Ilustrim

Veprime të Dyshimta në Tenderin 3.3-Milionësh për Pastrim

Kreu i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Mursel Raci, e ka zhbllokuar tenderin gjigant për pastrimin e objekteve të disa institucioneve vetëm disa ditë pasi u arrestua nga Policia e Kosovës.

Ai ishte arrestuar për të njëjtin tender, pasi nuk e kishte zbatuar vendimin e OSHP-së.

AQP dy herë e kishte anuluar tenderin 3.3-milionësh për pastrim pasi pretendonte që në garë kishin mbetur vetëm dy operatorë, të cilët kishin paraqitur oferta shumë më të larta se sa çmimi i tregut.

Dy operatorët e përgjegjshëm kishin ofertuar në pesë nga njëmbëdhjetë lote sa i kishte pasur në total ky aktivitet i prokurimit. AQP-ja e kishte anuluar tenderin, ndërsa operatorët e përgjegjshëm ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Gjykata e Tenderëve kishte vendosur që tenderi të kthehet në rivlerësim, sepse ishte konstatuar se anulimi i tenderit ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Por, AQP-ja e kishte anuluar serish në muajin tetor aktivitetin e prokurimit, duke mos e zbatuar vendimin e Gjykatës së Tenderëve.

Pas anulimit dhe mospërfilljes së vendimit të OSHP-së, sipas njoftimit të Policisë, Mursel Racit ishte arrestuar më 27 tetor për arsye se nuk e kishte përfillur vendimin e OSHP-së, duke lënë kështu pezull procedurën tenderuese.

Drejtori i AQP-së, Mursel Raci, i kontaktuar nga “Gazeta Jeta në Kosovë” nuk ka treguar nëse i është bërë presion për të vazhduar procesin e prokurimit të cilin e kishte anuluar.

“Jam arrestuar me pretendimin se nuk e kam respektuar vendimin e OSHP-së për tenderin e pastrimit. Jam liruar pas 36 orëve”, ka thënë Raci.

http://kallxo.com/arrestohet-drejtori-agjencise-qendrore-te-prokurimit/

Tenderi gjigant për pastrim

Tenderi i pastrimit për 54 institucione, i ndarë në 11 lote (pjesë), është iniciuar më 6 nëntor të vitit 2015. Me pretendimin se AQP-ja ka bërë kritere diskriminuese, dy operatorë ishin ankuar në OSHP. Më 13 janar 2016, OSHP-ja kishte vendosur që t’i aprovojë ankesat e operatorëve “Uni Project” dhe “Selman Network” për kritere diskriminuese në dosjen e tenderit, duke e obliguar AQP-në të përmirësojë dosjen e tenderit.

AQP-ja e kishte anuluar tenderin më 8 shkurt, bazuar në vendimin e OSHP-së. Tenderi i ri është iniciuar më 22 shkurt 2016, bazuar në Ligjin e ri të Prokurimit Publik. Sërish operatorët ekonomikë ishin ankuar në OSHP në këtë njoftim për kontratë, faza e parë e një tenderi, për kritere diskriminuese. Por, Gjykata e Tenderëve i kishte hedhur poshtë pretendimet e kompanisë “MSS”, duke lejuar AQP-në të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit.

Tenderi për pastrim ishte ndarë në 11 lote, në të cilat përfshiheshin 54 institucione.

Në njoftimin për kontratë, AQP-ja u kishte mundësuar kompanive që të aplikojnë në të gjitha lotet e tenderit (11), mirëpo si kushtëzim ishte vendosur që një kompani maksimumi mund t’i fitojë 3 lote.

Me 25 maj 2016 ishte bërë hapja e ofertave ku kishin aplikuar 13 kompani pastrimi.

AQP kishte vazhduar me procedura dhe më 15 korrik 2016 anulon tërë aktivitetin e ritenderimit me arsyen se zyrtari kryesor administrativ kishte urdhëruar anulimin e këtij tenderi.

Pas këtij anulimi në OSHP ishin ankuar dy operatorë ekonomikë: “Laguna” dhe  konzorciumi i kompanive “Schafberger”, “Selmans Network” dhe “Hajdini Commerc” për lotet ku ata kishin aplikuar. Ata janë ankuar për pesë lote, përkatësisht për lotet: 1, 7, 8, 9 dhe 10. Meqë nuk kishte pasur ankesa, lotet e tjera (2,3,4,5,6 dhe 11) janë anuluar.

Kompania “Laguna” ishte ankuar në Gjykatën e Tenderëve se kriteri i vendosur nga AQP-ja për pagën bazë bruto prej 200 euro ishte imponim për kompanitë nga ana e AQP-së që të dalin me çmime më të shtrenjta. Kurse konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Schafberger” ishte ankuar se AQP ka ndryshuar kriteret në dosjen e tenderit duke ndryshuar edhe pagën e punëtorëve.

