Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Burrat e Stomatologjisë i kallxojnë dhëmbët aty ku duhet t’i ndreqin dhëmbët

Albena Reshitaj, Nora Berisha dhe Nora Aliu, të tria punëtore të Stomatologjisë në UP dhe SHSKUK, treguan për KALLXO.com se si janë marrë Këshilli i Etikës i UP-së, Policia e Prokuroria me ankesat që ato i kanë bërë për raste të kërcënimeve dhe pengesave në mësim që, sipas tyre, kanë ndodhur në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

“Ti me mu ki me pasë punë. Tash e tutje kam me të çu në organe të drejtësisë, kam me të hjekë prej shefes së katedrës… Edhe u çuan në kambë të dytë edhe t’u m’u afru. M’u afruan me gisht, t’u ma bo te fytyra” – thotë profesoresha Albena Reshitaj, e cila e raportoi kërcënimin, sipas saj, që i ndodhi nga dy asistentët e Ortodoncisë, Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti më 18.10.2023 në Fakultetin e Mjekësisë.

Tash 6 muaj pas raportimit publik të Albena Reshitajt për kërcënim brenda hapësirave të UP-së, Këshilli i Etikës i UP-së nuk e ka ftuar për intervistim as Reshitajn e as Nora Berishën, që ka qenë dëshmitare e këtij rasti. 

Rektorati i UP dhe Këshilli i Etikës nuk u përgjigjën fare kur Kallxo.com pyeti se pse po zvarritet ky rast. 

Sipas Reshitajt, kjo ngjarje ka ndodhur në një mbledhje në zyrë të saj. Prezente ishte edhe Nora Berisha, po ashtu asistente e Ortodoncisë.

Sokol Krasniqi, Blerim Mehmeti dhe Nora Berisha janë asistentë të lëndës Ortodonci Klinike, të cilën e ligjëron Reshitaj në Klinikën e Stomatologjisë, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë.

Sokol Krasniqi njëherazi është edhe shef i Klinikës së Stomatologjisë, ndërsa Reshitaj shefe e katedrës së Ortodoncisë dhe deputete në Kuvendin e Kosovës.

Reshitaj e kishte paraqitur kërcënimin më 18.10.2023 në Polici. Kur KALLXO.com dërgoi pyetje në Polici e Prokurori lidhur me këtë rast, Prokuroria e Prishtinës e konfirmoi se ende janë duke kryer hetime.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprime hetimore karshi kësaj çështjeje penale, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje për shkak të integritetit të procedurës” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë më 15.03.2024.

Krasniqi dhe Mehmeti, asistentët e Ortodoncisë, e kanë mohuar se e kanë kërcënuar Reshitajn.

I gjithë ky konflikt mes tyre, sipas Reshitajt, kishte lindur për shkak të insistimit të asistentëve Mehmeti dhe Krasniqi që Reshitaj, si shefe e katedrës së Ortodoncisë, të kërkonte nga UP-ja që të hapte konkurs për profesor në Fakultetin e Mjekësisë në mënyrë që ata të kishin mundësinë të avancoheshin në pozita të profesorit.

Por, bazuar në rregulloret e UP-së, Fakulteti duhet të dëshmojë që ka fond të mjaftueshëm të orëve për të hapur konkurs për këtë pozitë. 

Për shkak se nuk kishte orë të mjaftueshme për të hapur konkursin për pozitën e profesorit, Reshitaj ka treguar se e ka pyetur Rektoratin e UP-së, më 31.01.2023, se a kanë të drejtë t’u marrin orë të ligjëratave obligative nga norma e tyre e rregullt mësimdhënësve të cilët tashmë janë të emëruar dhe kanë kontratë të rregullt.

UP i është përgjigjur Reshitajt, më 21.02.2023, duke i thënë se nuk kanë të drejtë t’i marrin orët e ligjëratave obligative, bazuar në rregulloret e UP-së, për të hapur konkursin për asistentë e mësimdhënës. Si rezultat i kësaj, pasi nuk është hapur konkursi, asistentët Mehmeti dhe Krasniqi nuk janë avancuar në profesor.

