Dy të vdekur dhe katër të lënduar në aksident trafiku në Rahovec

Dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Bernjak të Rahovecit.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirje Podrimaj ka thënë për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30

“Rreth orës 16:30, stacioni policor në Rahovec ka marr informacion për një aksident komunikacioni në fshatin Bernjak të komunës së Rahovecit. Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit dhe  ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes dhe katër persona kanë pësuar lëndime trupore”, ka thënë Podrimaj.

Ajo ka shtuar se në bazë të informacioneve të para nga vendi i ngjarjes dyshohet se aksidenti i ndodhur në mes të dy automjeteve udhëtarësh ka ndodhur si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë dhe tejkalimit në mënyrë të pa sigurt.

“Rasti po hetohet nga njësiti i trafikut rajonal nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë”, ka thënë Podrimaj.