Forumi i Rinisë së LDK-së me aksion simbolik para Qeverisë në Ditën e Kushtetutës

“Qeveria e shkeli Kushtetutën plotë shtatë herë”- kështu tha gjatë aksionit simbolik Kryetari i Forumit të LDK-së, Paris Guri.

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, duke vendosur një tapet në të cilin shkruhet “Gjykata Kushtetuese”.

Ky aksion simbolik i forumit rinor të LDK-së erdhi, për nder të Ditës së Kushtetutës.

“Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë shkelje kushtetuese duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës për reformën në Arsim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkelur kushtetutën për Ligjin për Këshillin Prokurorial”- ka deklaruar Guri.

“Fatin e njëjtë kishte edhe Kuvendi i Kosovës me ç’rast akti i shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimit  Civil të Kosovës u cilësua si jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese”- shtoi ai.

Guri thotë se qeveritarët nuk kanë reflektuar pavarësisht se ky numër i ligjeve, nenet e së cilëve kishin rënë ndesh me Kushtetutën sipas Gjykatës Kushtetuese.

“Përkundër kësaj praktike jashtëzakonisht të rrezikshme, qeveria dh eksponentët e saj në asnjë moment nuk kanë treguar reflektim të pandesë. Përkundrazi, ata kanë atakuar shtyllën thelbësore të demokracisë, Gjykatën Kushtetuese, mbrojtësen e dokumentit tek i cili secili pushtetar ka dhënë betim. Por ky betim për ta është farsë, siç është farsë dhe shërbimi ndaj Republikës”- u shpreh Guri.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06.2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.