Dyshimet në Tenderin e Shtrenjtë që Solli Targat Provuese

Ministria e Punëve të Brendshme e ka rekomanduar për kontratë kompaninë më të shtrenjtë në tenderin për furnizim me targa. Për kontratë është rekomanduar operatori “GSG & KIG & KIG KGA”, të cilët kanë ofertuar 1 milionë e 447 mijë euro për furnizimin targa për 36 muaj. Kompanitë që kishin ofertuar çmime më të lirë janë eliminuar nga gara si të papërgjegjshme. Diferenca në mes të kompanisë me të cilën MPB-ja synon të lidh kontratë dhe ofertës më të lirë të dorëzuar është rreth 550 mijë euro.

Tri kompani janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, të cilat pretendojnë se Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë shkelje ligjore duke i eliminuar padrejtësisht nga gara për këtë kontratë. Ankesa në OSHP ka paraqitur operatori NSHP “G3 Inxhininering & Rade Koncar”, të cilët kanë pasur një ofertë prej 1 milionë e 99 mijë euro. “Malsija & I.D.K Konstruksion” kishte një ofertë 1 milionë e 50 mijë euro. Ndërsa oferta më e lirë ka qenë ajo e operatori “Sinjal RKS Sh.p.k & EHA Hofman Interrnational Gmbh”, të cilët kanë ofertuar me 895 mijë euro. Kontrata është paraparë të nënshkruhet për një periudhë prej 36 muajsh brenda së cilës Ministria e Punëve të Brendshme do të furnizohet me 226 mijë e 752 palë/copë targa.

Kompanitë thonë se ekspertin shqyrtues ka bërë vepër penale

Operatorët ankues pretendojnë se janë eliminuar padrejtësisht nga gara, ndërkohë që e akuzojnë MPB-në se e ka rekomanduar për kontratë një kompani të papërgjegjshme.

Dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik ku flitet për kalkulimet kohore, barazinë në trajtim dhe jo-diskriminim, përshtatshmëria teknike dhe profesionale, ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, kriteret për dhënie të kontratës, janë disa prej dispozitave ligjore që pretendohet se janë shkelur nga MPB-ja, sipas operatorëve ekonomik ankues.

Përkundër shumë pretendimeve të bëra nga kompanitë, eksperti shqyrtues i angazhuar nga OSHP, Visar Basha, ka konstatuar se MPB nuk ka bërë shkelje ligjore dhe se eliminimi i operatorëve ka qenë i drejtë. Ai i ka rekomanduar panelit shqyrtues të OSHP-së që t’i refuzojë ankesat e operatorëve dhe të vërtetojë vendimin e MPB-së për dhënien e kontratës operatorit që ka ofertuar 1 milionë e 447 milionë euro.

Kompanitë e ankuara e kanë refuzuar ekspertizën e bërë nga eksperti shqyrtues. Përveç panelit shqyrtues pesë-anëtarësh dhe përfaqësuesve të kompanive, në seancën e mbajtur në OSHP për shqyrtimin kryesor ka marrë pjesë një vëzhguese e deleguar nga Ambasada Gjermane.

Përfaqësuesit e kompanive përveç pretendimit se MPB-ja ka bërë shkelje ligjore e kanë akuzuar edhe ekspertin shqyrtues.

Avokati Taulant Hodaj, përfaqësues i autorizuar i kompanisë “Sinjal RKS Sh.p.k & EHA Hofman International Gmbh” ka thënë se për Gazetën “Jeta në Kosovë” raporti i ekspertizës është marrë me vonesë në kundërshtim me afatet ligjore.

Përveç kësaj, Hodaj pretendon se eksperti shqyrtues ka bërë vepër penal duke mos i shqyrtuar pretendimet e operatorit ankues.

“Ky raport nuk i shqyrton fare vërejtjet tona në lidhje me parregullsitë që ne i kemi gjetur në ofertën e Operatorit Ekonomik Fitues. Ky raport po ashtu nuk merret fare me arsyen e vendimit të AK-MPB-së që ka marrë vendim refuzues ndaj neve”, ka thënë Hodaj.

Sipas tij, eksperti është i obliguar të japë përgjigje në secilin pretendim të një operatori ankues.

“Ne seancën në OSHP e kam cekur se sipas Ligjit të Prokurimit Publik-së neni 113 dhe 114 Eksperti ka për detyrë t’i shqyrtojë të gjitha pretendimet ankimore të ankueseve, gjë të cilën nuk e ka bërë dhe ia kam tërheqë vërejtjen se mos shqyrtimi i pretendimeve ankimore paraqet vepër penale të: shpërdorim i detyrës zyrtare dhe mashtrim sipas Kodit Penal te Kosovës,” sqaron avokati Hodaj.

Ai thotë se eksperti shqyrtues nuk i ka shqyrtuar asnjë prej pretendimeve kundër operatorit fitues, që ata pretendojnë se është i papërgjegjshëm.

Eksperti Shqyrtues, Visar Basha, i është përgjigjur akuzave të operatorëve ekonomikë për mos-shqyrtim të pretendimeve të tyre.

“Dua të sqaroj lidhur me deklaratat e Operatorëve Ekonomikë për mos dhënien të përgjigjes nga ana ime për disa pretendime ankimore. I sqaroj panelit se sipas nenin 4.1.26 dhe nenit 111.1, OE-të në rastin e parashtrimit të ankesave pranë OSHP-së duhet të dëshmojnë interes juridik dhe material në këtë aktivitet të prokurimit… tre operatorët ekonomikë me deklaratat që dhanë pranojnë se nuk i kanë dëshmitë sipas kërkesave të dosjes”, citohet Basha në procesverbalin e OSHP-së.

