Ilustrim, Foto nga KALLXO.com

Komuna e Kllokotit Anulon Diskriminimin Gjuhësor

Komuna e Kllokotit ka anuluar thirrjen për një tender, pasi që u evidentua se dokumentacioni i publikuar paraqiste diskriminim në baza etnike, i cili automatikisht sillte diskriminim mes konkurrentëve në garë.

Problemi lidhej me dokumentacionin në dispozicion të kompanive të mundshme për ndërtimin e një qendre kulturore, informacion ky që ishte publikuar vetëm në gjuhën serbe, duke diskriminuar automatikisht kompanitë shqiptare.

Gjithashtu, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), e cila pikasi këtë mangësi, vuri re edhe mungesën e dokumentacionit në gjuhën angleze, çka në vetvete mund të konsiderohej edhe si diskriminim ndaj kompanive të tjera, të cilat nuk janë as shqiptare e as serbe.

Faza e dytë e ndërtimit të qendrës kulturore në Komunën e Kllokotit, projekt ky në bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), rezultoi në shkelje të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik në fuqi.

Sipas gjetjeve të AKK-së, për këtë aktivitet të prokurimit, komuna kishte përdorur kritere diskriminuese duke mos përkthyer dokumentacionin e këtij tenderi edhe në gjuhën shqipe.

Komuna e Kllokotit ka publikuar njoftimin për kontratë, për tenderin “Ndërtimi i qendrës kulturore në Kllokot – Faza II”, më 5 maj të këtij viti.

Rrugës në hyrje të Kllokotit | Foto nga KALLXO.com
Rrugës në hyrje të Kllokotit | Foto nga KALLXO.com

Pas një jave nga publikimi i thirrjes për kontratë, përkatësisht me 12 maj 2016, AKK-ja nxori vendim për fillimin e procedurës për trajtimin e këtij rasti dhe një ditë më vonë, ka paraqitur kërkesën pranë autoritetit kontraktues Komuna e Kllokotit, për të kërkuar gjithë dokumentacionin për këtë aktivitet të prokurimit.

Agjencia Kundër Korrupsionit kërkoi edhe dokumente shtesë, si paramasa, parallogara dhe projekti ekzekutiv, për të cilat komuna i tha se nuk ishin të përkthyera në gjuhën shqipe.

AKK e konsideroi si diskriminim dhe pabarazi mes operatorëve ekonomikë mos-përkthimin e dokumentacionit, si dhe në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik.

Gjatë ekzaminimit të dokumentacionit, AKK ka hasur edhe shkelje të tjera në përcaktimin e kritereve për kapacitetet ekonomike financiare dhe kritere teknike profesionale.

Në opinionin e saj më 20 maj, AKK i rekomandon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit dhe të shmangë praktika të tilla edhe në të ardhmen [kliko këtu për dokumentin].

“Konsiderojmë se shkelje te tilla nuk duhen lejuar në procedura të prokurimit”

“Konsiderojmë se shkelje te tilla nuk duhen lejuar në procedura të prokurimit, andaj Agjencia Kundër Korrupsionit rekomandon anulimin e kësaj procedure të prokurimit dhe kërkon nga

autoriteti kontraktues që t’i shmangë praktikat e tilla në të ardhmen”, thuhet në opinion e AKK-së.

Në anën tjetër, Komuna e Kllokotit, iu bind opinionit të AKK-së duke pranuar ta anulojë tenderin [kliko këtu për dokumentet e anulimit të tenderit në të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht].

“Ne plotësisht e pranojmë opinionin e AKK-së dhe kemi në plan të bëjmë korrigjimet e nevojshme në këtë rast si dhe në të ardhmen të rishpallim përsëri këtë projekt”, komuna arsyeton anulimin e tenderit në njoftimin e publikuar në KRPP.

Drejtori i Administratës dhe Shërbimeve Publike në këtë komunë, Hidajet Ahmeti, tha për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se Zyra e Komisionerit për Gjuhë pranë Zyrës së Kryeministrit është kompetente “për të dhënë rekomandim në rast të mosrespektimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve” jo vetëm për tender por çdo dokument që lëshohet.

Sipas Ahmetit, duhet të kishte ardhur rekomandim nga ky institucion e jo nga AKK-ja.

“Opinioni i AKK-së është plotësisht i bazuar dhe komuna ka bërë gjënë e duhur duke e zbatuar”

Por, Komisionin Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) tha për Gazetën JNK se opinioni i AKK-së është plotësisht i bazuar dhe se komuna ka bërë gjënë e duhur duke e zbatuar atë opinion.

KRPP-ja thotë se sipas Ligjit të Prokurimit Publik, autoriteti kontraktues duhet t’i përgatisë në gjuhën shqipe dhe serbe të gjitha dokumentet për tender, pavarësisht vlerave financiare të përfshira apo fazës së prokurimit.

“Sipas Nenit 13 të Ligjit për Prokurimi Publik, përdorimi i gjuhëve në dokumentet e prokurimit publik… autoriteti do t’i përgatisë të gjitha dosjet e tenderëve dhe njoftimeve, ftesave dhe dokumenteve tjera që janë publikuar ose janë dhënë operatorëve ekonomikë… në gjuhën shqipe dhe serbe”, vlerëson KRPP-ja.

KRPP më tej shton se autoritet kontraktuese munden gjithashtu të përgatisin dokumente të tilla edhe në gjuhën angleze kur bëhet fjalë për shuma financiare të vogla apo të mesme.

Por, për kontrata me vlerë të madhe ose konkursit të projektimit, KRPP-ja thotë se dokumentacioni i tenderit, njoftimet, ftesat dhe dokumentet e tjera të publikuara domosdo duhet të jenë në të tre gjuhët, në atë shqipe, serbe dhe atë angleze.

Për dallim nga Komuna e Kllokotit, Komuna e Zveçanit ka bërë shkelje të dispozitave të ligjit të prokurimit publik gjatë vitit 2015, ku kishte përcaktuar kritere diskriminuese në baza territoriale.

Diçka e tillë kishte shkaktuar reagimin e AKK-së, dhe ishte gjykuar se binte ndesh me ligjin e prokurimit publik edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, por ky autoritet kontraktues nuk e kishte anuluar fare.

Tenderët Politikë që Konfirmojnë Ndarjen e Kosovës

Kjo komunë vazhdoi edhe më tej me diskriminim ndaj operatorëve ekonomikë, duke mos marrë për bazë vërejtjet nga anti-korrupsioni.

Por kësaj here, këtë kriter diskriminues komuna e Zveçanit kishte përcaktuar vetëm në njoftimin në gjuhën shqipe dhe jo atë serbe. Ky veprim ishte cilësuar se bie ndesh me dispozitat e ligjit të prokurimit publik dhe paraqet diskriminim të dyfishtë.