Fjalimi në Kuvend për "vrasjet politike" ngjall polemika mes Gani Gecit dhe Ismet Kryeziut

Ismet Kyreziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka thënë se deputetëve të Kosovës duhet t’u ndalohet të flasin për vrasje, duke i reaguar deputetes së Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Marigona Geci.

Deputetja sot në seancën e votimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, doli në foltore për ta arsyetuar vendimin e tërheqjes së nënshkrimit për thirrjen e seancës dhe provoi të flasë për “vrasjet politike” të veprimtarëve të LDK-së pas luftës, por asaj iu ndal mikrofoni nga drejtuesja e seancës, Arbërie Nagavci.

“Deputetja Geci, me fjalimin e juaj krejt jashtë rendit të ditës? Boll ma e keni keqpërdor foltoren dhe i keni irrituar qytetarët, shkoni dëshmoni në gjykatë speciale dhe lejani këtë punë drejtësisë. S’jeni ju as të drejtit e as ata që vendosni drejtësi”, ka shkruar Kryeziu.

Ai tutje ka shkruar se këto fjalime janë irrituese për qytetarët.

“E vërteta e dalë nga shoshitja e drejtësisë së paanshme, do të jetë themeli për paqe të përhershme, e jo fjalimet tuaja”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, secili rrëfim nga kushdo qoftë, personazh historik apo politik, nuk është i mjaftueshëm për t’u besuar si i vërtetë, e as për të sjellur drejtesi, përveç institucioneve të drejtësisë.

Postimit të Kryeziut i ka reaguar anëtari i LDK-së, dhe babai i deputetes, Gani Geci, duke i thënë Kryeziut se “me ty merrem unë”.

“Me ty Ismet Kryeziu merrem unë edhe me krejt burrat si ti merrem unë. Edhe me generalla merrem unë. Unë të njoh mirë ty besoj se edhe ti mua më njeh.Besa unë i njoh edhe krejt këta burrat që merren me politik që 30 vjet e këndej edhe ata që kanë luftu kundër Serbisë që 30 vjet e këndej i njoh edhe ata që i kanë zhvat fondet e qytetarëve të Republikës së Kosovës ne emër të OJQ-ve i njoh”, ka shkruar Geci në postimin e tij.

Ai tutje në postimin e tij i ka thënë Kryeziut se “ti sigurisht e din për mua se nga e siguroj jetesën time dhe familjes sime edhe unë e di për ty qysh e siguron jetën tënde”.

Geci ka shkruar edhe për deklaratat se tema e “vrasjeve politike” në Kosovë ngjallet vetëm në kohë të fushatave.

“Qoni ju ata të vrarët nga varri që të jenë në mesin tonë sikur ti që je gjallë pranë familjes tane dhe ne kurrë ma nuk merrem me këtë çështje. E di që kur dikush e arsyeton tërheqjen e një nënshkrimi me faktet e një aktakuze publike juve ju dhemb sepse jeni komunist e problemi i kumunizmit ish interesant me i ra këtij komunistit këtu në Kosovë i dhemb atij në Kinë”, ka shkruar Geci në postimin e tij.

Geci i është përgjigjur Kryeziut duke i thënë se ti do të thuash se ke komunist në krye të partisë.

“E di që tani ti ki me thanë se ti e ke kumunistin kryetar partie, po unë isha në LDK, para se të vinte ai aty. Para disa dite bëjshit propagandë dhe thojshit ku janë bijtë e atyre të vrarëve që s’po flasin e kur po flasim mos i leni me fol”, ka shkruar Geci.

Ai tutje e ka ftuar Kryeziun që të përballet në një debat në cilin do televizon që do të zgjedh Kryeziu.

“Zgjidhe në cilin TV po don ti me debatu me mu e ti merri krejt udhëheqësit e partive majtiste në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni edhe krejt komandantët falls të UÇK-së, e debatojmë për luftën edhe cilën do temë që doni ju”, thuhet në postimin e Gecit.