Më 20.10.2023, dy ditë pas kërcënimit të pretenduar në zyrë të Reshitajt, Krasniqi dhe Mehmeti i kërkojnë Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë ta shkarkojë Reshitajn nga pozita e shefes së Katedrës të Ortodoncisë. 

Arsyetimin që e përdorin në këtë kërkesë është se Reshitaj është deputete e Kuvendit të Kosovës, prandaj duhet të shkarkohet, edhe pse rregullorja e UP-së nuk ia ndalon një deputeti të jetë shef katedre.

Një muaj pas kërcënimit që e raporton Reshitaj, Sokol Krasniqin e raportojnë edhe dy kolege të tjera të Ortodencisë, Nora Aliu dhe Nora Berisha (dëshmitare në rastin e Reshitajt) të cilat, në ankesën e deponuar thonë që Krasniqi i ka penguar në mbajtjen e procesit mësimor. 

Kjo ankesë, të cilën Kallxo.com e ka parë, është deponuar në Fakultetin e Mjekësisë më 08.11.2023, dy ditë pasi ka ndodhur.

Aliu, asistente në Ortodonci, ka shpjeguar për KALLXO.com se Krasniqi i kishte penguar në orën e mësimit përderisa kanë qenë me studentë, pacientë dhe të tjerë. Sipas saj, Krasniqi nuk e kishte lejuar atë dhe Nora Berishën të marrin masa të nofullave të pacientëve për proteza të dhëmbëve gjatë punës dhe i kishte ndjekur pas kur ato kishin shkuar ta raportojnë.

Krasniqi ka mohuar të jetë fajtor edhe për kërcënim edhe për pengim në mësim.

Sipas rregullores për masat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, të datës 11.04.2017, në nenin 6, paragrafi 1.19, kërcënimi konsiderohet si një nga “shkeljet e rënda disiplinore që cenon esencën e marrëdhënies së punës për personelin akademik të UP-së”.

“Sjellja apo kërcënimi që u pamundëson, i pengon apo ua vështirëson të tjerëve kryerjen me sukses të detyrave zyrtare të punës” – shkruan në paragrafin 1.19 të nenit 6, në rregulloren për masat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së të datës 11.04.2017.

Ndërkaq, sipas të njejtës rregullore, nenit 7, paragrafi 1, shkeljet e rënda hyjnë “në kompetencën ekskluzive të Këshillit të Etikës”.

Ajo që është më e rëndësishmja, në paragrafin 6 të nenit 7, definohet periudha brenda së cilës KE fton palët për intervistim lidhur me rastin, në këtë rast, shkeljen disiplinore të raportuar.

“Intervistimi bëhet sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar se shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët” – thuhet në paragrafin 6 të nenit 7, në rregulloren për masat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, të datës 11.04.2017.

Derisa rregullorja thotë që jo më shumë se 5 ditë pune duhet të kalojnë deri te intervistimi i palëve, sot kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe palët e konfirmuan për KALLXO.com se ende nuk janë thirrur për rastin e kërcënimit në Këshill të Etikës.

Avancimi në profesor përkundër mungesës së orëve 

Albena Reshitaj, profesoreshë e Ortodoncisë, kishte ftuar asistentët Krasniqi, Mehmeti dhe Berisha në mbledhje më 18.10.2023 për të diskutuar orarin mësimor të kësaj lënde.

Gjatë kësaj bisede, Reshitaj thotë se asistenti Krasniqi i ka thënë se ajo nuk ka të drejtë të jetë shefe e Katedrës dhe deputete.

Reshitaj thotë se ia kishte shpjeguar se ka qene shefe Katedre që disa vite, mirëpo sipas saj, Krasniqi ka vazhduar t’i bërtasë. 

