Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Komuna e Vushtrrisë ‘Mbështjell’ Dekoratat me Flamuj

Tenderin për furnizim me dekorata të zyrës së kryetarit Bajram Mulaku, Komuna e Vushtrrisë e ka shfrytëzuar për të blerë edhe gjësende të tjera.

Përmes këtij aktiviteti të prokurimit, i cili ka kushtuar 735 euro, Komuna e Vushtrrisë ka blerë 10 punime me logo të Komunës me çmim 35 euro për copë apo 350 euro në total.

Po ashtu, në kuadër të të njëjtit tender Komuna ka blerë lapsa kimikë sipas mostrës në vlerë të përgjithshme prej 275 euro.

E pyetur nga KALLXO.com, Komuna tregon arsyen e blerjes së dekoratave: “Dekorata i jep kryetari në solemnitete të caktuara të Komunës (Dita e Çlirimit), Dita e Pavarësisë, vizita te ndryshme të nivelit të lartë zyrtar, etj.”.

Më tej, Komuna e pranon se me këtë tender janë blerë edhe gjësende të tjera.

“Tenderi nuk ka qenë vetëm për dekorata por edhe për gjëra tjera. Vlera është 735,50 euro”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, të publikuar në Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), titulli i kontratës është “Furnizim me Dekorata për Zyre të Kryetarit”.

Sipas përgjigjeve që ka marrë KALLXO.com, Komuna bën të ditur se me këtë tender janë blerë edhe 17 flamuj kombëtarë për Drejtorinë e Kulturës. Vlera e përgjithshme e tyre është 110 euro.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi se si Komuna e Klinës harxhoi 1,000 euro për të blerë 20 orë për të pensionuarit në arsim.

http://kallxo.com/komuna-e-klines-harxhon-1-mije-euro-per-ore-dore/

Ndërsa, Ministria e Integrimit pagoi 17,5 euro për një çadër.

http://kallxo.com/ministria-paguan-17-5-euro-per-nje-cader/

Kurse, Ministria e Diasporës ka ndarë 1,000 euro për buqeta lulesh.

http://kallxo.com/ministria-blen-1-mije-euro-lule/

Dhe, së fundmi, KALLXO.com raportoi se riparimi i veturës së kryetarit të Komunës së Klinës buxhetit të kësaj Komune do t’i kushtojë së paku 10,000 euro.

http://kallxo.com/10-mije-eurot-qe-rregulluan-range-rover-e-bashotes/