Skandal: Kthehet në punë zyrtari i dënuar me 2 vite burg për korrupsion nga Gjykata e Prishtinës

Ish-drejtori i Drejtorisë ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, është kthyer në vendin e tij të punës ndonëse në mars të vitit 2019 ishte dënuar me 2 vite burgim për korrupsion.

Lajmin se i njëjti është kthyer në vendin e punës e ka konfirmuar drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti.

“Z. Ismet Kryeziu është kthyer në punë me vendim të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në AKK. Me datën 29.11.2019 Komisioni i sipërpërmendur ka sjellë vendim për anulimin e të gjitha vendimet paraprake të marra ndaj z. Ismet Kryeziut, i cili ka qenë nën masën pezullim nga detyra”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se çështja është në procedurë e sipër.

Ismet Kryeziu ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Prishtinës.

Ai ishte dënuar me 2 vite burgim pasi sipas aktakuzës me dijeni kishte lejuar ndërrimin e ngastrave kadastrale.

Bashkë me të akuzoheshin edhe ish- referenti i Gjykatës së Pejës, Jahja Imami, Shërbim Berisha dhe Valbona Naka.

Valbona Naka ishte liruar nga akuza ndërsa Jahja Imami, Ismet Kryeziu dhe Shërbim Berisha ishin dënuar me burgim. 

Ky rast është duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit pasi që të pandehurit të pakënaqur me dënimin kanë parashtruar ankesa.

Ky nuk është rasti i vetëm për të cilin drejtori Ismet Kryeziu është përballur me drejtësinë.

Ai akuzohej edhe se më 21 maj 2007 kishte marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën ndërtimore.

Sipas aktakuzës me këtë vendim  ai e  kishte aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali-Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.

Me vendimet e tij sipas Prokurorisë Kryeziu i kishte shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit me vlerën e sipërfaqes së lokaleve 978 metra katrorë, duke përfshirë objekte, depo, dhe tregje në sipërfaqe shtesë prej 220 metra katrorë.

Mirëpo kjo akuzë ndaj tij ishte hedhur poshtë për shkak të vjetërsimit relativ të veprës penale.