KALLXO.com e ka konfirmuar që Reshitaj ishte bërë shefe e Katedrës para se të bëhej deputete.

Sipas saj, Krasniqi e ka fajësuar në mbledhjen e datës 18.10.2023 se nuk është avansuar në pozitën e profesorit. 

Konkursi për emërim, riemërim apo avancim në pozitën e profesorit shpallet me vendim të Senatit të UP-së, pas aprovimit të propozimeve të fakulteteve.

Sipas rregullores të datës 27.04.2022, me numër protokolli 887, për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në UP, në nenin 12, paragrafin 6, thuhet: “Fakultetet propozimet e tyre për hapjen e konkursit për pozita të reja duhet t‘i bazojnë në nevojat reale, përkatësisht në numrin e mjaftueshëm të fondit të orëve në programet e akredituara, të cilat korrespondojnë me fondin e nevojshëm për vende pune, për t’u zgjedhur në thirrjen e mësimdhënësit, asistentit”.

Ndërsa, në paragrafin 7 të nenit 12, thuhet se “propozimet për pozita të reja me normë të plotë mund të merren parasysh nëse fakulteti ofron dëshmi që për atë pozitë brenda një viti akademik ekziston fond i orëve: për pozitë të mësimdhënësit së paku 50% të orëve të parapara për normë të plotë të jenë ligjërata nga lëndët obligative, kurse pjesa tjetër e orëve ligjërata nga lëndët zgjedhore. Norma e plotë përllogaritet brenda një viti akademik”.

Kallxo.com e ka parë e-mailin të cilin Reshitaj e ka dërguar më 31.01.2023 te Qerim Qerimi, rektori i UP-së dhe te Altin Sahiti, kryesues i Këshillit Drejtues në UP, të cilët i pyet për hapjen e konkursit për mësimdhënës të ri në Mjekësi, se a kanë të drejtë t’u marrin orë të ligjëratave obligative nga norma e tyre e rregullt mësimdhënësve të cilët tashmë janë të emëruar dhe posedojnë kontratë të rregullt.

Rektorati i përgjigjet Reshitajt më 21.02.2023, duke i thënë se plotësimi i orëve mësimore për shpalljen e konkursit për mësimdhënës të ri nuk mund të bëhet me orë të ligjëratave nga norma e plotë e mësimdhënësve të rregullt, ashtu siç përshkruhet në rregullore të UP-së. 

KALLXO.com i ka parë dhe i posedon të dyja këto korrespondenca.

Përkundër kësaj, Rashitaj thotë që Krasniqi e akuzoi atë që s’ka dërguar kërkesë për konkurs për profesor, dhe vazhdoi ta fyente atë dhe stafin menaxhues të Fakultetit të Mjekësisë. 

“Kriminela jeni ju, ti je kriminele, dekania është kriminele, dekanati janë kriminelë” – e ka fyer ai, sipas Reshitajt, e cila duke i thënë “Zyra ligjore e Rektoratit…”, Krasniqi ka vazhduar të thotë: “Ata janë kriminelë, Besforti (sekretari i UP-së) është kriminel, edhe rektori është kriminel”, ka treguar Reshitaj.

Sipas Krasniqit, në këtë mbledhje, krejt çka bënë ai dhe Mehmeti është që kërkuan të drejtën që u takon. Ata thanë për KALLXO.com se Reshitaj si shefe e Katedrës nuk e kishte bërë kërkesën për avancimin e tyre në profesor.

“Jo, ajo mu m’ka kërcënu edhe më ka thanë se pikërisht për shkak që po i lypi të drejtat e tua, tash e sheh se ku ki me përfundu ti! Unë nuk jam në një pozitë ku ofendoj. Unë jam në pozitën ku kam kërku të drejtat tona” – ka deklaruar Krasniqi më 19.03.2024.

“Sokol Krasniqi nuk ka bë asnji fyerje pos që e ka quajtur kriminele akademike për shkak të faktit që i ka mshefur orët, që realisht është krim akademik” – ka thënë Mehmeti më 19.03.2024.