Fjala “Ekuivalent” eliminon ofertat gjysmë milioni më të lira

Konsorciumi “Sinjal RKS Sh.p.k & EHA Hofman Interrnational Gmbh” është për gjysmë milionë euro më e lirë se kompania fituese.

Avokati Hodaj në seancën e mbajtur në OSHP, bazuar në procesverbalin e seancës të cilën e ka siguruar Gazeta JnK, ka paraqitur edhe disa prova që sipas tij e dëshmojnë që konsorciumi “Sinjal RKS Sh.p.k & EHA Hofman Interrnational Gmbh” është të përgjegjshëm.

Ai e ka akuzuar MPB-në se i ka vënë në lajthitje operatorët kur ka deklaruar se certifikata e cilësisë ISO dhe DIN janë ekuivalente. Sipas tij, sqarimi i bërë nga MPB se certifikatat janë ekuivalente ka bërë që konsorciumi të dorëzojë vetëm njërën nga certifikatat. E më vonë MPB-ja e ka eliminuar këtë kompani edhe për mos-dorëzimin e dy certifikatave.

“Eksperti është dashtë të japë përgjigje se çka do të thotë ekuivalente, dhe nëse ISO dhe DIN janë ekuivalent…Operatori që përfaqësojë ka pasur certifikatën DIN, mirëpo bazuar në përgjigjen e MPB-së nuk kemi ofruar edhe certifikatën DIN, mirëpo të njëjtën e kemi dhe ia ofrojmë panelit në shikim”, citohet Hodaj në procesverbalin mbi shqyrtimin kryesor.

Por, eksperti shqyrtues Visar Basha, në seancë, ka shpjeguar se MPB-ja ka kërkuar këto dy certifikata (DIN dhe ISO) apo ekuivalente me to, por jo vetëm njërën nga këto certifikata.

Kompania “G3 Inxhinering” mohon vlerësimin e komisionit se kompania e tyre nuk i kanë certifikatat 7591/1982, të kërkuara në dosjen e tenderit.

“Komisioni ka thënë se ne nuk kemi certifikata 7591/1982, kjo nuk qëndron. Ne i kemi të gjitha të argumentuara. Certifikata 7591/1982 nuk lëshohet për mostra, por e njëjta lëshohet për prodhim”, citohet në procesverbal Shaban Hoti, përfaqësues i “G3 Inxhinering”.

Hoti thotë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar mostër po komplet targën origjinale, pa e ditur se ku e ka marrë folinë. Kjo sipas tij është shkelje, sepse operatorët ekonomikë nuk guxojnë të prodhojnë targa origjinale pa pasur autorizimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për prodhim të targës.

Përfaqësuesi i kompanisë “Malsija & I.D.K Konstruksion”, Musa Bajraktari, tha se MPB-ja ka bërë shkelje ligjore kur ka vendosur të mos i shqyrtojë fare ankesën e kompanisë së tij, në shkallën e parë ankimore.

Me ligjin e ri të prokurimit publik, operatorët kanë të drejtë të ankohen në dy shkallë. Fillimisht mund të dorëzojnë një kërkesë për shqyrtim tek Autoriteti Kontraktuese. Nëse marrin përgjigje negative nga AK, operatorët kanë të drejtë t’i drejtohen OSHP-së me ankesë.

Për dallim nga palët ankimore, qëndrim të kundër kishte autoriteti kontraktues MPB, të cilët kërkojnë nga OSHP-ja të lejojë vazhdimin e procedurave, përkatësisht nënshkrimin e kontratës.

Zenel Hisenaj, përfaqësues nga MPB-ja, thotë se kompania OE Sinjal dhe OE “Malësija” kanë dorëzuar ankesën jashtë afatit.

“Vendimi për Operatorin Ekonomik “Sinjal” dhe Operatorin ekonomik “Malësia”, që të dytë ankesën e kanë dorëzuar jashtë afatit të paraparë me nenin 4, ku në vazhdim ceket se afati është 5 ditë”, citohet Hisenaj në procesverbalin e OSHP-së.

Ai ka shpjeguar se MPB-ja ka kërkuar nga operatorët që t’i posedojnë dy certifikata e cilësisë.

“Nëse fillojmë nga kërkesat e AK, kërkesat tona kanë qenë të sjellët një mostër e cila është sipas standardeve DIN dhe ISO, të dyja të bashkangjitura me raport të një laboratori i cili do të dëshmojë për prodhimin e targave dhe karakteristikave të tyre. Po ashtu është kërkuar të posedoj edhe ISO dhe DIN apo ekuivalent me këto të dyja”, citohet të ketë thënë Hisenaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në këtë Ministri për të marrë vesh se çka ka ndodhë më këtë aktivitet të prokurimit, por në përgjigj tyre thuhet se Ministria ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës dhe se ky tender më pas është pezulluar me vendim të  OSHP-së, pasi që janë paraqitur ankesat.

“Autoriteti Kontraktues –MPB, me datën 09 gusht 2016 ka bërë  publikimin e Njoftimit për dhënie te kontratës në  Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, por pas pranimit të ankesave, kemi pranuar vendimin për pezullim nga OSHP. Gjithashtu kemi pranuar edhe raportin te ekspertit shqyrtues-OSHP, kurse tani  jemi ne pritje te vendimit përfundimtar nga Paneli Shqyrtues-OSHP, vendim të cilin shpresojmë që së shpejti do ta pranojmë, të cilin pastaj jemi të obliguar ta zbatojmë.” Thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Gazeta JnK ka gjetur se paneli shqyrtues i OSHP-së ende nuk ka arritur të marrë një vendim rreth këtij tenderi.

Për zvarritjen e këtij tenderi, zëvendësministri i punëve të Brendshme Nehat Mustafa ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Shtetit.