Pamje nga seanca e sotme - Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca në gjyqin për keqpërdorime me ngastrat komunale

Në gjykimin për keqpërdorime në ndërrimin e disa ngastrave kadastrale në komunën e Gjakovës, Pejës si dhe të Deçanit, trupi gjykues në krye me gjyqtaren Shadije Gërguri ka marrë aktvendim që ndaj njërit nga të akuzuarit, Vinçenc Komani, të veçohet procedura pasi që i njëjti nuk u paraqit në Gjykatë.

Mbrojtësi i Vinçenc Komanit, avokati Hasim Jashari deklaroi se klienti i tij e ka njoftuar se nuk do të mund të vijë në shqyrtim gjyqësor pasi që ndodhet në Amerikë për shërim.

Pas kësaj deklarate në mungesë të të akuzuarit dhe pasi që i njëjti ndodhet jashtë vendit, trupi gjykues mori aktvendim që ndaj të njëjtit të veçohet procedura penale.

Ndërsa në lidhje me një propozim të prokurores Dulina Hamiti që në cilësi të dëshmitareve të ftoheshin personat Sllavisha Millutin dhe Branislava Vukanoviq, kryetarja e trupit gjykues ka refuzuar këtë kërkesë të prokurores me arsyetimin se këta dy persona në aktakuzën e ardhur nga Gjykata Themelore në Pejë janë në cilësi të të dëmtuarve dhe se me aktgjykimin e formës së prerë kundër të akuzuarit Fatmir Muçiqi, i njëjti është obliguar që të kryejë kompensimin ndaj të dëmtuarve në shumën prej 100 mijë eurove, prandaj sipas trupit gjykues nuk ka asnjë relevancë që të njëjtit të dëgjohen në cilësi të të dëmtuarve.

Më pas shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me administrimin e provave ku palët patën mundësi që të bënin propozimin e provave për administrim.

Me propozimin e prokurores së çështjes si dhe me pajtimin e palëve të tjera në procedurë, trupi gjykues mori aktvendim që provat e propozuara në aktakuzë nga ana e prokurores të konsiderohen si të lexuara.

Ndërsa palët mbrojtëse, si avokatët ashtu edhe të akuzuarit, i kundërshtuan provat e propozuara nga ana e prokurores, si dhe propozuan prova të tjera për administrim me të cilat thanë se do të mund të vërtetohet pafajësia e tyre.

Pas administrimit të provave kishte qenë e planifikuar që të vazhdohej me marrjen në pyetje të të akuzuarve por pasi që i akuzuari Jahja Imami ishte pa avokat, ai kërkoi nga trupi gjykues që seanca të shtyhej për një datë tjetër në mënyrë që ai të mund të jepte mbrojtjen në prezencë të avokatit të tij.

“Sot nuk është prezent mbrojtësi im dhe pa avokat nuk jam në gjendje të përgjigjem në pyetjet e prokurores. Kërkoj që seanca e sotme gjyqësore të shtyhet për një datë tjetër”, tha i akuzuari Imami.

Më pas trupi gjykues në krye me gjyqtaren, Shadije Gërguri aprovoi kërkesën e të akuzuarit Imami, me ç’rast mori aktvendim me anë të të cilit seancën e shtyu për datën 6 qershor.

Në këtë proces gjyqësor Jahja Imami nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012,  ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës.

Me anë të këtyre veprimeve sipas Prokurorisë Imami ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit si dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare.

I akuzuari tjetër Ismet Kryeziu sipas Prokurorisë ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, ngase në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me dijeni ka lejuar ndërrimin e disa ngastrave kadastrale.

Kurse Valbona Naka udhëheqëse për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, meqë sipas aktakuzës ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Shërbim Berisha, akuzohet se ka kryer veprat penale – legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë dhe mashtrim, pasi që sipas prokurorisë në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit gjatë muajit mars të vitit 2011, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart[ në emër të Milivoje Qosoviq.

Tutje thuhet se Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtuarve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

E Viçenc Komani akuzohet se ka kryer veprat penale – dhënie ryshfeti si dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, pasi që pretendohet se i njëjti i ka dhënë ryshfet Jahja Imamit, me qëllim të vërtetimit të kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata këto të falsifikuara nga vetë ai.

Për këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fatmir Muriqi, por ndaj tij ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor dhe i njëjti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3500 euro gjobë.

Aktakuza së pari është ngritur në Gjykatën Themelore në Pejë, por më pas kjo gjykatë ka marrë aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit Jahja Imami ka qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, dhe se për shkak të këtij fakti kjo Gjykatë nuk mund ta procedojë këtë çështje penale.