Foto: Ilustrim

Kamerat në vendvotimet në veri, KQZ kontrakton kompaninë për vendosjen e tyre

Procesi i votimeve “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve aktualë në katër komunat në veri të vendit, që do të zhvillohet më 21.04.2024, do të vëzhgohet edhe nëpërmjet kamerave. Për këtë qëllim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kontraktuar kompaninë e cila do të paguhet 1,852.60 euro për vendosjen e kamerave në vendvotime.

Me 18.04.2024, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë, “e-prokurimi”, KQZ ka njoftuar për lidhjen e kontratës me qëllim blerjen e shërbimeve të instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime.

Nëpërmjet aktivitetit të prokurimit “Shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike te kamerave në vendvotime”. KQZ kishte parashikuar të shpenzoj deri në 2 mijë euro për këtë qëllim. Mjetet për këtë kontratë janë paraparë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Për këtë tender, KQZ përdori procedurën e negociuar të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Dy tenderë të përgjegjshëm u pranuan dhe autoriteti kontraktues vendosi që kontrata t’i jepet kompanisë “Besa Security” Sh.P.K me çmimin më të ulët 1,852.60 euro.

KQZ nëpërmjet kësaj kontrate blenë shërbimet e instalimit, funksionalizimit të kamerave dhe pajisjeve përcjellëse të gjithsej 80 sosh me çmim 20 euro për njësi, si dhe shërbimet e përkrahjes teknike për ditën e votimit me çmim 247.80 euro.

Sipas njoftimit, kontrata me kompaninë fituese është nënshkruar me datën 17.04.2024.

Plani i saj për të vendosur kamera vëzhguese në vendvotime është thënë se nuk vlenë vetëm për 21 prill, por për të gjitha proceset e votimeve në të ardhmen.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – njoftoi më 7 prill se mbështetësit e saj nuk do të marrin pjesë në votimet për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kjo parti u ankua edhe për vendosjen e kamerave në vendvotime ku është paraparë të mbahet votimi për zëvendësimin e kryetarëve komunalë më 21 prill.

Kujtojmë, se kryetarët shqiptarë u zgjodhën në këto pozita në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.

Kjo parti kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.

Në mesin e tetorit të vitit 2023, ajo deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në procesin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve në komunat në veri, mirëpo më vonë ndryshoi qëndrimin dhe vendosi ta bojkotoj këtë proces.