Rritja e çmimeve, Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet propozimi i LVV-së që fitimi në produktet bazë të kufizohet me ligj

Kritika ka marrë propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që për shkak të rritjes së çmimeve, fitimi në produktet bazë të kufizohet me ligj.

Këtë propozim e ka kundërshtuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se furrat nuk janë armiq e monopole që duhet të luftohen dhe se sipas tij, politika të tilla rrisin papunësinë.

“Jo jo jo! Përcaktimi i fitimit në produkte të caktuara shkakton më shumë dëme se inflacioni. Furrat nuk janë as monopole as oligopole që janë armiq të Kosovës të cilat duhen të luftohen. Intervenimi me politika të tilla në sektorë sipas menysë së qeverisë apo Kuvendit pa kurrfarë ndihme financiare sulmon efiçencën dhe çrregullon zinxhirin që në fund rrit papunësinë dhe shkatërron kapitalin e akumuluar”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, targetimi i produkteve bazë bëhet me zvogëlim tatimi ose përmes subvencioneve.

“Profiti i furraxhive nuk është shkaktar i rritjes së çmimeve. Kjo është mu marr me simptomin jo me shkaktarin. Targetimi i produkteve bazë bëhet me infuzion financiar ose përmes zvogëlimit të tatimeve ose përmes subvencionimit të produkteve të caktuara”, shtoi më tej Ahmeti.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se ndërhyrja në treg është e papranueshme.

Sipas tij, ky veprim ka synim të mbulojë mosmenaxhimin e krizës me çmime.

“Ndërhyrja në treg, për të përcaktuar marzha dhe çmime, është e papranueshme dhe antikushtetuese. Është presedan jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka për synim të mbuloj paaftësinë në menaxhim të krizës me çmime. Për të menaxhuar një krizë, fillimisht duhet ta pranosh që ka krizë”, ka shkruar Rukiqi.

Rukiqi potencoi se, masa filllestare për adresim të krizës duhet të jenë norma më të ulëta të TVSH-së si dhe  subvencionim i një pjese të shpenzimeve të transportit.

“Nëse kemi “spekulues” të çmimeve në treg dhe të tillë që dëmtojnë konkurrencën në treg, duhet t’i luftosh të njëjtit, por jo ta mbysësh krejt tregun. Norma më të ulëta të TVSH-së, për disa produkte bazë dhe subvencionimi i një pjese të shpenzimeve të transportit janë masa fillestare për adresimin e krizës aktuale”, shtoi më tej Rukiqi.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të hartohet një projektligj që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë me 8%.

Mimoza Kusari-Lila ka propozuar që një projektligj i tillë të shkoj tutje përmes procedurës së përshpejtuar.

Aktualisht, për shkak të rrijtjes së çmimeve, çmimi maksimal për shitjen e derivateve në Kosovë çdo 24 orë po përcaktohet sipas një udhëzimi administrativ të qeverisë.