KOK; Foto në Facebook

Ekipi Olimpik i Kosovës nis përgatitjet për Pekin

Ekipi Olimpik i Kosovës që do të merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin ka nisur sot përgatitjet.

Skitari Albin Tahiri sot gjatë ditës ka zhvilluar stërvitje në Qendrën Skitare në Yanqing të Kinës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Albin Tahiri ka zhvilluar stërvitje sot në Qendrën Skitare në Yanqing të Kinës, për t’u ambientuar me kushtet klimatike dhe temperaturat e ulëta. Shtegu për përgatitje në garën e lëshimit hapet të enjten”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim është bërë e ditur se skitarja tjetër olimpike Kiana Kryeziu stërvitjet për Lojërat Olimpikë do t`i fillojë gjatë ditës së nesërme.

“Ndërkohë, Kiana Kryeziu nis përgatitjet nesër (e mërkurë). Ajo do të përgatitet për sllallom të madh”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Lojërat Olimpike nisin më 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt.

Ditë më parë, Presidentja e Vendit, Vjosa Osmani dërzoi flamurin, skitarit Albin Tahiri. Ndërsa në një konferencë për media para nisjes ekipi u shpreh optimist për rezultate të miraë në këto lojëra olimpike.

Vlen të theksohet se Albin Tahiri është lindur dhe rritur në Slloveni por që ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën dhe Kiana Kryeziu është garuesja e parë vajzë që përfaqëson Kosovën në Lojëra Olimpike vetëm me 17 vjet.