Sportel në Komunën e Klinës | Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Klinës Harxhon 1 Mijë Euro për Orë Dore

Tash e sa vite institucionet e vendit qoftë lokale, qoftë qendrore, po vazhdojnë të blejnë dhurata, të organizojnë ahengje e ekskursione me paratë e buxhetit për të punësuarit në administratën shtetërore.

Një blerje të tillë e ka bërë edhe Komuna e Klinës duke shpenzuar 1 mijë euro nga buxheti i konsoliduar për blerjen e orëve të dorës për të pensionuarit në arsim.

Nënshkrimi i kontratës për këto orë është publikuar në webfaqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik më 8 mars të vitit 2016 nën titullin “Furnizim me Orë Dore për të Pensionuarit në Arsim”.

Komuna për këtë furnizim kishte në garë 3 operatorë ekonomikë dhe zotim të mjeteve prej 1 mijë eurove, aq sa edhe e lidhi kontratën me kompaninë “Lipa” nga Klina, duke e refuzuar ofertën më të shtrenjtë prej 1 mijë e 90 eurove.

Për KALLXO.com menaxheri i Zyrës së Prokurimit nga Komuna e Klinës Abaz Foniqi tha se blerja e orëve erdhi si kërkesë nga Drejtoria e Arsimit.

“Për kuroizitetin tuaj vlera prej 1,000.00 eurove nuk është vetëm për një orë dore, por për disa. Këtë mund ta keni verifikuar në njoftimin për nënshkrim te kontrates të publikuar në KRPP ku nuk shihet numri i orëve të furnizimit, por sasia ka qenë 20 orë dore nga 50 euro, ndërsa ajo është kërkuar nga Drejtoria e Arsimit-njësia kërkuese për të pensionuarit në arsim,” tha Foniqi.

Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovë05/L-001 e ndalon një shpërblim të tillë të punonjësve.

Në nenin 8, paragrafin 6 të këtij Ligji ku flitet për limitet në zotime dhe shpenzime, thuhet “Shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve ‘mallra e shërbime’ nuk është e lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të mëditjeve, apo si kontribute në mall, përfshirë këtu shujtat apo dhuratat”.

KALLXO.com raportoi më 15 nëntor se Ministria e Integrimit bleu 50 ombrella në vlerën e 875 eurove si dhurata për personalitetet e larta që vizitojnë Kosovën.

Çmimi i një ombrelleje të tillë i binte të jetë 17.5 euro, edhe pse në tregun kosovar ka ombrella shumë më të lira.

http://kallxo.com/ministria-paguan-17-5-euro-per-nje-cader/

Edhe në mars të vitit 2016 KALLXO.com shkroi në lidhje me shpenzimin e 5 mijë eurove nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për ndejën e fundvitit për 197 të punësuar, duke përdorur edhe pije alkoolike në menynë e publikuar.

http://kallxo.com/akp-raki-me-para-publike-per-vit-te-ri/