Foto: Ilustrim

Agjencitë e Pavarura nuk i Bëjnë Vetë Prokurimet

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka nxjerrë draft-udhëzimin administrativ 01/2016, I cili ka të bëjë me zhvillimin e procedurave të prokurimit nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) për Agjencitë e Pavarura të cilat i përgjigjen Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe që kanë më pak se 50 të punësuar.

Neni 3 i këtij draft-udhëzimi, paragrafi 3.1 obligon AQP-në t’i kryejë procedurat e prokurimit sipas kërkesave të agjencive të pavarura.

“Agjencia Qendrore e Prokurimit është e obliguar t’i kryejë të gjitha procedurat e prokurimit sipas kërkesave të agjencive të pavarura të cilat i përgjigjen Kuvendit të Republikës së Kosovës që kanë më pak se 50 (pesëdhjetë) punonjës,” thuhet draft-udhëzues.

Përgjegjësia e AQP-së sipas këtij draft-udhëzimi administrativ përfundon me nënshkrimin e kontratës dhe menaxhimi i kontratës mbetet në përgjegjësi të agjencive të pavarura.

Në anën tjetër përgjegjësi për agjencitë e pavarura në mes tjerash është edhe hartimi i planit preliminar dhe përfundimtar për harmonizimin e kërkesave në afate ligjore.

“Në bashkëpunim me zyrtarët përgjegjës te AQP-së  [agjencitë e pavarura] do të hartojnë planin preliminar dhe planin përfundimtar  ku synohet që të harmonizohen kërkesat. Mbetet përgjegjësi e agjencive të pavarura që në afatet ligjore ta dërgojnë planifikimin përfundimtar ne AQP,” bëhet e ditur në draft-udhëzuesi.

Draft-udhëzuesi është hartuar për 16 agjenci të pavarura në Kosovë me më pak se 50 punonjës që për punën e tyre i raportojnë Kuvendit.

Këto 16 agjenc janë: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Autoriteti i Aviacionit Civil, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Fondi i Kursimeve Pensionale, Zyra e Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia për Mbrojtjen Shtetërore të të Dhënave Personale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Komisioni  Rregullativ i Prokurimit Publik, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Agjencia për Ndihme Juridike Falas.