Përfaqësuesi i AQP-së, Mursel Raci, në seancën e mbajtur në OSHP kishte deklaruar se vetëm dy kompani kanë qenë të përgjegjshme nga 13 kompani sa kishin dorëzuar ofertat e tyre.

Raci kishte thënë se AQP-ja nuk donte ta nënshkruante kontratën me këto kompani sepse çmimi i tyre ishte për 1.6 milion euro më i lartë se kontratat ekzistuese që kanë pasur institucionet më herët.

“Në këtë rast janë eliminuar OE të mirënjohur në fushë veprimtarinë e këtij aktiviteti të prokurimit, dhe atë për disa paqartësi shumë të vogla, dhe rekomandohen për kontratë OE me çmime tejet të larta. OE- eliminohen për një kriter formal”, citohet Raci në vendimin e OSHP-së.

Edhe mungesa e mjeteve të mjaftueshme nga autoritetet kontraktuese ka qenë një nga arsyet e anulimit të këtij tenderi. Gazeta JnK ka mësuar se diferenca në mes të mjeteve të zotuara për pastrim dhe ofertave të pranuara ka qenë rreth 1.5 milion euro.

Eksperti shqyrtues, bazuar në vendimin e OSHP-së, kishte thënë se AQP-ja në njoftimin e anulimit nuk kishte shkruar asnjë arsye.

“Gazeta JnK” e ka vërtetuar atë që e ka thënë eksperti shqyrtues rreth mungesës së arsyes.

“Me datën 13.07.2016, Zyrtari Kryesor Administrativ nxjerr vendim për anulim te aktivitetit te Prokurimit  me numër pr: 86/16”, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitetit, të publikuar në ueb-faqen e KRPP-së.

Gjithashtu, eksperti kishte deklaruar se kalkulimet të cilat AQP-ja i kishte paraqitur së bashku me hulumtimin e tregut është dashur të bëhen para së të bëhet njoftimi për kontratë.

Paneli shqyrtues kishte marrë vendim me të cilin kërkonte nga AQP-ja që lotet: 1,7,8,9,10 të ktheheshin në rivlerësim.

Edhe pas vendimit të OSHP-së për kthimin e tenderit në rivlerësim, AQP-ja nuk kishte ndërruar qëndrim. Më 17 tetor 2016, AQP-ja e kishte publikuar njoftimin për anulimin e tenderit. Edhe në këtë njoftim, AQP-ja nuk kishte dhënë asnjë arsye që çoi në anulim të tenderit.

Arrestimi për një tender në procedurë

Dhjetë ditë pas anulimit të tenderit, kishte ndërhyrë Policia e Kosovës. Më 27 tetor 2016, Policia kishte arrestuar kreun e AQP-së, Mursel Raci, për moszbatim të vendimit të OSHP-së. Raci, pas lirimit, ishte kthyer në vendin e tij të punës.

Atij i janë dashur një javë për të marrë vendim rreth tenderit që u bë shkaktar i arrestimit. Më 4 nëntor 2016 në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publik ishte publikuar dhënia e kontratës për pastrim për pesë lote, sipas përgatitjes së njoftimit për dhënie, i cili ishte përgatitur më 1 nëntor 2016.

AQP-ja i kishte rekomanduar për kontratë operatorët të cilët ishin ankuar në Gjykatën e Tenderëve. Raci, në OSHP, kishte deklaruar se ofertat e përgjegjshme kishin qenë më të larta se sa çmimi real i tregut për pastrim. Raci nuk ka dhënë shpjegime se çfarë ka ndikuar për t’ia ndryshuar mendjen dhe të rekomandonte për kontratë kompanitë që kishin ofertuar çmime shumë më të larta se çmimi i tregut.

Raci tha se AQP-ja, duke i rekomanduar këto kompani për kontratë e ka respektuar vendimin e OSHP-së. Mirëpo, Raci ka thënë se kontrata me këto kompani ende nuk është nënshkruar, sepse sërish ka ankesa në OSHP.

“Tenderi ende është në procedurë, por kontrata nuk është nënshkruar, sepse kemi katër kompani të cilat janë ankuar pas shpalljes së fituesve, më shumë detaje do të merrni pas përfundimit të kësaj procedure”, tha Raci për “Gazetën Jetën në Kosovë”.

Për lotin e parë u shpall fituese kompania “Laguna” në vlerë prej 557 mijë e 357 euro për një periudhë prej 36 muaj. Ajo ishte renditur e pesta për nga çmimi më i lirë. Çmimi që ka dalë në njoftimin e KRPP-së dhe çmimi i cili është në procesverbalin e ofertave ndryshon, pasi “Laguna” kishte ofertuar me 636 mijë e 422 euro për 36 muaj. Të tilla ndryshime janë evidente edhe nëpër lote tjera.

