Kiana Kryeziu duke skijuar | Foto: Visar Kryeziu

Historia e Kiana Kryeziut, skiatores së parë olimpike nga Kosova

17 vjeçarja nga Kosova, Kiana Kryeziu është skiatorja e parë kosovare që do të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ajo do të jetë pjesë e “Lojërave Olimpike Dimërore “Beijing 2022” duke përfaqësuar Kosovën në skitari.

Kiana Kryeziu arrti që të fitonte normën olimpikë për të përfaqësuar Kosovën në lojërat olimpike dimërore.

Si 17 vjeçare, ky është suksesi më madh në karrierën e saj tashmë disa vjeçare.

Në një intervistë për KALLXO.com, Kiana Kryeziu ka folur për pritshmëritë e saj nga “Lojërat Olimpike Dimërore”

“Lojërat Olimpike Dimërore” do të nisin me 4 shkurt, ndërsa Kiana këtë të shtunë merr rrugë për shtetin aziatik në Kinë.

“Për mu skijimi është sport i trashëguar nga familja”, thotë Kiana duke kujtuar stërgjyshërit e saj që janë marrë me këtë sport dimëror.

“Nga mosha 10 vjeçare unë jam marrë profesionalisht me këtë sport, ka qenë një mundësi që nuk kam mundur ta refuzojë”, rrëfen Kiana.

 

Kiana Kryeziu duke skijuar | Foto: Visar Kryeziu

Skijimi është një nga sportet më të shtrenjta. Por barra financiare bëhet me e madhe kur zgjedhë që karrierën të ia kushtosh këtij sporti.

Me këtë problem ishte ballafaquar edhe vet Kiana.

“Kemi pasur probleme financiare deri në momentin kur janë paraqitur dy sponsorë të cilët më kanë ndihmuar që të zhvillojë të gjitha ushtrimet gjatë vitit 2021”, rrëfen Kiana Kryeziu.

“Jam shumë e lumtur që jam femra e parë që do ta përfaqësojë Kosovën, kam pasur përkrahje nga familja sepse edhe ata e kanë parë dëshirën time dhe dedikimin tim për sportin”, thotë ajo.

Rrugëtimi deri te fitimi i pikëve olimpike nuk ka qenë aspak i lehtë për të. Për të siguruar biletë olimpike, Kiana është dashur të punojë shumë viteve të fundit.

“Kemi pasur të garojmë në Slloveni por na është anuluar gara, pastaj jemi nis në Itali ku e kemi gjetur një garë, në ditën e parë të garës unë e kam pasur një rrëzim ndërsa ditën e dytë veçse e kam marrë normën”, tregon Kiana kur flet për mundin e bërë drejt fitimit të normës olimpike.

Kiana Kryeziu duke skijuar | Foto: Visar Kryeziu

Të jesh sportiste olimpike është ëndërr për secilin sportist. Përveç që të plotëson në arritjen e majave të karrierës së tyre personale, nderi rritet edhe më shumë për faktin që olimpistët përfaqësojnë shtetin e tyre.

Kështu ishte edhe për Kijanën.

“Në momentin që ka ardhur babi poshtë edhe e kemi marrë vesh që e kemi arritur normën, atëherë kemi fillu me kcy prej gëzimit, ka qenë një moment emocional”, rrëfen momentin e parë të marrjes së lajmit, që Kiana Kryeziu do të jetë skiatorja e parë kosovare që do të përfaqsoj Kosovën në Lojëra Olimpike.

Por karriera e Kijanës nuk nis me Pekinin, por shumë vite më parë.

“Sukseset më të mëdha janë medalja e parë e Kosovës në garat ndërkombëtare, gjithashtu e kam marrë edhe medaljen e dytë në disiplinën e stallomit të madh, suksesi më i madh është fitimi i normës olimpikë”, thotë Kiana.

Kiana përgatitjet për Lojërat Olimpike i ka bërë së bashku me trajnerin Agim Pupovci.