Tutje, Reshitaj ka vazhduar të përshkruajë ngjarjen duke thënë se të dy asistentët i janë turrur deri te fytyra dhe Mehmeti e ka mbështetur Krasniqin.

“’Ti me mu ki me pasë punë. Tash e tutje kam me të çu në organe të drejtësisë. Kam me të hjekë prej shefes së Katedrës’ edhe u çu në kambë. Ai tjetri koleg thoshte ‘po qashtu është, po qashtu është’. U çuan në kambë të dytë edhe mu afruan me gisht t’u ma bo te fytyra. Unë u thash: “Dilni jashtë! Çka jeni t’u m’bo ju mua këtu?’, tha: “S’dojmë me dalë jashtë’” – rrëfen Reshitaj.

Në anën tjetër, të dy asistentët e kanë versionin e vet të ngjarjes që ka përshkruar Reshitaj.

“Zyra është 9 m2 dhe aty për mu ngrit me dalë me lëshu mbledhjen për shkak se ajo insistonte vazhdimisht që ka me na vazhdu me na bo të padrejtë, mos me na dalë vend për avansim. Në një zyre 10m2 unë ngritna për me dalë jashtë dhe, ngritje të gishtit aty nuk ka po në momentin kur ajo mu t’u dalë prej zyres m’thotë që ki me pa se ku ki me përfundu edhe me gjyq edhe me gjithçka, unë i kam thanë që ti po kërcënon” – ka thënë Krasniqi.

“Absolutisht jo… Kjo është vazhdim i skenarit të ‘serialit turk’ që kryekëput është shpifje” – është përgjigjur Mehmeti.

Krasniqi e ka konfirmuar për KALLXO.com se për momentin është duke u trajtuar në disa komisione disiplinore. Ai tha që po trajtohet në komisione për shkak të ndikimit që, sipas tij, e ka Albena Reshitaj në FM.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se ka disa raste ndaj Sokol Krasniqit dhe Blerim Mehmetit në komisionin disiplinor të FM.

“Të gjitha rastet të cilat janë paraqitur në menaxhmentin e FM për asistentët në fjalë (Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti) janë trajtuar dhe proceduar tutje në komisionin disciplinor të FM-së” – thuhet në përgjigjen e FM-së, më 04.04.2024.

Në anën tjetër, Nora Berisha, dëshmitare e këtij rasti, më 19.03.2024 tha: “Për rastin në fjalë nuk kam çka të deklaroj tjetër pos deklaratave që i kam dhënë në organet kompetente”.

Ajo e ka konfirmuar që është intervistuar në Polici si dëshmitare.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së Krasniqit dhe Mehmetit që Reshitaj të shkarkohet nga pozita e shefes së Katedrës, sipas të cilëve mbajtja e kësaj pozite nga ajo është në kundërshtim me Statutin e UP-së, Suzana Manxhuka-Kërliu, që ishte dekane e FM deri me 15.04.2024, e ka dhënë shpjegimin e saj. 

Manxhuka-Kërliu ka thënë se Reshitaj punon konform rregulloreve të brendshme të UP dhe Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë, neni 25, pika 6. 

“Në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtarja/i publik, i cila pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, përjashtimisht stafit akademik universitar (profesore/i i/e rregullt, profesore/i i/e asociuar, profesore/i asistent, profesore/i, ligjërues/e, asistent/e) dhe profesionistëve shëndetësor” – thuhet në nenin 25, pika 6 të Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë.

“Prandaj lidhur me këtë nuk ka pengesë ligjore për ushtrimin e funksionit të shefit të Katedrës, sepse në këtë pozitë të njëjtit nuk kompensohen” – ishte përgjigjur Manxhuka-Kërliu, më 06.11.2023, në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Reshitajt nga pozita e shefes së Katedrës në Ortodonci.

