KDI: Projektligji ri për zgjedhjet e përgjithshme nuk parasheh reformë, kërcënon integritetin zgjedhor

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar sot vlerësimet lidhur me projektligjin për reformën zgjedhore, pas trajtimit nga Komisioni Ad-Hoc.

Ismet Kryeziu nga KDI ka thënë se për një dekadë reforma zgjedhore ka mbetur peng i vullnetit politik, teksa shtoi se Komisioni ad-hoc që është zgjedhur për trajtimin e këtij projektligji është marrë me çështje teknike.

Sipas Kryeziut, ky ligj përmban elemente që kërcënojnë integritetin zgjedhor.

“Tanimë kemi më një dekadë që kur reforma zgjedhore ka mbetur peng i vullnetit politik dhe pas shumë raportimeve të BE-së, parlamenti ka themeluar Komisionin ad-hoc për reformë zgjedhore që është marrë me çështje teknike. Ky komision e ka mbyllë punën e vet dhe tentohet qe të futet në rend të ditës me procedurë të përshpejtuar. Ky ligj përmban disa elemente, të cilat ne besojmë që seriozisht kërcënojnë integritetin zgjedhor. Reformë apo regres zgjedhor, nuk mendojmë që është regres zgjedhor, nuk është standard i vlerave në Kosovë”- deklaroi ai.

Kryziu tha se përshtatshmëria juridike e kandidatëve për të kandiduar e cila ka qenë e rregulluar mjaftueshëm mirë, ka pasur nevojë të adresohet kjo çështje edhe sipas praktikave botërore.

“Kështu, subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj t’a ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale. Ndalesa për të qenë kandidat në lista zgjedhore do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv prej së paku një viti apo atyre me dënime plotësuese”-njoftoi ai.

“Duke qenë se sistemi ynë i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht apo me gjobë, projektligji i ri i hapë rrugë kandidimit, rrjedhimisht zgjedhjes së personave që kanë probleme me ligjin” – shtoi ai.

KDI rekomandon që kandidimi t’u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale, ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vite burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve, krimin e organizuar.

Ndërsa Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se në projektligijin e ri propozohet që qytetarët të kenë mundësi të votojnë 10 kandidatë brenda listës zgjedhore.

“Bazuar në përvojën tonë  në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe edukimin e votuesve, dhënia e mundësisë për votuesit që të votojnë deri në 10 kandidatë nuk kontribuon në përfaqësim më të mirë apo më kualitativ në Kuvend. Për më keq, rritja e votës preferenciale ka ndikim negativ edhe në administrimin e zgjedhjeve”- vlerësoi Cakolli.

Në lidhje më këtë çështje, hulumtuesi i KDI-së rekomandon që vota preferenciale duhet të kufizohet në tre kandidatë, që sipas tij kontribuon në një garë më konkurruese mes kandidatëve dhe duke siguruar të ruhet kuota gjinore prej 30%.

Cakolli tha se si çështje tjetër problematike tek ligji është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të presidentit/es.

“Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ndryshimet në fakt mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së, duke minuar besimin e publikut në këtë institucion”- deklaroi Cakolli.

Ai shton se KQZ-ja nuk duhet të ketë mundësi të propozojë shkarkimin e anëtarëve apo kryesuesit lidhur me shkeljet e pretenduara të statusit apo integritetit të KQZ-së.