Ilustrim. Foto: blog.toyota.co.uk/

Kllokoti Shpenzon 28 Mijë Euro për Veturë Luksoze

Komuna e Kllokotit e ka blerë një veturë 27 mijë e 890 euro me kërkesë të kryetarit të Komunës. Blerja e veturës është bërë me vetëm një ofertë të përgjegjshme duke u thirrur në plotësim-ndryshimin e ligjit të Prokurimit. Për më tepër, blerja e kësaj veture nuk kishte qenë fare në paraparë në planin e komunës për prokurim.

Procesi i prokurimit është iniciuar në muajin gusht të 2016. Menaxheri i Prokurimit në Komunën e Kllokotit, Dejan Todoroviq, për KALLXO.com thotë se blerja e kësaj veture është bërë me kërkesën e kryetarit të Komunës.

“Si menaxher i prokurimit kam pranuar kërkesë nga kryetari i komunës dhe drejtori i administratës për furnizim me një veturë luksoze për nevojat e të gjithë punëtorëve të Komunës së Kllokotit gjatë udhëtimeve të gjata për vizita në qytete tjera-komuna, gjithçka me qëllimin e vendosjes së bashkëpunimit, koordinimin e punës së shërbimeve komunale dhe këmbimin e përvojave. Për këtë blerje janë siguruar 28 mijë euro”, tha Todoroviq.

Todoroviq më tej tha se blerja e veturës nuk ka qenë në planin e Komunës, por me lejen e AQP-së është vazhduar tutje me këtë aktivitet të prokurimit.

“Të gjitha këto informata i kam vendosur në Dokumentin Standard B04-Deklaratën e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve të cilën e kam dërguar në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, ku e kam marrë lejen për nisje të procedurave pasi kjo blerje nuk ishte në planin e komunës sonë”, sqaroi ai.

Tetë operatorë e kanë kërkuar dosjen e tenderit. Zëdhënësi i Komunës thotë se kanë pranuar pyetje sqaruese nga operatorët, në të cilat janë përgjigjur brenda afateve ligjore. Në fund, ata e kanë pranuar vetëm një ofertë prej 27 mijë e 800 euro, nga operatori ekonomik “Autotrade’’, nga Prishtina.  Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar në KRPP për blerjen e veturës Toyota Avenisis.

“Ky operator ekonomik ofertoi me automobilin e markës Toyota Avensis 2.0D-4D Style, i cili iu përshtat specifikimeve teknike të cilat i kërkuan në aneksin I të dokumentit të tenderit. Automobili u porosit nga ana e operatorit ekonomik në afatin e përcaktuar, është paguar me rregull, është regjistruar dhe shërben për atë për të cilën është paraparë”, tha ai.

Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) thotë se me ligjin e ri të prokurimit lejohet të vazhdohet edhe me një ofertë të përgjegjshme.

“Me ligjin e ri, një ofertë e përgjegjshme shkon, të gjitha vlera ecin”, tha ai.

KRPP-ja ka thënë se çështja e administrimit të Procedurave të prokurimit si dhe sigurimin e çmimin real të tregut është përgjegjësi e Autoriteteve Kontraktuese.

Todoroviq për Kallxo.com thotë se procesi ka qenë transparent, është respektuar ligji dhe procedurat gjatë blerjes së kësaj veture.

“Mundem në mënyrë të përgjegjshme të deklaroj që janë respektuar të gjitha procedurat gjatë blerjes, si dhe Ligjin për Prokurimin Publik. I gjithë procesi i blerjes është zhvilluar në mënyrë transparente, të cilën gjë edhe vetë e keni parë në ueb-faqen e KRPP-së”, tha ai

Me ligjin e vjetër të Prokurimit Publik, nëse gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit pranohen më pak se dy oferta të përgjegjshme, ose kur është e zbatueshme kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti duhej ta anulonte atë aktivitet të prokurimit.