Në fakt, Manxhuka-Kërliu e ka konfirmuar se me të marrë raportimin për kërcënim të Reshitajt ka dërguar shkresë në Rektorat me kërkesën që Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti të suspendohen.

“Njëkohësisht, kam dërguar shkresë në Këshillin Etik, KE, për dy asistentët që kanë kërcënuar profesoreshën (Albena Reshitaj)” – ka deklaruar për KALLXO.com Manxhuka-Kërliu, më 01.11.2023, sa ishte dekane. 

Këshilli i Etikës, i cili sot po kritikohet nga dhjetëra organizata joqeveritare dhe aktivistë që po e zvarrit një rast tjetër skandaloz të Fakultetit të Mjekësisë, ku 27 studente i kanë raportuar ngacmimet seksuale të profesorit të tyre Xhevat Krasniqi, ende nuk ka marrë asnjë vendim për kërcënimin që e ka raportuar Reshitaj, edhe pse kanë kaluar 6 muaj që kur se rasti është deponuar në KE.

reagimin publik më 02.11.2023 në lidhje me raportimin e Reshitajt për kërcënim, UP kishte thënë se: “marrë parasysh përkushtimin e Universitetit kundrejt barazisë gjinore në mesin e stafit akademik dhe studentëve të Universitetit, sjelljet e tilla janë aq më të papranueshme të shfaqura karshi personelit të gjinisë femërore”.

Barazia gjinore në fakt nuk po zbatohet në UP. Në rend të parë, Këshilli i Etikës i Rektoratit të UP-së, i cili do duhej të ishte shembull për etikë, përbëhet nga 4 burra: Iset Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica. Këta 4 burra, që nga ajo ditë deri sot, nuk e kanë ftuar Reshitajn e as dëshmitaren e këtij rasti të dëshmojë. Në ndërkohë Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga UP. 

Nga denoncimi për kërcënim te denoncimi për deklarim të rrejshëm

Reshitaj e ka paraqitur kërcënimin edhe në Polici. Kur Kallxo.com e pyeti Policinë për këtë rast, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, më 15.03.2024, tha që duhet drejtuar te Prokuroria.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprime hetimore karshi kësaj çështjeje penale, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje për shkak të integritetit të procedurës” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës më 15.03.2024.

Reshitaj, e zhgënjyer me trajtimin e këtij rasti nga organet e sigurisë, rrëfeu për trajtimin në stacionin policor në Prishtinë ndaj një hetuesi kur është intervistuar, i cili i kishte thënë nuk është ‘kërcënim i madh’.

“M’fal veç pak, i thash policit, ‘A me lese është dashtë me m’qitë mu prej atyhit për me u llogarit si kërcënim?’. Njëfarë zhgënjimi e përjetova menjëherë” – rrëfen Reshitaj.

Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti e kanë konfirmuar se janë intervistuar nga Policia.

Krasniqi ka treguar po ashtu se e ka paditur Reshitajn për deklarim të rrejshëm, duke pretenduar se ajo ka bërë inskenim të ngjarjes që ka ndodhur më 18.10.2023.

“Atë ditë d.m.th. kur e ka bo denoncimin e rrejshëm kjo (Albena Reshitaj) për me lujtë viktimën, po jemi intervistu po pastaj jam intervistu edhe në cilësinë e të dëmtumit. Për shkak të rastit që e kam hapë, sa di, gjanat janë t’u u zhvillu në atë drejtim të padisë që kam ngrit unë që edhe ajo m’i vujtë pasojat me anë të gjyqit, me drejtësi” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi e ka arsyetuar padinë që ia ka bërë për deklarim të rrejshëm pasi thotë se Reshitaj kur ka njoftuar publikisht se është kërcënuar në profilin e saj në Facebook, ka thënë se është kërcënuar dy herë.

