KDI kërkon fuqizimin e sinjalizuesve në luftimin e korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot “Raportin rreth anketës rreth mbrojtjes së sinjalizuesve” i mbështetur nga ambasada holandeze.

Ismet Kryeziu drejtor ekzekutiv i KDI-së, në tryezën e organizuar për Fuqizimin e Sinjalizuevse në Luftimin dhe Parandalimin e Korrupsionit, tha se ky ligj ende nuk ka gjetur zbatueshmëri dhe se është i mangët.

“Kosova nuk ka vuajtur për mungesë të ligjeve, por për mungesë të zbatueshmërisë. Ky ligj që ende nuk është i plotë, pasi nuk ka një rregullore apo komentar, vlerësojmë se është i mangët në informimin e sinjalizuesve dhe njerëzve brenda institucioneve për të paraqitur vepra korruptive. Sinjalizimi shihet si një alternativ shtesë për problemet që mund t’i paraqesin sinjalizuesit në institucione publike”, ka thënë Kryeziu.

Kurse Blerim Sallahu zëvendësministër i Drejtësisë, ka thënë se tashmë kanë proceduar në Qeverinë e Kosovës, projekt rregulloren për pranimin dhe trajtimin e sinjalizuesve.

“Një ligj i tillë nuk mund të zbatohet pa rregullore dhe akte nënligjore. Qeveritë e kaluara nuk kanë punuar në këtë drejtim. Ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet që rregullorja të dërgohet në Qeveri dhe sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë tashmë e ka dërguar projekt rregulloren për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizuesve, e kjo me informatat që kam, do të votohet sot në Qeveri”, ka thënë Sallahu.

Drejtori Agjencia Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka njoftuar se gjatë katër muajve të parë të vitit 2012 kanë pranuar katër raste të raportimit nga sinjalizuesit brenda institucioneve.

“Për zbatimin e këtij ligji, agjencia ka themeluar divizionin për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe ka njoftuar të gjitha institucionet duke u kërkuar që të caktojnë një zyrtarë përgjegjës dhe deri më tani, janë 180 persona të tillë. Gjatë vitit 2019 ne kemi trajtuar tri raste të sinjalizimit të jashtëm kurse në vitin 2020 kemi 5 raste ndërsa në vitin 2021 kemi 4 raste që janë në procedurë”, tha Havolli.

Carin Lobbezoo ambasadore e Holandës në Kosovë, ka garantuar mbështetje për mbrojtjen e sinjalizuesve duke inkurajuar sinjalizuesit për guxim në raportimin e rasteve të korrupsionit.