Shpend Ahmeti e Selim Pacolli, marrëveshja për Prishtinën

Vetëvendosje e AKR, Marrëveshje për Prishtinën

Vetëvendosje dhe AKR kanë lidhur marrëveshje koalicioni për Prishtinën për garën e balotazhit që do të zhvillohet më 19 nëntor.

Marrëveshja është nënshkruar nga kandidati I VV-së për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i AKR-së, Selim Pacolli, i cili u eliminua nga gara në raundin e parë më 22 tetor.

“Ne synojmë ta ndërtojmë shumicën në kuvendin komunal me subjektet me të cilat kemi bashkëpunuar. Raporti i forcave në kuvend komunal ka ndryshuar pas 22 tetorit dhe ato forca me të cilat kemi bashkëpunuar, tashmë përfaqësojnë më shumë se 60 përqind të ulëseve”, tha Ahmeti.

“Ne do ta ndërtojmë këtë shumicë dhe zotohemi që së bashku të punojmë me z. Selim Pacolli dhe AKR-në në një bashkëpunim në qeverisje në vazhdimin e reformave që i kemi filluar”, tha Ahmeti.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Shpend Ahmeti ka marrë 38,294 vota apo 43,61 përqind ndërsa Selim Pacolli kishte marrë 8,965 vota apo 10,21 përqind. Përballë Ahmetit, në balotazh është Arban Abrashi i LDK-së i cili më 22 tetor mori 31,428 vota apo 35,79 përqind.

“Kemi arritur marrëveshje ta vazhdojmë bashkëqeverisjen për katër vitet e ardhshme”, tha Pacolli.

“Unë kam gjetë mundësinë që së bashku ta implementojmë pjesën e dërmuese të programit tim dhe të z. Ahmeti dhe besojmë që brenda katër viteve do të përmirësojmë jetën e qytetarëve”, shtoi ai.