Reshitaj më 18.10.2023, në Facebook, kishte shkruar “Të nderuar qytetarë. Unë sot jam kërcënuar dy herë. Njëherë rrugës duke ardhur në punë dhe e dyta në zyrën time në Fakultet. Le ta kuptojë kushdo që është pas që nuk munden me më kërcënu, shantazhu dhe që vendimet e mia do të jenë gjithmonë në të mirë të institucioneve dhe qytetarit”.

Sipas Krasniqit, ky ishte deklarim i rrejshëm. Reshitaj tha se Policia e kanë ftuar dy herë për të dhënë deklaratë për shkak të denoncimit që i kishte bërë Krasniqi se kinse ajo paska deklaruar rrejshëm.

Në herën e parë, Reshitaj thotë se i ka reaguar Policisë duke iu thënë se e ka dhënë deklaratën për denoncimin e saj. Më pas, ajo thotë që Policia i ka thënë se është pezulluar denoncimi për deklarim të rrejshëm.

Kurse, herën e dytë kur e ka thirrur Policia, Reshitaj tregoi se ka qenë jashtë vendit dhe më nuk është ftuar për deklarim. 

Kur KALLXO.com e pyeti Policinë se çka ka ndodhur me këtë rast, ata thanë të kontaktohet Prokuroria, e Prokuroria tha që rasti po hetohet dhe nuk mund të japin më shumë informata.

Në anën tjetër, Blerim Mehmeti ka ndarë një dokument të datës 29.02.2024, ku ka dhënë dorëheqje nga pozita e asistentit në FM.

Sipas këtij dokumenti, Mehmeti e ka arsyetuar dorëheqjen se nuk është avancuar me titullin profesor dhe se në këtë vendim, siç ka shkruar ai, ka qenë përcaktues ‘presioni jonjerëzor nga shefja e Katedrës së Ortodoncisë Albena Reshitaj’.

Asistentet e Ortodoncisë ankohen për pengim të procesit mësimor nga kolegu i tyre

Gati një muaj pas raportimit për kërcënim të pretenduar ndaj Reshitajt, Nora Aliu, asistentja e Ortodoncisë e raporton në Katedrën e Ortodoncisë të njëjtin njeri, Sokol Krasniqin, i cili thotë se i ka penguar gjatë procesit mësimor në sallë të Klinikës së Stomatologjisë, ku ajo me asistenten Nora Berisha ishin duke mbajtur ushtrime më 06.11.2023.

Aliu thotë që atë ditë, në lëndën klinike të Ortodoncisë, ishin duke e zhvilluar si proces normal mësimor duke ekzaminuar pacientët, fëmijë, me studentë të vitit të gjashtë të studimeve në Mjekësi. 

Përveç pacientëve dhe prindërve të tyre, në sallën e ushtrimeve kanë qenë të pranishëm edhe mjekë klinikë, infermierë dhe specializantë si staf shëndetësor. Asistentet Aliu dhe Berisha do t’i merrnin masën e nofullave pacientëve për përcaktimin e masës së protezës së dhëmbëve.

Marrja e masave të nofullave të pacientëve, Aliu ka shpjeguar se është faza e parë e punës në Orotodonci para trajtimit ortodontikë të pacientëve, ku masa u merret dy nofullave të gojës, asaj të sipërme dhe të poshtme, për të vazhduar pastaj me procedurat e punimit të protezës së pacientit.

Mirëpo, sipas asistentes Aliu, pasi Krasniqi ka hyrë në sallë, i është drejtuar stafit shëndetësor duke thënë se asistentet nuk do t’u marrin masa nofullave të pacientëve me arsyetimin se ato ishin asistente. 

“E hapi derën edhe me një tonalitet të naltë (të zërit), kanë qenë prezentë në sallë pacientë fëmijët prej moshës 7-vjeç e tutje me prindërit e tyre, si dhe stafi shëndetësor… E hapi derën me vrull, edhe po i drejtohet motrës kryesore: ‘Nuk ka me marrë masa (të nofullave të pacientëve) asistentat. Edhe na i themi: “Sokol, qysh mos me marrë masa?” – ka treguar Aliu.

