Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

KQZ nënshkruan kontratën me kompaninë që do t'i auditoj financat e partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ], më 13.02.2024, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë, “e-prokurimi”, ka publikuar thirrjen për kontratë për auditimin e financave të partive politike në Kosovë.

Për tenderin me titull “Auditimi i raporteve vjetore financiare te subjekteve politike për vitet 2023 dhe 2024”, KQZ kishte parashikuar të shpenzoj deri 480,000 euro.

Ky tender është ndarë në dy pjesë: për auditimin e raporteve vjetore financiare të subjekteve politike për vitin 2023 dhe për vitin 2024.

Mjetet për këtë kontratë janë paraparë nga buxheti i konsoliduar i shtetit.

Për këtë aktivitet të prokurimit është ndjekur procedura e hapur, ndërsa si kriter për dhënie të kontratës është përcaktuar çmimi më i ulët.

KQZ kishte shkurtuar afatin për dorëzimin e aplikimeve me arsyetimin e afateve kohore që dalin nga Ligji për financimin e partive politike.

“Afati kohor për dorëzim të aplikacioneve është shkurtuar sipas nenit 46 të LPP-së me qellim të realizimit të afateve kohore sipas planit dinamik të paraparë në dosje të tenderit të cilat afate janë të obliguara sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Po ashtu, KQZ ka njoftuar se afatet kohore të parapara në planin dinamik në dosje të tenderit për vitin 2023 vlejnë edhe për vitin 2024. Përjashtime është thënë se mund të ketë vetëm nëse ka vonesa në nënshkrim te kontratës apo ndonjë vonesë që është jashtë fushëveprimit të autoritetit kontraktues.

Për këtë tenderë të ndarë në dy pjesë kanë konkurruar dy kompani, ndërsa kompania e shpallur me “ofertë të përgjegjshme” është “Audit & Conto” me çmimin më të ulët: 147,500 euro për pjesën e auditimin të raporteve vjetore financiare të partive politike për vitin 2023 dhe 143,960 euro për auditimin e raporteve vjetore financiare të partive politike për vitin 2024.

Sipas njoftimit, kontrata me kompaninë fituese është nënshkruar me datën 15.04.2024.