Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpend Ahmeti është intervistuar nga Policia lidhur me moskthimin në punë të një mësimdhënësi, i akuzuar për ngacmim të një nxënëseje

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se para pak javësh ishte ftuar për intervistë nga Policia lidhur me kallëzimin penal që kishte ushtruar ndaj tij një person i akuzuar për ngacmim seksual, por të cilin e kishte liruar Gjykata.

Ahmeti ka thënë se intervista kishte të bënte me moskthimin e të dyshuarit në punë.

Ahmeti pretendon se para disa viteve janë përballur me një rast të një mësimdhënësi në një shkollë fillore në Prishtinë, i cili, sipas tij, kishte prekur një nxënëse në mënyrë të papranueshme. Më pas, thotë Ahmeti, kishin kuptuar se ky nuk kishte qenë rasti i parë nga i njëjti person. Ndaj të dyshuarit ishte ngritur aktakuzë.

” Disa vite më pas nga gjykata ma sollën vendimin e formës së prerë që personi në fjalë ishte liruar dhe duhet kthyer në punë.  Refuzoja edhe pse juristët më thonin se rrezikoja dënim edhe me gjobë (personale) por edhe me burg.  Po ashtu personi në fjalë përmes një familjari më kishte kërcënuar edhe personalisht” – ka theksuar Ahmeti në një postim në Facebook.

Ky është postimi i plotë i Shpend Ahmetit:

Para pak javësh e pranova një ftesë për intervistim nga policia për mos-kthimin në punë të një personi të akuzuar për ngacmim seksual (pedofili) i cili ishte liruar nga gjykata dhe kishte dorëzuar Kallëzim penal ndaj meje.

Para disa viteve, kishim një rast të një mësimdhënësi në një shkollë fillore në Prishtinë i cili kishte prekur një vajzë nxënëse në mënyrë të papranueshme. Me lajmërimin në polici ishte ngritur aktakuzë ndaj personit në fjalë.  Pas disa takimeve me drejtoreshën dhe me prindër kuptova që ky nuk ishte rasti i parë.

Disa vite më pas nga gjykata ma sollën vendimin e formës së prerë që personi në fjalë ishte liruar dhe duhet kthyer në punë.  Refuzoja edhe pse juristët më thonin se rrezikoja dënim edhe me gjobë (personale) por edhe me burg.  Po ashtu personi në fjalë përmes një familjari më kishte kërcënuar edhe personalisht.

Para skadimit të afatit, kam nënshkruar dy vendime në të njejtën kohë – kthimin në vend të punës sipas vendimit të gjykatës dhe menjëherë suspendimin me vendim të kryetarit në procedurë të brendshme.   Ky person sipas meje nuk duhej as edhe një minutë të kaloj në shkollë.

E tash pasi përfundova mandatin, morra ftesë nga policia sipas kallëzimit penal që më kishte bërë personi dhe me urdhër të prokurorit të intervistohem për mos zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e personit në fjalë.

Policët hetues ishin shumë profesional dhe po kryenin punën e tyre.  Ju shpjegova se ai dhe persona të tillë nuk duhen të jenë afër fëmijëve.  Edhe pse kisha shfrytëzuar ligjin për ta larguar do të rrezikoja edhe aktakuzën vetëm për ta ndalur.

Sa ka raste të tilla gjithandej dhe natyrisht jo vetëm në shkolla?

Koha është për legjislacion të regjistrit të shkelësve seksual (sexual offenders).  Reagimet dhe marrja e përgjegjësise për raste individuale janë të domosdoshme.  Por edhe më e domosdoshme është marrja e iniciativave për politika e legjislacion.  Me këtë nuk zhduken kriminelët por identifikohen e parandalohen më lehtë. Në SHBA lista është publike ku njerëzit e dijnë kur dikush është në lagjen e tyre.  Në BE vetëm Policia ka qasje por çdo lëvizje e vendbanimit të një personi të tillë duhet të lajmërohet në policinë lokale.

Krime do të ketë gjithmonë dhe shpesh nuk mund ta dijmë se një person do të kryej krim por në raste të tilla në qoftë se del se një person ka bërë krime të ngjashme dhe janë liruar nga gjykatat atëherë duhet të ketë rishqyrtim të rasteve të kaluara për të parë lëshimet nga institucionet gjyqësore