Për këtë ngjarje, asistentet Aliu dhe Berisha kanë deponuar ankesë zyrtare më 08.11.2023, të cilën ia kanë drejtuar Reshitajt si shefe e Katedrës, shefit të degës së Stomatologjisë, prodekanit për mësimdhënie dhe dekanes së Mjekësisë.

“Siç edhe ju njoftuam në zyrë dhe me email, ne Ass.dr.Nora Aliu dhe Ass.dr.Nora Berisha sot me datë 06.11.2023 rreth orës 11:15 jemi penguar gjatë mbajtjes së mësimit praktik për lëndën Ortodonci klinike nga Ass.dr.Sokol Krasniqi. Ai ka hy në sallë dhe me gjuhë të ashpër i është drejtuar Motrës kryesore duke e ngritur zërin që ta dëgjojmë ne dhe studentët dhe i ka thënë asaj (motrës kryesore) që masat (e nofullave të pacientëve) nuk do të merren nga ne asistentet” – thuhet në ankesën e asistenteve Aliu dhe Berisha të datës 08.11.2023.

Në këtë rast, Aliu ka konsideruar se u është mohuar qasja te pacienti, përkundër faktit se ajo ia ka përmendur Krasniqit që ka një marrëveshje mes FM dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Rektoratit e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila i lejon asistentët të kenë qasje te pacienti dhe të marrin masa të pacientëve.

“Edhe na po i drejtohemi, po i themi: “Sokol ti e din që është ajo marrëveshje (në mes FM, SHSKUK që i lejon asistentët të marrin masa të pacientëve)”. Tha: ‘Jo, s’keni me marrë masa’. Edhe tash po i drejtohet asistentja Nora Berisha: ‘OK, atëherë po e thirri profesoreshën, po i tregoj, se prof. Albena është profesoreshë e lëndës’” – ka shtuar Aliu.

Pasi Reshitaj nuk ishte në atë kohë në objektin e Klinikës së Stomatologjisë, sipas Aliut, ishin udhëzuar të shkonin te Kastriot Meqa, drejtori i Stomatologjisë në SHSKUK për ta raportuar problemin.

Aliu tha se duke shkuar te Meqa, Krasniqi u ka shkuar nga mbrapa dhe për shkak të kësaj sjellje të tij ajo i ka reaguar, duke i thënë: “Sokol qysh je bo si profa X (një profesor që ka ligjëruar më parë në Mjekësi, e që Aliu pretendon se i kishte penguar në orë të mësimit)”.

Ndërkohë, studentët dhe pacientët kanë mbetur pa asistente gjatë kësaj kohe.

Sipas Aliut, ato e kanë adresuar problemin te Meqa në Klinikën e Sëmundjes së Gojës më 06.11.2023, mirëpo ai nuk u kishte ndihmuar.

“(Kastriot Meqa) tha: ‘Unë nuk kam çka me ju ndihmu juve, ju e keni profesoreshën (Albena Reshitajn)’” – thotë Aliu.

“U kthyem të dëshpërume, edhe po ngjitemi shkallëve lartë për me ardhë në Klinikë (të Ortodoncisë) edhe asistenti Sokol po na vjen prap mbrapa edhe po më kthehet mua: ‘A e din që të denoncoji une ty”. Edhe, po ia bëj: ‘E pse?’ Se the: “Qysh ka fluturu ai, për profën X (një profesor që ka ligjëruar më parë në Mjekësi), ki me fluturu edhe ti” – ka thënë Aliu.

Pas kësaj, Aliu thotë se Krasniqi e kishte paralajmëruar se mund ta denoncojë atë për shkak të reagimit që pak më parë kishte bërë ndaj tij.

Në fakt profesori në fjalë ka dalë në pension, nuk ka “fluturu”. Mu për këtë, Aliu shpjegon se ka reaguar asistentja Berisha, e cila ia ka mohuar Krasniqit se Aliu kishte thënë ashtu.

Kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Meqa ka thënë se asistentet e kanë paraqitur gojarisht tek ai problemin që kanë pasur me asistentin Krasniqi, gjë që sipas tij ka qenë keqkuptim.

“Ato asistentet kanë ardhë te une edhe kanë shprehur atë brengën e vet pse i ka ndalë (Sokol Krasniqi). Unë menjëherë kam reagu edhe doktor Sokoli menjëherë e ka kthy mbrapa atë veprim edhe nuk ka pasë as procedurë të nisur, as ankesë, as kurrgjë me shkrim. Kështu që unë atë rast e kam pa si diçka që është keqkuptu edhe për një kohë shumë të shkurtë është sqaru krejt kush çka ka të drejtë aty me punu” – është përgjigjur Meqa më 20.03.2024.

Në fakt, të dyja këto asistente e kanë deponuar ankesën me shkrim, përkundër faktit që Meqa ka thënë që kjo nuk ka ndodhur.

Megjithatë, Meqa e ka konfirmuar se asistentët e FM-së edhe nëse nuk janë staf në pjesën shëndetësore të FM-së, edhe duke qenë staf në pjesën arsimore, kanë të drejtë të trajtojnë pacientë dhe t’u marrin masa atyre.

Aliu thotë se është ndjerë e shqetësuar nga pengimi i mësimit nga Krasniqi.

“Normal që është shumë shqetësuese. Përderisa e ka ba në publik, unë si asistente Nora Aliu jam ndje shumë e fyer para studentëve” – tha ajo.

Krasniqi e ka mohuar se i ka penguar asistentet Aliu dhe Berisha në procesin mësimor, porse sipas tij, pacientët që trajtohen në Klinikën e Stomatologjisë trajtohen deri në tre vjet, përderisa semestri zgjat tre muaj dhe për shkak të kësaj kohe, ai u kishte kërkuar sqarim se si do të jetë gjendja e këtyre pacientëve.

“Nëse një doktor e merr një pacient dhe nuk e përfundon (punën) ajo është pjesë e  përgjegjësisë time… se unë jam shef i Klinikës aty dhe unë kam thanë derisa ta kem një sqarim nga drejtoria, merrni pacientët e tjerë e jo pacientët të cilëve u mirren masa (të nofullave të tyre)” – thotë Krasniqi.

Ai thotë që këtë e ka bërë “jo me bërtimë, ajo ka qenë shumë mirë e kuptume prej tyne po normalisht se këto (asistentet) i ka përdorë Albena”.

Pas kësaj, Krasniqi shtoi se ka shkuar në drejtori të Klinikës, ku ka kërkuar sqarime dhe me të kuptuar se ekziston një marrëveshje që kanë të drejtë asistentët që nuk janë staf në shëndetësi t’i trajtojnë pacientët, ka qenë në rregull për të.

Në përgjigjen e tyre nga Fakulteti i Mjekësisë thonë se për ankesën e asistenteve ndaj Krasniqit, KE ka marrë vendim për pushim të procedurave të filluara ndaj Krasniqit, më 02.04.2024.

“Me datë 03.04.2024, menaxhmenti i FM-së ka pranuar Vendimin e Këshillit të Etikës me datë 02.04.2024 lidhur me ankesën nga ass.dr.Nora Berisha dhe ass.dr.Nora Aliu, për pengimin e procesit mësimor, duke theksuar në vendim të Këshillit të Etikës të UP për pushimin e procedurave të filluara ndaj Ass. Dr. Sokol Krasniqit” – janë përgjigjur nga FM më 04.04.2024.

Këshilli i Etikës, i përbërë prej 4 burrave, nuk i ka dhënë Kallxo.com-it vendimin për të parë se ku është bazuar kur e ka marrë këtë vendim pa i ftuar kurrë për t’u intervistuar Nora Berishën dhe Nora Aliun, që e kishin raportuar rastin.