Mursel Raci, drejtor i AQP-së, shpjegon se arsyet që kanë çuar në ndryshimin e çmimeve.

“Të gjitha vlerat janë ndryshuar për arsye se disa nga Autoritet Kontraktuese kanë kontrata valide dhe për atë shumë është zvogëluar edhe vlera e kontratës. Autoritet Kontraktuese kyqen në kontratën e AQP-së atëherë kur atyre u skadon kontrata valide paraprake. Kjo fshehje e vlerës reale të kontratave të rekomanduara që janë zvogëluar në momentin e njoftimit për dhënie të kontratës, të njëjtat do të vlenin për të gjithë Operatorët Ekonomik edhe te ata që kanë ofertuar me çmime më të vogla”, tha Raci.

Në lotin e parë është paraparë pastrimi i objekteve të pesë institucione: Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ministrisë së Diasporës, Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në këtë lot kishin ofertuar edhe pesë kompani të tjera, të cilat ishin shpallur të papërgjegjshme. Ato kishin ofertuar me çmime më të lira se sa kompania e rekomanduar për kontratë. Kompania “Dolphin” kishte ofertuar me 332 mijë e 506 euro, kompania “MSS” me 458 mijë e 237 euro, kompania “Zona Park” me 480 mijë e 171 euro, kompania “Uni Project” me 531 mijë euro dhe konzorciumi “Beni & Euroing” me ofertën prej 611 mijë e 391 euro.

Lotin e shtatë e fitoi konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Schafberger”, me ofertën prej 379 mijë e 137 euro për 36 muaj për pastrimin e objekteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Agjencionit Shtetëror për Mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Edhe në këtë lot kishte pasur oferta më të lira.

Kompania “Dolphin” kishte ofertuar me 261 mijë e 860 euro, kompania ”MSS” me 276 mijë e 762 euro, “Omi Impex” me 457 mijë e 932 euro, “Uni Project” me ofertën prej 463 mijë e 385 euro dhe konzorciumi “Beni & Euroing” me ofertë prej 609 mijë e 352 euro. Oferta fillestare e konzorciumit fitues ishte 612 mijë e 603 euro për 36 muaj, por vlera i ishte ulur për shkak të kontratave të ndryshme që kishin institucionet.

Konzorciumi i kompanive “Schafberger & Selmans Network dhe Hajdini Commerc” ishte renditur i katërtë për nga çmimi në lotin tetë, për pastrimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Prokurorisë. Por, edhe për këtë lot ajo ishte rekomanduar për një kontratë prej 756 mijë e 524 euro për 36 muaj.

Në lotin e nëntë ka qenë pastrimi i hapësirave në ndërtesat e Policisë së Kosovës, njëherit loti me vlerën më të madhe në këtë tender. Për pastrimin e objekteve të Policisë për kontratë ishte rekomanduar konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Schafberger” në vlerë prej 1 milion e 219 mijë e 814 euro për 36 muaj. Kjo ofertë ka qenë e vetmja që nuk ishte ndryshuar krahasuar me ofertën fillestare, pasi Policia e Kosovës nuk kishte nënshkruar kontratë më herët.

“Gazeta JnK” ka verifikuar kontratën e kaluar të mirëmbajtjes së objekteve të Policisë së Kosovës, e cila ishte 750 mijë euro për 36 muaj, pra një diferencë prej 450 mijë euro më e shtrenjtë krahasuar me kontratën aktuale.

Edhe në këtë lot, fitues është shpallur operatori me ofertën më të shtrenjtë. Për lotin e nëntë për pastrimin e hapësirave të Policisë së Kosovës oferta më e lirë kishte qenë 623 mijë euro.

Kompania “Laguna” është rekomanduar për kontratë prej 690 mijë euro. Në këtë lot është paraparë pastrimi i objekteve të institucioneve gjyqësore dhe Inspektoratin Policor të Kosovës për 36 muaj.

Prej 54 institucioneve të cilat janë pjesë e kontratës së centralizuar disa kanë ende kontrata valide të pastrimit. Prej tyre dhjetë institucioneve u kanë skaduar kontratat e vjetra. Shtatë prej këtyre institucioneve kanë nënshkruar kontrata pasi procesi i tenderit nga AQP shkoi me procedurë të stërzgjatur. Janë tri institucione të cilat nuk kanë kontratë për pastrim, e ato janë: Organi Shqyrtues i Prokurimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Policia e Kosovës.

AQP-ja në vitin 2015 ka filluar me prokurimin e centralizuar, me qëllim të kursimit të parasë publike, që u vlerësua si pozitive në Raportin e Progresit të vitit 2015 se Kosova ka arritur progres në fushën e prokurimit publik me prokurime të centralizuara, por progresi nuk vërehet në finalizimin e kontratave.