Ilustrim - Dhurata për fëmijë për festat e fundvitit - Foto: Facebook

AKI Blen Dhurata për Fëmijë

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kishte ndarë 7,000 mijë euro për tenderin për blerje të dhuratave për fëmijë. Në interesimin e KALLXO.com për numrin dhe të kujt janë fëmijët që do t’u gëzohen këtyre dhuratave, AKI nuk ka kthyer përgjigje.

Njoftimin për dhënie të kontratës me titullin “Furnizim me dhurata për fëmijë”, AKI e ka publikuar më 6 dhjetor 2016 në web-faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRrPP).

Tenderin e ka fituar kompania “Beni Dona Plast” nga Prishtina, e cila ka ofruar çmim më të ulët se tri kompani të tjera konkurruese.

Për realizimin e kontratës kjo kompani ka ofruar një çmim prej 6,896 euro. Pra, 104 më pak nga ajo që kishte ofruar Agjencia për Inteligjencë.

Ligji i ri i prokurimit publik i obligon të gjitha institucionet se pavarësisht që kontrata është e vogël me procedura të kuotimit nën 10 mijë euro duhet të publikohet në njoftimin për kontratë me specifikime teknike, ku përshkruhet edhe sasia e mallit dhe të tjera.

Ndërsa, në këtë rast, AKI nuk e ka publikuar në njoftimin për kontratë tenderin e dhuratave, sepse mungojnë të dhënat se sa dhurata do të blihen për ta gjetur sa ka qenë çmimi për një dhuratë.

KALLXO.com ka publikuar disa raporte për shpenzimet e institucioneve të ndryshme për gjëra luksoze, dhurata apo se kanë paguar me çmime shumë më të larta në krahasim me ato të tregut gjëra të ndryshme.

Raporti më i fundit është blerja nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale orë dore për anëtarët e bordit të drejtorëve që përfundojnë mandatin pesëvjeçar. Për një orë të tillë, institucioni ka paguar 90 euro.

http://kallxo.com/445-euro-per-ore-dore/

Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar se si Ministria e Integrimit Evropian ka paguar 17.5 euro për një çadër.

http://kallxo.com/ministria-paguan-17-5-euro-per-nje-cader/

Ndërsa Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale ka shpenzuar 1,865 euro për blerjen e dy iPad-ëve, njërin prej të cilëve do ta shfrytëzojë një anëtar i bordit të KPMM-së dhe tjetrin kryeinspektori i këtij institucioni.

http://kallxo.com/kpmm-blen-ipad-950-eurosh/

Kurse, Ministria e Administrimit të Pushtet Lokal i ka blerë zëvendësministrit Gjergj Dedaj telefon “Samsung S6” në vlerë 630 euro.

http://kallxo.com/ministria-i-blen-samsung-s6-gjergj-dedajt/

KALLXO.com ka raportuar se si Komuna e Klinës për renovimin e veturës së kryetarit Sokol Bashota do të paguajë së paku 10,000 euro.

http://kallxo.com/10-mije-eurot-qe-rregulluan-range-rover-e-bashotes/

Përderisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shpenzuar 9,500 euro për blerjen e 15 iPhone-ve për stafin e komunës.

http://kallxo.com/mitrovica-e-veriut-shpenzon-9500-euro-per-iphone/