS”, e cila është përfaqësuese e prodhimeve “Apple”. Vlera e iPad-it të blerë nga kjo kompani është 950 euro.

Kjo është konfirmuar edhe nga Zyra e Prokurimit e kontaktuar nga KALLXO.com.

“Zyra e Prokurimit me datën: 25.11.2016 ka nënshkruar kontrate për furnizim me IPAD pas përfundimit të procedurës së prokurimit (nr: 318 16 020 147), sasia e furnizimit është e parashikuar 1 IPAD. Jemi në faza e liferimit të pajisjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KPMM nuk ka treguar se cili nga anëtarët e bordit do të shfrytëzojë këtë iPad.

“Lidhur me procedurën e prokurimit “Furnizim me IPAD” personi zyrtar që parashikohet të pajiset me IPAD është anëtar i bordit të KPMM-së”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Ky institucion e ka blerë një iPad edhe në muajin shkurt. Atë është duke e shfrytëzuar kryeinspektori i KPMM-së.

“Zyra e prokurimit me datën: 11.02.2016 ka nënshkruar kontrate për furnizim me IPAD pas përfundimit të procedurës se prokurimit (nr: 318 16 001 147), sasia e furnizimit ka qene 1 IPAD”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së. “Personi zyrtar që është pajisur me IPAD është Kryeinspektori i Inspektoratit të Minierave dhe Mineraleve”, thuhet po ashtu në përgjigje.

Sipas KPMM-së, iPad-i i blerë në muajin shkurt KPMM-së i kushtoi 915 Euro.

KALLXO.com ka raportuar edhe për raste të tjera kur institucionet kanë shpenzuar para për t’i furnizuar zyrtarët e tyre me pajisje të shtrenjta të teknologjisë informative.

Rasti i fundit për të cilën kemi raportuar është blerja e një telefoni “Samsung S6” nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për zëvendësministrin Gjergj Dedaj.

http://kallxo.com/ministria-i-blen-samsung-s6-gjergj-dedajt/