Konferenca e kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e KOK Ismet Krasniqi | Foto: Kallxo.com
Kosova shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se zyrtarisht Kosova është shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare, “Prishtina 2030”.
Kurti e ka bërë këtë të ditur pas një takimi me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
“Kam kënaqësinë që të ndaj lajmin e shkëlqyeshëm se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e lojërave mesdhetare, “Prishtina 2030”. Sporti zë vend të veçantë në zemrën e çdo qyteti, kjo si rezultati i talentit të sportistëve. Organizimin lojërave mesdhetare 2030 do të shënoj moment historik të sportit vendor dhe jo vetëm” – tha Kurti në konferencë për media.
Kryeministri i vendit tha se për sportet që kërkojnë qasje në det janë pajtuar me Shqipërinë që ato të mund të organizohen në bregdetin shqiptar.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se Kosova është e gatshme për të organizuar Lojërat Mesdhetare, “Prishtina 2030”.
Ai tha se ato do të kishin efekt multidimensional dhe do të ishte mundësi për zhvillimin e sportit kosovar.
“KOK është anëtar me të drejtat të plota në komitetin e lojërave mesdhetare që nga viti 2015. Në vitin 2022 e kemi organizuar takimin e bordit ekzekutiv të komitetit të lojërave mesdhetare, gjatë këtij organizimi presidenti i kësaj organizate deklaroi që Kosova është e gatshme për të organizuar këto lojëra. Këto do të kishin efektin multidimensional, sot si kurrë më parë, e kemi mundësinë që të zhvillojmë sportin e Kosovës” – tha ai.
Ndërsa Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani tha se do të punojnë me entuziazëm që të arrijnë afatet e aplikimet për organizimin e “Lojërave Mesdhetare”.
“Ditën e djeshme Kosova mori statusin e vendit kandidat për organizimin e lojërave mesdhetare. Kjo do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Organizimi ka konceptin e shtrirjes në tërë territorin e Kosovës në mënyrë që të dëgjohet nga çdo qytetar në çdo vend. Me entuziazmin më të madhe do të punojmë ti arrimë afatet e aplikimit zyrtar, MKRS dhe KOK do të jemi të hapur për pyetje dhe detaje të tjera. Në fund të qershorit uroj që të marrim lajme pozitive” – tha zëvendësministrja Daulina Osmani.
Lojërat Mesdhetare janë zhvilluar vitin e kaluar në shtetin e Algjerisë.