54 Ankesa Drejt OShP-së pa Bord

Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre dhe në mungesë të kompletimit të bordit të këtij organi deri në emërimin e anëtarëve të rinj nga Kuvendi i Kosovës.

OShP-ja që shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë në lidhje me shkeljet e mundshme gjatë dhënies së tenderëve, prej momentit kur ka mbetur pa bord ka pranuar 54 ankesa të tilla.

Për mungesë kuorumi në bord, nuk janë shqyrtuar ankesat për tenderë mbi 50 mijë euro.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ju njofton se nga data 15 janar 2016, kur OShP është pa Bord, janë parashtruar 54 ankesa. Që nga momenti kur OShP nuk ka kuorum për Bord janë mbajtur vetëm panele shqyrtuese me një (1) anëtar për ankesat me vlerë deri në 50,000.00 euro. Po ashtu janë marrë konkluzione, vendime për tërheqje të ankesës për ankesa me vlerë të vogël,” thuhet në përgjigjen e OShP-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në pak minuta seancë të Kuvendit të datës 15 mars 2016 me të vetmen pikë të rendit të ditës që ishte shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të OSHP-së nuk iu vu pikë zgjidhjes së këtij problemi të OShP-së.

Atë ditë ky rekomandim nuk kaloi në Kuvend për shkak se atë e votuan pro vetëm 43 deputetë. Kryesues të Bordit të OShP-së ishte propozuar Blerim Dina, ndërsa anëtare e tij Vjollca Shala-Kurtishaj.

http://kallxo.com/pak-minuta-kuvend/

Sot qeveria përsëri të dy këta emra ia dërgoi Kuvendit për miratim.

Pesë ditë më parë, përkatësisht me 10 mars 2016 Kuvendi i Kosovës shkarkoi anëtarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Bajram Zogianin.

http://kallxo.com/live-kuvendi-10-mars-2016/