MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.

Shkeljet ligjore, anulohet konkursi për projektin ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës

Organi Shqyrtues i Prokurimit publik ka anuluar konkursin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për projektin ideor për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Sipas OSHP-së aktiviteti i prokurimit për këtë projekt është përcjellur me disa shkelje ligjore.

“Anulohet, ‘Njoftim Mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues’ i datës 11.08.2023, i AK ,Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për aktivitetin e prokurimit me numër; 207-22-11955-4-1-2, dhe anulohet aktiviteti i prokurimit”- thuhet në njoftimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së erdhi pas ankesës së njërës prej kompanive konkuruese. Anulimi i procesit të aktivitet të prokurimit për këtë projekt është bërë pas konstatimit të OSHP-së se tri kompanitë konkuruese kanë zbuluar identitetin e tyre gjatë procesit të vlerësimit të projekteve konkuruese.

“Aprovohet, si pjesërisht e bazuar ankesa e OE “BIG Partners Ltd”, me nr. 2023/0736, e datës 28/09/2023, e paraqitur kundër “Njoftim Mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues “të datës 11.08.2023, AK Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Zhvillimi i dokumentacionit teknik – projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’ në Prishtinë, më numër të prokurimit 207-22- 11955-4-1-2”- thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së.

Paneli shqyrtues, thuhet në vendim konstaton se në ketë aktivitet prokurimi/konkurs projektimi, ka pasur disa shkelje ligjore.

“Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842 ka shkelur nenin 80 të Ligjit për ‘Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës. Po ashtu të njëjtën shkelje kanë bërë edhe dy operatorët tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, përkatësisht Operatori Ekonomik me shifrën 0703 dhe ai me shifrën 2008, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptoj qartë se kujt i përket Projekti Ideor”- thuhet më tej në vendim.

Sipas vendimit, paneli shqyrtues konstaton se zbulimi i identitetit të OE pjesëmarrës në fazën e vlerësimit të projekt propozimeve, ka shkelur nenin 80 paragrafi 2 të Ligjit Prokurimit Publik, si dhe nenet; 55.24, 55.25 të Rregullores për Prokurim Publik nr.01/2022 dhe AK Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në këtë rast nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore të lart cituara të LPP, pasi ka pasur zbulim të identitetit të operatorëve ekonomik pjesëmarrës, gjatë fazës së vlerësimit të ofertave tenderuese në konkursin projektimit.

Anulim të këtij konkursi ishte kërkuar edhe nga ekspertët shqyrtues të OSHP-së.

Kompania  “BIG Partners Ltd” kishte bërë ankesë në OSHP kundër MKRS lidhur përzgjedhjen e projektit ideor fitues për TOBK-së me nr. të prokurimit: “207-22-11955-4-1-2”, nga MKRS. Sipas kësaj kompania, Operatori Ekonomik i vlerësuar me më së shumti pikë ka dorëzuar projektin duke zbuluar identitetin e pjesëmarrësit, që sipas kësaj kompanie bie ndesh me paragrafin 2, të nenit 80, të LPP, respektivisht cenon vendimin e jurisë. “Dorëzimi me emër identifikues në kundërshtim me kërkesat e dosjes se tenderit dhe legjislacionit në fuqi e bën OE të pa përgjegjshëm dhe projekti në fjalë nuk ëhstë dashur të shqyrtohet, respektivisht është dashtë të eliminohet nga konkurrimi”- thuhet në ankesën e kompanisë “BIG Partners Ltd”, nga katër pikat sa janë parashtruar në ankesë.

 Anulimi i këtij konkursi ishte kërkuar edhe nga ekspertët shqyrtues të OSHP-së. Ekspertët shqyrtues të OSHP-së gjatë shqyrtimit të ankesë së OE ankuese kanë gjetur se të tre OE të mbetur në garë (për projektin ideor për ndërtimin e TOBK-së), nuk kanë qëndruar anonim pas kodit të zgjedhur, por që të tre kanë zbuluar identitetin e tyre para jurisë në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, qoftë në pjesën grafike apo tekstuale të projekt propozimeve. Ekspertët konstatuan se si pasojë e kësaj, kredibiliteti i procesit është zbehur dhe se në këtë pikë, nuk mund të ketë vlerësim të paanshëm dhe konfidencial. “Marr parasysh këto fakte dhe shkeljet ligjore të cilat u evidentuan gjatë procesit të vlerësimit, dhe në bazë të nenit 43.5 pika g. të Rregullores së Prokurimit Publik, ekspertët vlerësojnë që ky proces i prokurimit duhet të anulohet”- thuhet në vendimin e ekspertëve shqyrtues.

MKRS nuk ka komentuar vendimin e OSHP-së për anulimin e konkursit. KALLXO.com ka kërkuar një prononcim nga ministria lidhur me këtë vendim, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Tri kompani ishin në garë për këtë projekt: “Gerber Architektekten International GmbH” e vlerësuar me 71 pikë; “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-Architects’ sh.p.k” e vlerësuar me 5.2 dhe “Big Partners LTd” e vlerësuar me 51.4 pikë.

Në tetor të 2022-ës MKRS hapi tenderi për projektin ideor për ndërtimin e e TOBK-së. Ministria planifikoi që ky konkurs të rrumbullakohet me 2.5 milionë euro.

Hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është caktuar si lokacioni për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Vendimi për lokacioni u mor pas themelimit të institucionit të operës nga Kuvendi i Kosovës në 2021-ën.