KOK; Foto në Facebook

KOK thotë se kryetari i Federatës së Notit po bën padrejtësi ndaj një notareje të re

Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, përmes një letre ka kërkuar nga kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, që një notare e re të përfshihet në listën e pjesëmarrësve për Kampionatin Botëror të Notit që mbahet në Doha të Katarit.

Sipas letrës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, notarja Hana Beiqi është njëra nga sportistet më të vlerësuara.

“Bazuar në potencialin e notares së re, Hana Beiqi, rezultatet e arritura në vazhdimësi gjatë garave ndërkombëtare, e posaçërisht pikët e fituara të FINA-së, ku momentalisht ka më së shumti pikë të FINA-s nga gjinia e njëjtë në disiplinat olimpike, KOK kërkon nga Federata e Notit e Kosovës që sa më parë të përfshijë notaren Bejiqi për përfaqësim në Kampionatin Botëror në Doha” – thuhet në letër-kërkesën e cila mban datën 1.2.2024.

“Po ashtu, KOK sot ka pranuar listën e gjerë nga FNK për sportistët që mund të marrin pjesë në LO Paris 2024 nga sporti i notit, dhe me këtë rast ju keni përfshirë vetëm Mal Gashin dhe Eda Zeqirin, duke eliminuar nga lista Hana Bejiqin, gjë që është e papranueshme nga ana e KOK-ut” – thuhet tutje në letër.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Agron Zeqiri nuk ka treguar nëse Eda Zeqiri është vajza e tij.

Madje, kur është pyetur për këtë, ai ka ironizuar duke thënë se do ta dërgoj në garat e ardhshme vjehrrën.

“Federata nuk është e imja. Ti nuk guxon me më vetë kështu pse e kam marrë vajzën në gara. Po ta dha përgjigjen. Në garat e tjera kam me çu vjehrrën, i kam do teze edhe ato kam me i çu qeshtu” – ka thënë ai.

“Unë nuk i çoj, nuk vendosi, nuk vendos presidenti, vendosin strukturat në bazë të kritereve që i kanë. Kjo është pyetje provokuese” – ka deklaruar Zeqiri.

Ai ka thënë se pretendimet që janë thënë në letërën e dërguar nga Ismet Krasniqi janë shpifje.

“Më ka kërcënu dhe më ka urdhëru [Ismet Krasniqi] për dy orë me ia kthy përgjigjen, e pasi jam frikacak i madh, ia kam kthy përgjigjen në bazë të statusit ashtu siç funksionon Federata. Është shpifje. Nuk është punë e Komitetit Olimpik me ndërhy kështu. Ne ia kemi dhënë përgjigjen” – tha Zeqiri.

“Procesi për Doha (Katar) është kryer më 7 nëntor 2023, sepse para garave botërore kryhet me muaj më herët, por dikujt i ka dalë gjumi pas tre muajve” – ka deklaruar ai.

Letra e KOK